TIRANE, 25 mars 2013- Kryeministri Berisha sulmon kryetarin e PS-së Edi Rama për bllokimin e ligjit për Gjykatën Administrative, duke deklaruar se qëllimi i tij është zëvendësimi i kësaj gjykate me një zyrë të posaçme në kryeministri.
Gjatë një takimi në Berzhitë me përfaqësues të bizneseve të vogla, kryeministri theksoi se ekzekutivi ka sistem të veçantë për shqyrtimin e ankesave, por nuk mund të zëvendësojë gjykatën.
“Ndjeva keqardhje të madhe kur dëgjova se kryetari i opozitës e paska bllokuar ligjin. Ligjin e votuan ata nen për nen në parlament, dhe tani ka mbetur vetëm një ndryshim në ligjin e Gjykatës së Lartë ,që të ngrihet sistemi i plotë i Gjykatës Administrative. Del se ky zotëria nuk e ka votuar ligjin, sepse do të ngrejë një zyrë në kryeministri, e cila të zëvendësojë gjykatën. Ju garantoj ju se ky është lajmi më i keq që një njeri apo një administratë mund tu japë bizneseve. Pse, e ka populli një fjalë, vetë vali e vetë kadi këtë nuk e ka pranuar njeri.”- deklaroi kryeministri Berisha.
Gjatë takimit të zhvilluar pak ditë më parë me biznesin, kryesocialisti Rama e cilësoi Gjykatën Administrative si një tjetër mekanizëm ku biznesi nuk do të gjejë drejtësi.
“Ne e kemi votuar ligjin për Gjykatën Administrative dhe unë personalisht s’kam pritur dhe nuk pres nga ajo më shumë se një thertore më shumë ndaj biznesit. Nuk mund të gjesh të drejtën në asnjë vendim gjykate në një vend ku qeveriset me padrejtësi. Ngritja e Këshillit Kombëtar dhe e zyrës së posaçme për biznesin në kryeministri ka të bëjë me ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm.”,- u shpreh Rama.
Sipas tij, “PS është duke diskutuar mundësinë e futjes së një instance paragjyqësore në marrëdhëniet mes shtetit dhe biznesit, duke menduar se në një moment të caktuar qeveria dhe komuniteti i biznesit të bien dakord për arbitrazhin”.





