DURRES, 25 mars 2013- Sulmohet dhe goditet sërish biznesmeni Muharrem Hoçja. Konflikti për një borxh prej 15 mijë eurosh, për pak sa nuk i ka kushtuar jetën 50-vjeçarit, i cili ka mbërritur në Spitalin Ushtarak të Tiranës në gjendje kome. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit, bëjnë me dije se Hoçja (ish-nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Krujës) është masakruar me shkop bejsbolli nga fqinji i tij 26-vjeçar, Alfred Tuci. Ndërkohë, blutë kanë vënë në pranga autorin e krimit, i cili akuzohet për "Plagosje të rëndë me dashje". Vetëm dy muaj më parë, u hodh në erë me tritol dyqani në pronësi të biznesmenit të njohur krutan. 

NGJARJA

Rreth orës 13:00 të ditës së djeshme, Muharrem Hoçja është përballur me fqinjin e tij, Alfred Tuci, në shkallët e pallatit ku ata banojnë (ndodhet në qendër të qytetit të Krujës). Sipas burimeve policore, 26-vjeçari ka dalë nga banesa e tij me një shkop bejsbolli, sapo kishte parë që Hoçja kishte parkuar automjetin dhe në orarin e drekës do të futej në banesë. Mësohet se biznesmeni ishte në konflikt të hershëm me të riun, pasi ky i fundit nuk i kishte shlyer një borxh prej 15 mijë eurosh. Sipas hetuesve të çështjes, muajt e fundit, biznesmeni i kishte kërkuar disa herë Tucit që t'i shlyente borxhin, ndaj sapo janë gjendur përballë njëri-tjetrit, ata janë konfliktuar ashpër. 50-vjeçari i ka thënë fqinjit të tij që të mos i dilte më para syve pa i dhënë paratë. Ndërsa, 26-vjeçari i është përgjigjur se borxhin do t'ia shlyente, por për momentin nuk kishte para. Pas debateve dhe sharjeve, konflikti ka degjeneruar në përleshje. Burimet e mësipërme sqarojnë se Alfred Tuci e ka goditur disa herë me shkop bejsbolli në kokë dhe në trup biznesmenin Muharrem Hoçja, dhe më pas është larguar me shpejtësi. Për pasojë, 50-vjeçari është plagosur rëndë. Ai është dërguar në gjendje kome në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore. Mjekë të këtij spitali, shprehen se vetëm pas 5 orësh, Hoçja ka dalë nga rreziku për jetën. 
 

ARRESTIMI

Pas ngjarjes, efektivat blu të Krujës kanë mundur të vënë në pranga Alfred Tucin. Policia nuk ka sqaruar ende çështjen e borxhit prej 15 mijë eurosh të marrë nga 26- vjeçari, i cili banon në pallatin e ndërtuar nga biznesmeni. Pritet që hetuesit të marrin në pyetje 50-vjeçarin e plagosur Muharrem Hoçja, për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Paraprakisht mësohet se Hoçja, i cili është ndërtues, disa vjet më parë i ka shitur një apartament familjes Tuci dhe 26-vjeçari nuk ka shlyer ende shumën prej 15 mijë eurosh.

 

/k.h. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/