TIRANE, 20 mars 2013- “Rruga  e kosovarëve ” e cila lidh një zonë shumë të populluar të Tiranës, “Komunën e Parisit” me parkun e Liqenit Artificial, duke vijuar me tej me Unazën e Re së shpejti do të ketë përmasat e një bulevardi.

Gjatë inspektimeve të punimeve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha tha se ky është momenti i parë në të cilin Bashkia po merret seriozisht me implementimin e këtij projekti i cili ka qenë në planet e Bashkisë për t’u ndërtuar 8 vite më parë.

“Kjo rrugë  është një pjesë e rëndësishme e jetës së mbi 10 mijë banorëve të  kësaj zone, pasi është arteria e tyre e vetme pedonale, (këmbësore) që i lidh me parkun e Liqenit, ndërkohë që funksionon si arterie lidhëse për mbi 25 mijë banorë të tjerë që jetojnë në këtë zonë dhe që mund të kenë akses në park apo kanë akses në park, duke ecur në këmbë. Vura re me shumë kënaqësi se banorët mezi e presin ndërtimin e kësaj rruge, e cila faktikisht ka qenë në planet e Bashkisë për t’u ndërtuar për mbi 7 apo 8 vjet por me sa duket ky është momenti i parë në të cilin Bashkia po merret seriozisht me implementimin e këtij projekti”  u shpreh kreu i Bashkisë Lulzim Basha.

Në këtë rrugë me gjatësi 570 metra do të ndërtohet sistemi i kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, ujësjellësi,do të ketë ndriçim rrugor si dhe do të mbillen mbi 140 pemë.

Gjithashtu Basha ka premtuar se pavarësisht kohës së paqëndrueshme në të cilën kanë nisur punimet në infrastrukturën  e Tiranës këto punime do të përfundojnë brenda afatit të përcaktuar në kontratë.