Në fotot: Fjodor Merkuri, nxënës i kolegjit turk “Turgut Ozal”, gjatë punës shkencore për plehërimin organik në një vresht në Ishëm. Shkencëtari adoleshent duke hedhur shikimin në vreshtin organik të Ishmit. Krenari shqiptare në Hong Kong. Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Bujqësisë Biologjike prof. dr. Enver Isufi. Pamje e Institutit të Bujqësisë Biologjike në Shkozet.

DURRËS, 28 mars 2013 –Talent, ky është cilësimi i kolegji turk “Turgut Ozal” të Tiranës për nxënësin në klasën e dhjetë, Fjodor Merkuri.

Fjodori 17-vjeçar ka prirje shkencëtari të vërtetë dhe këtë e ka shprehur edhe para 3 viteve kur konkurroi në Houston të Texas-it, në kategorinë e ambientit, duke fituar çmim ndërkombëtar me projektin “Rritja e bimëve me tretësira ushqyese”, thotë për “Dyrrah”-un as. prof. dr. Enver Isufi, drejtor i Institutit të Bujqësisë Biologjike Durrës, pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Sipas specialistit të njohur, adoleshenti nga Tirana erdhi në Institutin e Bujqësisë Biologjike në Shkozet për të ndjekur një studim shkencor në periudhën pranverë-fund shtatori 2012.

Isufi thotë se Fjodori parapëlqeu të punonte në eksperimentimin fushor për përdorimin e praktikave të bujqësisë biologjike në vreshtari.

Shkencëtari 17-vjeçar ndoqi me korrektësi për një sezon të plotë prodhimin e rrushit dhe verës bio në vreshtin bio, që ndodhet në Ishëm.

Me këtë rast Fjodori Mërkuri realizoi studimin “Përparësitë ekonomike dhe ekologjike të vreshtarisë biologjike krahasuar me vreshtarinë konvencionale”, që e paraqiti në konkursin ndërkombëtar të talenteve të reja në shkencë që u zhvillua në tetor 2012 në Hong Kong, ku iu dha medalje bronzi.

Ndërkohë në Hong Kong Fjodori krijoi atmosferë me flamurin shqiptar dhe kostumet kombëtare.

Ass. Prof. Dr. Enver Isufi, vitin e kaluar kur kishte mbushur moshën 60 vjeç, e ka pasur për nder që në studimin e plotësuar të vinte emrin e vet bri talentit të jashtëzakonshëm 17 vjeç Fjodor Mërkuri.

Studimi është përfshirë në Katalogun e parë shqiptar të Inovacioneve (National Catalogue of Innovations in Albania) për Zhvillim Njerëzor, botuar nga programi UNDP Art Gold 2 në kuadrin e zbatimit të Programit IDEASS, BAZH NGO, ku si partnerë ekzekutivë në projekt ishin Akademia e Shkencave, Agjencia për Kërkim, Teknologji dhe Inovacion (AKTI), Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes se Konsumatorit, institucione vendore, universitete, qendra kërkimore-shkencore, qendrat e transferimit të teknologjive bujqësore, etj.

/th. m. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/