TIRANE, 20 mars 2013– Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ka kërkuar nga organet kompetente gjykim të shpejtë dhe profesional për të gjithë ata që kryejnë krime ndaj të miturve.

Reagimi i KSHH-së ka ardhur përmes një deklarate për shtyp, ku ky Komitet, pasi dënoi aktin kriminal dhe çnjerëzor të Prrenjasit, kërkoi gjykim të shpejtë dhe profesional.

Tashmë ndjekja e tij penale ka filluar dhe siç duket hetimet do të përfshijnë edhe verifikimin e të dhënave të tjera, të bëra publike nga mediat, të cilat hedhin dritë për faktin se i akuzuari është përsëritës, disa herë, në këtë lloj krimi.” 

“Komiteti Shqiptar i Helsinkit bashkohet me indinjatën e thellë, të shprehur nga familjarët e fëmijëve të dëmtuar dhe mbarë opinioni publik, si dhe me kërkesën e tyre për hetimin dhe gjykimin e shpejtë e profesional të autorit të këtyre krimeve.”,vijon njoftimi. 

Gjithashtu, KSHH, shprehu shqetësim për rritjen e krimeve ndaj të miturve si dhe i bëri thithje strukturave të shtetit që të bëjnë më shumë punë për parandalimin e këtyre rasteve. 

“Në këto rrethana mendojmë se situata kërkon një vëmendje më të madhe nga strukturat e shtetit, nga familjet dhe e gjithë shoqëria dhe studime te thelluara e shumëplanëshe në këtë drejtim.”

 Megjithatë është pranuar nga të gjithë se edukimi, informimi i të miturve dhe komunikimi me ta, janë faktorë të rëndësishëm për parandalimin e ngjarjeve të tilla kriminale dhe ndërgjegjësimin e të miturve për të mos rënë pre e keqbërësve."

"Rezulton evidente edhe nevoja për një analizë të thelluar e situatës nga organet e drejtësisë, sepse rastet e fundit evidentojnë qartazi nevojën për rritjen e kapaciteteve investiguese, proceduese dhe gjykuese të çështjeve penale të kësaj natyre, me qëllim që ky kriminalitet të zbulohet, procedohet dhe gjykohen shpejt, pa cenuar parimin e procesit të rregullt dhe duke aplikuar dënime që janë në përputhje me rrezikshmërinë e veprës dhe të autorit të saj.", shkruhet në deklaratë.