TIRANE, 25 mars 2013– Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla ka deklaruar sot se është i nevojshëm perfeksionimi i teknikave të hetimit.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me penalistin me famë botërore Sheriff Basuini, kryeprokurori Llalla theksoi gjithashtu se faktorë të tjerë të jetës së një vendi, pavarësisht rolit të tyre të pazëvendësueshëm, nuk mund dhe nuk duhet të luajnë rolin e prokurorit apo gjyqtarit.
“Mbetet sfidë e vazhdueshme lufta kundër krimit të organizuar, i cili zhvillon veprimet e tij krahas forcimit të legjislacionit penal. Shqipëria është tashmë një vend i hapur dhe mundësitë për penetrimin e elementit kriminal ndërkombëtar është i madh. Nga ana tjetër, edhe krimi i brendshëm, është i pranishëm dhe ndikon në opinionin publik. Kohët e fundit jemi dëshmitarë të disa ngjarjeve, që dëshmojnë se elementët kriminalë synojnë të sfidojnë shtetin. Për këtë arsye, është shumë i nevojshëm përmirësimi dhe perfeksionimi i teknikave të hetimit, të cilat janë veprime ekskluzive të institucioneve të drejtësisë dhe këto struktura janë të angazhuara në forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Faktorë të tjerë të jetës së një vendi, pavarësisht rolit të tyre të pazëvendësueshëm, nuk mund dhe nuk duhet të luajnë rolin e prokurorit apo gjyqtarit. Këta faktorë janë të mirëpritur të ushtrojnë presion pozitiv mbi punën e institucioneve të drejtësisë dhe të jenë bashkëpunues konkret. Por, në disa raste të veçanta, zelli i tepruar për të bërë gjyqtarin apo prokurorin, krahas faktit që mund të dëmtojë hetimet, mund të arrijë deri në atë masë që të këpusë fillin e hollë që ndan etikën me ligjin” deklaroi Llalla.
Ndonëse institucionet e drejtësisë paguhen me taksat e qytetarëve që të dënojnë elementët keqbërës, Llalla nënvizoi se çdo faktor i jetës shoqërore ka detyrimin moral të ofrojë mbështetjen e tij.
“Këto janë parime në një shtet demokratik, parime globale, që ashtu si edhe të tjera, duhen pranuar si të tilla” tha ai.
Ndërsa penalisti Sheriff Basuini theksoi se për të luftuar korrupsionin nuk është i nevojshëm vetëm angazhimi i inistitucioneve të drejtësisë por i të gjithë shoqërisë shqiptare.
“Duhet një sistem që të bazohet në integritetin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Por të të luftuar korrupsonin dhe kriminalitetin duhet të impenjohet e gjithë shoqëria.Shqipëria ka pasur një progres të theksuar në luftën kundër kriminalitetit. Ne jemi të kënaqur që mund të kontribuojë në zhvillimin e drejtësisë në Shqipëri” tha Basuini.





