DURRES, 27 mars 2013 – Inskenoi pengmarrjen, prangoset 18 vjeçari. Burime të policisë së Durrësit bëjnë të ditur se kanë prangosur mëngjesin e datës 26 mars adoleshentin Florenc Bushi, nga komuna e Ishmit.
I riu akuzohet se ka inskenuar një pengmarrje të rreme për të fshehur gjurmët e grabitjes së një sasie të konsiderueshme parash si dhe mungesën prej disa ditësh nga shtëpia.
Në një njoftim për shtyp, policia e Durrësit bën të ditur se “më datë 16.03.2013, ora 10.00, në Komisariatin e Policisë Shijak është paraqitur shtetasi P.B., 38 vjeç, i cili ka bërë kallëzim se rreth orës 22.00 është larguar nga banesa djali i tij, shtetasi Florenc Bushi. I njëjti shtetas pas 24-orëve deklaroi në Polici se në telefonin e tij kanë mbërritur mesazhe mbi marrjen peng të të birit nga persona të panjohur”.
Pas këtij kallëzimi policia ka nisur menjëherë nga puna për të zbuluar vendndodhjen e të riut dhe për të identifikuar personat që e kishin marrë peng atë.
Por “pengmarrja” ka rezultuar një flluskë sapuni. Mbrëmjen e së hënës shërbimet operacionale pranë Drejtorise së Pergjithshme të Policise Shtetit, arritën të gjenin dhe të kapnin ne Gjirin e Lalëzit e 18-vjeçarin Bushi.
Para forcave të rendit Florenc Bushi ka deklaruar inskenimin e realizuar prej tij, sipas së cilit disa ditë para se të largohej nga shtepia, kishte vjedhur në të nje sasi prej 500.000 lekesh, dhe me datë 16.03.2013, rreth orës 02.00, ishte larguar pa dijeninë e prinderve nga banesa, duke shkuar në Tiranë ku kishte qëndruar në disa lokale me muzikë e hotele te ndryshme. Pas 24 orëve në telefonin e babait të tij ai ka dëguar disa mesazhe mbi marrjen peng nga persona të panjohur.
Së bashku me Bushin po hetohet në gjendje të lirë për deklarim të rremë para oficerit të Policisë Gjyqësore 23 vjeçari me iniciale S.E., shok me 18 vjeçarin.
Procedimi penal ndaj shtetasit S.E. filloi për arsye se duke pasur dijeni dhe ndihmuar për largimin drejt Tiranës të Florenc Bushit, gjatë zhvillimit të hetimeve për gjetjen e tij ka deklaruar të kundërtën para oficerëve të Policisë Gjyqësore.
Materialet e mbledhura në ngarkim të dy të rinjve i kanë kaluar për vlerësim Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë.
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





