TIRANE, 25 mars 2013- Kuvendi miratoi në unanimitet marrëveshjen për gazsjellësin Trans Adriatik Pipeline TAP, mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë.
Kjo marrëveshje u votua me 120 vota dhe pro kësaj marrëveshje votuan edhe deputetët e opozitës.
Në marrëveshje, tre shtetet shprehin mbështetjen e tyre politike për projektin e gazsjellësit TAP dhe detajojnë gjithashtu edhe detyrimet e secilit shtet kundrejt projektit.
Ndërkohë, seanca e Kuvendit është shoqëruar me debate mes ministrit të ekonomisë Edmond Haxhinasto dhe deputeti i PS-së Erjon Braçe në lidhje me koncesionet.
Në fjalën e tij, deputeti Braçe ka kërkuar nga ministri Haxhinasto një bilanc konkret për privatizimin e aseteve shtetërore.
“Ligji ka përcaktuar garë e konkurencë për koncensionet, por këta po japin edhe bonuse. BE e ka konstatuar si korruptive këtë praktikë. Ky ligj nuk është i harmonizuar me standartet e BE-së. Kërkoj nga ministri i Ekonomisë një bilanc të koncensioneve dhe mënyrës si janë privatizuar pasuritë tona” tha Braçe.
Ndërsa ministri i Haxhinasto tha se janë investuar nga sektori privat mbi 1 miliard euro që nuk mund të realizoheshin nga buxheti i shtetit.
“E keni shumë gabim që injoroni iniciativën e biznesit. Duhet të jemi shumë mirënjohës ndaj atyre sipërmarrësve, që duke investuar paratë e tyre, marrin përsipër rrisqet. Ata mendojnë që investimi në ato shërbime është me impakt pozitiv për ekonominë dhe ju propozoni që ne t’u themi jo, do futesh në atë garë ku të themi ne. Në këtë kuadër ligjor që ne kemi, mund ta ndryshoni nëse doni, mund të kishte kontrata koncensionare edhe më të mira, me kushte edhe më të mira ndaj qytetarëve, por unë do thoja që të shikojmë e shqyrtojmë pak më gjërë edhe në këndvështrimin e detyrimit si politikëbërës. Nëse ju keni pretendime se ato kontrata nuk janë zbatuar, jam gati të përgjigjem” tha Haxhinasto.
Ai theksoi se opozita po kërcënon investitorët duke theksuar se do të prishë kontratat koncesionare kur të vijë në pushtet.
“Natyrisht që ka probleme, por duhet të keni edhe kurajon se çfarë është bërë me to. Ka pasur edhe penalitete për heqjen e licencave. Ka dhe një numër tjetër masash që Ministria e Ekonomisë i ka inicuar dhe vazhdon t’i inicojë. Natyrisht që nuk mund të hidhemi direkt në prishjen e tyre, por do ndjekim hapat e ligjeve. Mund t’i çoni ankesat tuaja edhe per procedim ligjor, por ju lutem, mos spekulloni. Mos i dekurajoni investitorët e huaj me prishjen e koncensioneve që thoni, sepse i bëni dëm në radhë të parë, qytetarëve që i privoni nga punësimi” tha Haxhinasto.
Menjëherë pas fjalës së ministrit, deputeti Braçe theksoi se qeveria nuk bën transparente të adhurat e koncesionit nga miniera e Bulqizës.
“ Ju nuk thatë që dëmi arrin 6 milionë dollarë vetën në një të tretën e kontratave të kontrolluara. Ministri nuk thotë se 40 milionë euro nuk janë investime, por janë subvencione që do i merren qytetarëve dhe do i jepen KESH-it. Ligji është i qartë që kontratat duhen prishur. Kalojmë tek kromi, Bulqiza. Bulqiza është pasuria më e madhe minerare e shqiptarëve, pse fshihen të ardhurat e koncensionit? Ajo ka 12 vjet që është me humbje dhe tërë këto vite është tregtuar. Bulqiza ka bërë pronarë shumë vetë që e kanë zhvatur. Marrëveshja parashikonte mbi 20 milionë dollarë, deri sot janë realizuar jo më shumë 7.9milionë dollarë në 12 vjet” tha Braçe.





