TIRANE, 27 mars 2013– Në Gjykatën e Krimeve të Rënda u zhvillua seanca gjyqësore në ngarkim të 38-vjeçarit Ilir Xhakja, i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit të Shijakut Adem Tahiraj, më 13 shtator të vitit të kaluar. 

Trupa gjykuese ka dëgjuar sot dëshminë e shtetases Eleni Ndoka, në cilësinë e dëshmitares në ngjarje, pasi ajo u plagos me një plumb në këmbë në derën e shtëpisë së saj.

Gruaja ka treguar se nuk njihte asnjërin nga personat e përfshirë në ngjarje, duke sqaruar se kishte dalë në derën e shtëpisë pasi kishte dëgjuar krisma armësh në rrugë.

Gjykata ka dëgjuar sot edhe dëshminë e ish-shefit të krimeve të Shijakut Dilaver Osmani. 

Ilir Xhakja akuzohet se është autori i vrasjes me armë zjarri të kryekomisarit Adem Tahiraj.

Ish-kreu i komisariatit të Shijakut u ekzekutua nga Xhakja, gjatë një kontrolli rutinë të automjetit të nipit të tij. Fillimisht, "i forti i Shijakut" është konfliktuar me Tahirajn dhe më pas e ka qëlluar me pesë plumba pistolete, duke e lënë të vdekur në vend.

Arrestimi i Xhakjes u bë pak orë më vonë, në fshatin Shën Vlash.