Më shumë se 90 biznese në plazh janë me pronarë maqedonas e kosovarë

Katër vëllezër shqiptarë nga Gostivari i Republikës së Maqedonisë janë ndër të parët që ngritën e ndërtuar lokale në zonën bregdetare të Plazhit të Durrësit duke nxitur kështu zhvillimin e turizimit. Çdo pushues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia apo edhe turistë të huaj që kanë qenë së paku një herë në plazhin e Durrësit e kujtojnë shumë mirë lokalin “Besa e Gostivarit”. Vëllezërit Ismaili kanë afro 20 vite që punojnë familjarisht në restorantet, piceritë dhe qebaptoret e hapura me investimet e tyre. Në sajë të emrit shumë të mirë të fituar me punë e përkushtim sjellin çdo vit pushues nga trevat shqiptare të Maqedonisë dhe Kosovës, ndërkohë që kuzhina e tyre pëlqehet dhe frekuentohet edhe nga ambasadorë e politikanë vendës e të huaj. Rami Ismaili, pronari i piceri “Besa e Gostivarit” tregon se kuzhina e tyre gatuan ushqime tradicionale shqiptare, kuzhinë enkas për shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë dhe shumëllojshmëri artikujsh të tjerë për turistë e ambasadorë.

Jeni ndër të parët që keni hapur restorant e piceri në Plazhin e Durrësit. Si ka ecur aktiviteti juaj?

Kemi ardhur këtu në Durrës në vitin 1993. Brenda këtyre viteve kanë ndërruar shumë gjëra aq sa është e vëshirë të krahasohet. Çdokush që ka qenë këtu në atë vit dhe që vjen sot e ka të pamundur të orientohet, pasi janë bërë shumë ndërtime, pallate, lokale, biznese. Zona është tërësisht e transformuar. Në një farë forme edhe unë e vëllezërit e mi së bashku me familjet tona që jetojmë prej 20 vitesh këtu jemi rritur me këtë zonë. Kemi parë se si zhvillohej me vrull. Në hapat e para vështirësitë kanë qenë të shumta. Shqipëria nuk kishte traditë në drejtim të aktivitetit privat, qytetarët ishin të paorientuar fare në sektorin e turizmit, mungonte infrastruktura.  Vuanim për ujë e drita, për furnizim me artikuj të domosdoshëm. Kur erdhëm ne, nuk kishte asnjë lokal. Ishin disa kioska dhe kaq. Morëm një lokal me qera dhe investuam shumë. Filluan të vijnë klientët e parë dhe falë shërbimit dhe cilësisë së kuzhinës sonë numri i tyre sa vinte e rritej.

Duke qenë ndër të paktat lokale, gjatë sezonit të plazhit kishim shumë punë. Meqenëse ishin ndër të parët shqiptarë të Maqedonisë që erdhëm këtu, u bëmë edhe si pikë referimi e qindra e mijëra pushuesve të tjerë nga Gostivari, Tetova, Struga, Dibra, Shkupi, Kërçova, Manastiri, Kumanova e Prilepi. Por edhe sot pas 20 vitesh ne jemi pikë orientimi edhe për pushues të shumtë nga Kosova. Para se të nisen ata telefonojnë për akomodim. Ndodh shumë shpesh që të vijnë vetëm gra e fëmijë, apo të moshuar dhe ne jemi bërë të besuar për kujdesin që tregojmë ndaj tyre për t’u garantuar pushime të qeta. “Besa e Gostivarit” është rekord në sjelljen e pushuesve nga Maqedonia në Durrës. Pushuesit vijnë se kanë adresë dhe kjo është e rëndësishme për çdo familjar. Nëse ne do të shpërngulemi, atëherë jam i bindur se këta pushues mund të shkojnë diku tjetër, p.sh në Vlorë, Sarandë a diku. Gjatë verës kemi shumë punë dhe shtojmë personelin e shërbimit.

E keni nisur me një lokal aktivitetin në Plazhin e Durrësit, tani keni katër të tillë…

Gjatë verës kemi në aktivitet katër lokale, kurse këtë restorant-piceri e mbajmë të hapur gjatë gjithë vitit. Ne shërbejmë si familje: burrat, prindërit, gratë, djemtë e vajzat, ndërsa kemi të punësuar sezonal edhe vendës. Unë e vëllezërit e mi Isaku, Besarti e Armend Ismaili kemi ardhur të rinj, kemi krijuar familjet tona, na janë rritur djemtë dhe punojmë së bashku. E kemi zgjeruar aktivitetin, pasi kështu e kemi parë të arsyeshme. Secili lokal ka një të veçantë. Njëri është piceri, tjetri restorant. Kemi ndërtuar edhe hotelin. Kështu punët na janë shtuar. E administrojmë mirë dhe çdo gjë ka ecur mbarë. Jemi të gjithë të kënaqur. Punojmë e fitojmë. Bizneset tona paguajnë të gjitha detyrimet. Vijnë shpesh për kontroll tatimet dhe shëndetësia. Ndodh që kontrollet të vijnë edhe nga Tirana. Kemi marrëdhënie shumë të rregullta me institucionet e mësipërme. Ndodh që ata i sjellin vetë ekipet nga ministria për të parë cilësinë e kuzhinës, pastërtinë, çertifikatat, dokumentacionin tatimor e të tjera.

Çfarë mendoni se e shtyn pushuesin, qytetarin apo turistin të rivijë në lokalin tuaj apo edhe të porosisë tryeza me asortemente të kuzhinës suaj?

Që një biznes turistik të mbijetojë në konkurencë duhet të afrojë edhe diçka specifike. Kuzhina është ajo që bën dallimin. Ne kemi gatimet tona tradicionale. Gullashi si gatim për herë të parë në Durrës është sjellë nga ne. Nuk është tasqebapi që bëjnë vendësit, ndryshon shumë. Gullashi vjen si gatim me prejardhje nga Hungaria dhe në Maqedoni pëlqehet jashtëzakonisht. Erzat me të cilin e gatuajmë vijnë nga Turqia, pra nuk është ushqim dosido. Gatim tjetër tradicional është piskavica e Sharit e cila njihet në të gjithë Evropën për të mos thënë edhe më gjerë. Shqiptarët në Maqedoni janë shumë të përhapur në vende të ndryshme dhe atje kryesisht merren me kuzhinë. Kjo ka bërë që emri i piskavicës së Sharit të ndihet gjithandej. Kushina jonë ka 90 artikuj dhe gatuajmë ushqime tradicionale maqedonase, kosovare, shqiptare, turke, italiane… pra kemi edhe gatime për të huajt.

A vijnë në lokalin tuaj edhe turistë të huaj?

Po. Vijnë turistë nga shumë vende. Duke pasur aktivitet prej 20 vitesh kemi mundur të bëhemi të njohur jo vetëm për vendasit e pushuesit shqiptarë. Këtu në restorantin e picerinë tonë vijnë rregullisht ambasadori gjerman, hungarez, turk, maqedonas dhe personeli i ambasadave të tyre. U pëlqen ushqimi, lokali, shërbimi. Ndodh që hyjnë në kuzhinë dhe shohin për disa minuta se si gatuhet porosia e tyre. Kështu kalojnë kohën duke u argëtuar. Nuk mbajmë ushqime të gatshme. Vjen klienti, porosit dhe ne gatuajmë. Pra gjithçka është e freskët. Kemi jo pak raste që këta ambasadorë prenotojnë që nga Tirana drekë a darkë. Ata janë njerëz të thjeshtë dhe kënaqen në një mjedis me qytetarë të ndryshëm apo pushues. “Besa e Gostivarit frekuentohet edhe nga deputetë shqiptarë, kosovarë e maqedonas. Më shpesh vijnë Menduh Thaçi, Nevzat Halili, Talat Halili, Arbën Xhaferi.

Vijnë shumë biznesmenë, grupe artistësh, piktorë e poetë. Kjo na ka bërë të ndihemi mirë përballë konkurencës. Prioritetet i shohim tek vetja, tek rregulli, cilësia, higjena, edukata e mirësjellja me klientët. Nuk jemi thjeshtë restorant. E rrisim vetë lopën, delen, viçin në Gostivar. E marrim, e presim dhe e gatuajmë sipas porosive. Tregojmë shumë kujdes për çdo gjë. Kemi rast që marrim artikujt jashtë vendi. Dje më erdhi nga Tetova një pluhur me përzierje të disa lloje aromash, erëzash. Ne i themi qebap. Prodhohet në Kroaci. E porosisim me telefon. Ne e vlerësojmë çdo gjë duke i kushtuar kujdesin e duhur. Qoftet që bëjmë me këtë lloj pluhuri ushqimor kushtojnë 50 lekë, kurse qoftet e vendësve kushtojnë 20 lekë. Ato dallojnë në çmim, por para së gjithash në cilësi. Pushuesi, turisti, klienti kërkon ushqim cilësor dhe kjo na ka dhënë shumë mundësi të ecim përpara. Kemi punuar, fituar dhe investuar.