DUBAI, 27 mars 2013 – Nëse burri i dërgon gruas SMS, në të cilën gjendet fjala ‘divorc’, kjo mjafton që shkurorëzimi të jetë i vlefshëm në Dubai.
Sipas departamentit të çështjeve islamike dhe aktiviteteve bamirëse kjo çështje është ngritur, kur një burrë shtroi pyetjen nëse një SMS, përmes të cilit e ka njoftuar gruan për divorc, është i mjaftueshëm që ndarja të jetë e vlefshme sipas sheriatit, raporton gazeta arabe Al Ittihad.
Burri në fjalë ishte zënë me gruan e tij dhe më pas ajo kishte shkuar në shtëpinë e prindërve. Ai ka shkuar atje për t’i thënë se po ndahet nga ajo, por grindja, që ka degjeneruar në përleshje fizike, ka vijuar edhe në shtëpinë e vjehrrit. Dhëndri ka këmbëngulur sërish në kërkesën e tij për divorc dhe në fund e ka informuar edhe një herë me SMS për vendimin e tij. Përsëritja tri herë e vendimit e bën atë të vlefshëm, sipas ligjeve të sheriatit.
Dijetarët islamë kanë thënë se edhe pse shpallja e shkurorëzimit në një moment zemërimi nuk vlen, një SMS i tillë mund të jetë i vlefshëm, nëse burri e ka shkruar në moment qetësie.





