TIRANE, 25 mars 2013- Ashtu sikundër ka bërë në çdo seancë plenare, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i kërkoi edhe sot opozitës të votojë tre ligjet që sipas saj, po mbajnë peng marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. 

Topalli u bëri thirrje deputetëve të opozitës të mos mbeten peng i vendimeve të kryetarit të tyre, por të kontribuojnë për të ardhmen evropiane të vendit. 

Duke iu referuar peticionit të firmosur nga një grup intelektualësh, që i kërkonin kryetarit të PS-së të lejonte deputetët e opozitës të votonin 3 ligjet në Kuvend, Topalli përmendi zonjën Evis Kushi si një ndër firmëtarët e këtij peticioni, që tashmë konkurron për PS-në në qarkun e Elbasanit.

Sipas Topallit, ishte pikërisht Edi Rama që e quajti specie në laboratorin e Enver Hoxhës, Znj.Kushi kur firmosi peticionin, ndërsa një ditë më parë e prezantoi si kandidate të PS-së në Elbasan. 

"Do të vijë Evis Kushi, kandidate për deputete në qarkun e Elbasanit e propozuar një ditë më parë nga z.Rama dhe do t'i votojë, por ju s'do jeni", – iu drejtua Topalli deputetëve socialistë.