TIRANE, 20 mars 2013– Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e nisi vizitën zyrtare në Britaninë e Madhe mori mbështetjen me një pritje të veçantë rezervuar nga Kryetari i Dhomës së Komuneve, John Bercow. E ftuar nderi nga kryetari Bercow, Topalli mori pjesë në takimin konfidencial të forumit më të lartë të vendimarrjes të Dhomës së Komuneve, ku vendoset axhenda e punimeve parlamentare.
Mbretëria e Bashkuar, vend me demokraci e parlamentarizëm shumëshekullor, një fuqi e madhe botërore ekonomike dhe politike i ka dhënë në vijimësi mbështetje Shqipërisë, jo vetëm në partneritetin në NATO, por edhe në procesin e integrimit europian.
Për këtë, kryetarja e Kuvendit gjatë takimit me z.Bercow shprehu mirënjohjen, duke theksuar interesin për dinamizim të bashkëpunimit në të gjitha fushat. "Të gjitha forcat politike në parlamentin britanik mbështesin thellësisht integrimin e Shqipërisë në BE dhe ne shpresojmë që kjo të ndodhë sa më shpejt", tha Bercow.
Qeveria britanike ka pasur një rol shumë aktiv për pavarësinë e Kosovës, nxitjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe për perspektivën e tij evropiane. "Ruajtja e vëmendjes ndaj Ballkanit Perëndimor në këtë kohë sfidash për BE-në është një mesazh shumë i qartë inkurajimi për të vazhduar në rrugën e reformave të thella që kanë transformuar vendet dhe shoqëritë tona", u shpreh kryetarja Topalli.
Sipas saj procesi i anëtarësimit në BE përbën një interes kombëtar strategjik për Shqipërinë dhe shqiptarët.
"Rekomandimi i KE-së për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, pas miratimit të tre ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar në Parlament, përbën një njohje dhe inkurajim të progresit të shënuar dhe një arritje të gjithanshme të shoqërisë shqiptare në rrugën e integrimit evropian".
Topalli tha se pavarësisht se ky është një vit elektoral, axhenda e integrimit do të ndiqet me përparësi. Jemi thellësish të angazhuar, tha ajo, për të realizuar zgjedhje të lira, të drejta e transparente me standardet më të larta europiane.
Duke vlerësuar faktin se ka shumë kompani të suksesshme britanike që operojnë në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit shprehu interesin për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjen e investimeve britanike në Shqipëri, kryesisht, në privatizimin e sektorëve strategjikë si në atë të energjetikës, industrisë së naftës, sektorit të minierave dhe të turizmit.
Topalli tha se për të garantuar vijimësinë e rritjes ekonomike si dhe thithjen e investimeve të huaja, një paketë e re fiskale e paraqitur nga qeveria do të nis shqyrtimin në Parlament duke synuar një frymëmarrje më të madhe për biznesin, ekonominë, krijimin e vendeve të reja të punës etj.
Zoti Bercow pasi shprehu edhe një herë mbështetjen e Britanisë për Shqipërinë dhe procesin e saj integrues në BE, tha se kontaktet më të shpeshta si në nivel kryetarësh apo komisionesh parlamentare i shërbejnë forcimit të bashkëpunimit midis dy parlamenteve për shkëmbimin e pervojave, forcimit të miqësisë por edhe bashkëpinimit në nivel europian.
Kryeparlamentarja ftoi z. Bercow për një vizitë në Shqipëri, ftesë që kryetari i Dhomës së Komuneve e priti me shumë kënaqësi.





