KRUJE, 25 mars 2013 – Policia e Krujës nis procedimin penal për dy të rinj që tentuan të vrasin me armë zjarri dy vëllezër. Ngjarja e rëndë është regjistruar mesditën e së shtunës në aksin rrugor Fushë Krujë – Tiranë.

Sipas policisë dy të rinj nga fshatrat e Krujës, Gazmir Zguri, 25 vjeç dhe  Mondi Shima, 37 vjeç kanë tentuar të vrasin me armë zjarri dy vëllëzër nga fshati Nikël, përkatësisht 25 dhe 33 vjeç.

Sipas policisë ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Në njoftimin për shtyp policia shpjegon se mesditën e së shtunës dy vëllezërit me iniciale N.D. dhe F.D. kanë qenë duke udhëtuar me automjetin e tyre tip Mercedes Benz me targa AA 928CX, kur janë qëlluar nga Zguri dhe Shima.

Fatmirësisht nga të shtënat nuk është lënduar asnjë nga vëllezërit, ndërkohë që autorët janë larguar menjëherë nga vendngjarja.  Materialet në ngarkim të Gazmir Zgurit dhe Mondi Shimës iu përcollën Prokurorise Krujë. Dy të rinjtë akuzohen për veprat penale ”vrasje me paramendim mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe ”mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/