TIRANE, 27 mars 2013- Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar sot lirimin e Bashkim Tahirit, babait të deputetit të PS-së Saimir Tahiri, i cili u arrestua mesditën e së hënës për kontrabandë ilaçesh. 

Ndërkohë, për bashkëpunëtorin Dritan Gjiza organi i akuzës kërkon ‘arrest shtëpie”, ndërsa për Nadire Tagën kërkoi hetim në gjendej të lirë.
 
Dosja me faktet rreth akuzës së kontrabandës së ilaçeve mbërriti sot në organin e akuzës, ndërkohë që gjykata do të japë nesër vendimin mbi 3 të akuzuarit.

Policia e Shtetit gjatë një komunikimi me median në mesditën e së hënës njoftoi arrestimin e tre personave nën akuzën e kontrabandës, njëri prej të cilëve babai i deputetit socialist Saimir Tahiri.

Bashkim Tahiri u arrestua rreth orës 13:00 të së hënës, në afërsi të rrugës "Todi Shkurti" në Tiranë. Operacioni për kapjen e tij u kodua "Rispedal" dhe në pranga veç babait të deputetit socialist Saimir Tahiri, përfunduan edhe Dritan Gjiza e Nadire Taga. 

Sipas policisë, tre të dyshuarit janë mbajtur nën përgjim për tre muaj me radhë, nga ku ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mundësuar transportimin e medikamenteve, ku siguroheshin në mënyrë të jashtëligjshme në një qendër shëndetësore në Itali dhe shiteshin në Tiranë. Në momentin e arrestimit, sipas policisë tre të dyshuarit u kapën duke shkëmbyer medikamente me vlerë 10 mijë euro.