TIRANË, 29 mars 2013– Interpoli ekstradon nga Panamaja, një 56-vjeçar nga Durrësi, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrim në qytetin bregdetar.
Ilir Elmazi u soll i prangosur nga Amerika e Jugut në Aeroportin e Rinasit, duke u shoqëruar më pas nga Policia. Ekstradimi është bërë pasi 56-vjeçari duhet të vuajë 7 vjet burg për vjedhjen me anë të mashtrimit të 800 mijë markave gjermane. Ngjarja për të cilën akuzohet i ekstraduari ka ndodhur më 5 shtator të vitit 2009, kur ai ka mashtruar për hapjen e një biznesi pronarin e një anije në Durrës, Fatmir Zotaj, i akuzuar për kontrabandë cigaresh vite më parë dhe i liruar më pas nga akuza.
Fillimisht, i akuzuari për mashtrim është hetuar në mungesë, ndërsa më 25 maj të vitit 2010, Gjykata e Apelit të Durrësit e ka dënuar Elmazin me 7 vjet heqje lirie. Sipas vendimit të Gjykatës, Ilir Elmazi ka përvetësuar shumën e konsiderueshme të parave prej 800 mijë markash në bashkëpunim me dy shtetas të huaj, një francez dhe një libanez. Personi i mashtruar është Fatmir Zotaj, i cili në atë kohë ishte pronari i kompanisë “Zotaj sh.p.k.” dhe më vonë u përfshi në skandalin e kontrabandës së cigareve, në bashkëpunim me 9 persona të tjerë. Zotaj, pronar edhe i anijes “Eni”, me të cilën transportoheshin cigaret kontrabandë dhe magazinës në Shkozet të Durrësit ku depozitoheshin, dyshohej se drejtonte grupin dhe pasi u ndalua nga Policia e Durrësit, u la i lirë dhe u shpall në kërkim.
Personi që u ekstradua dje nga Panamaja, Ilir Elmazi, kishte hyrë në një marrëveshje me biznesmenin Fatmir Zotaj, të cilin po përpiqej ta joshte për hapjen e një fabrike çimentoje. Ata kishin diskutuar çmimin e kushtet dhe Elmazi, për të bindur Zotajn se biznesi ishte serioz, ishte takuar me të bashkë me një shtetas francez, duke e prezantuar si investitor dhe një libanez, i cili sipas tij do të ishte personi që do ta hapte këtë fabrikë. “Negociatat” për të bindur Fatmir Zotajn, i cili ishte “peshkuar” nga autorët për faktin se ishte një person me pozitë dhe shumë para që përfitonte nga bizneset e tij, zgjatën deri më 5 shtator të vitit 2002. Në këtë datë ai u bind dhe i dorëzoi Ilir Elmazit shumën prej 800 mijë markash, që përllogariten rreth 70 milionë lekë të rinj. Por, që nga momenti kur biznesmeni i dha paratë, nuk arriti të takonte më as Elmazin dhe as 2 personat e huaj me të cilët ai e kishte prezantuar, duke e denoncuar ngjarjen në Polici si mashtrim.





