Personalisht më duket e habitshme sesi ligjvënëset shqiptare qëndrojnë kaq indiferente duke mos mbrojtur në rradhë të parë veten e tyre dhe femrat e tjera që do të aspirojnë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të ulen në karriken e deputetes. Në rradhët e grave shqiptare mungon një lobim i fortë që do t’i jepte një zhvillim të ri lëvizjes feministe në vend që për të qenë plotësisht të sinqertë duket se mungon ose është gati-gati inaktive

Javën e kaluar ndryshimet në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë u miratuan në Kuvend me 127 vota pro, dy kundër dhe tre abstenime. Pas një debati të ndezur politik dhe një zvarritjeje disa mujore më në fund dy partitë e mëdha, PD dhe PS gjetën gjuhën e kompromisit. Megjithëse vlen të theksohet fakti se partitë e vogla që përfaqësohen në parlament  shprehën kundërshtimet e tyre për ndryshimet në kod që nuk u heqin dy partive kryesore në mazhorancë dhe opozitë hegjemoninë në politikë ajo që të bën përshtypje është fakti se nuk u dëgjua aspak të flitej për barazinë gjinore dhe shtimin e  përfaqësimit të grave dhe vajzave në listat zgjedhore parlamentare apo ato vendore. Duket se politika shqiptare e predominuar gjithnjë nga meshkujt nuk po u lëshon terren femrave të përfshihen në mënyrë më aktive në politikë dhe në institucionet vendimmarrëse.

Megjithëse në Kodin Zgjedhor, të miratuar në vitin 2008, u përfshi për herë të parë një pikë i veçantë, në nenin 67 ku flitet për “Lista e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive”, e cila u garantonte femrave një pjesëmarrje në nivelin 30% në listat zgjedhore të çdo subjekti politik, kompozimi i sotëm i parlamentit dhe këshillave komunarë dhe bashkiakë tregon më së miri se sa pak u realizua në të vërtetë një dispozitë e tillë ligjore. Po ndërsa në vitin 2008 gratë arritën sadopak të drejta lidhur me përfaqësimin e tyre duket se ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor duket se i tkurrin ndjeshëm këto të drejta. Thuajse një javë para miratimit të Kodit Zgjedhor në Parlament, Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, përmes një letre të hapur drejtuar deputetëve shprehu shqetësimin për diskriminimin që sipas këtij koalicioni po i bëhet grave dhe vajzave në politikë. Në ndryshimet e reja që propozoheshin nga dy partitë kryesore politike vihej re qartë një ndryshim thelbësor në nenin 67, pika 6.

Ndërsa në kodin e mëparshëm shkruhej shprehimisht se,- “Mospërmbushja e njërit prej kushteve të parashikuara në këtë nen në lidhje me përbërjen e listës shumemërore për zgjedhjet në Kuvend, sjell si rrjedhojë refuzimin e listës nga KQZ-ja”, në ndryshimet e Kodit, të miratuara të enjten  në parlament, tashmë Komisioni Qendror Zgjedhor nuk e refuzon më listën  e një subjekti politik edhe nëse ajo nuk zbaton rigorozisht përbërjen e listës shumëemërore. Pra me fjalë më të thjeshta tashmë KQZ-ja nuk reagon nëse një subjekt politik dërgon listën emërore të kandidatëve të tij për zgjedhjet parlamentare pa respektuar raporti gjinor i kërkuar. Duket se hartuesve të Kodit të ri Zgjedhor u është dukur i mjaftueshëm vetëm neni 175 që gjobit subjektet që nuk respektojnë këtë detyrim ligjor për zgjedhjet vendore. Dhe ajo që më bën më shumë përshtypje në gjithë këtë është fakti se femrat deputete nuk e kanë ngritur zërin në këtë drejtim duke u bërë palë me kolegët e tyre meshkuj.

Personalisht më duket e habitshme sesi ligjvënëset shqiptare qëndrojnë kaq indiferente duke mos mbrojtur në rradhë të parë veten e tyre dhe femrat e tjera që do të aspirojnë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të ulen në karriken e deputetes. Në rradhët e grave shqiptare mungon një lobim i fortë që do t’i jepte një zhvillim të ri lëvizjes feministe në vend që për të qenë plotësisht të sinqertë duket se mungon ose është gati-gati inaktive. Megjithë seminaret dhe takimet e organizuara shpeshherë nga vetë ndërkombëtarët apo ku ata marrin pjesë, femrat shqiptare vazhdojnë të mbeten të diskriminuara në një shoqëri që mbetet ende maskiliste me nota të theksuara. Ndërsa parlamenti i tanishëm ka në përbërje të tij vetëm 22 femra nga 140 deputetë që numëron gjithsej ky numër mund të reduktohet ndjeshëm nëse partitë politike nuk do të kenë vullnetin për të zbatuar kuotën e përfaqësimit  me 30% të grave në listat emërore. Tashmë që Kodi i ri Zgjedhor i ndëshkon vetëm me gjobë, gjithçka mund të ndodhë. Urojmë vetëm që të kjo e drejtë që gratë dhe vajzat fituan në 2009, të mos shkelet me këmbë, ndërkohë që aspirojmë të fitojmë statusin e vendit kandidat për në BE.


 

          Letra e hapur

Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, po ndjek me shqetësim punimet dhe rezultat e Komisionit të Reformës Zgjedhore, lidhur me kuotën gjinore në Kodin e ri zgjedhor. Ne kemi përshëndetur të gjitha arritjet që Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore ka pasur në muajt e fundit, por nuk mund të rrimë pa përmendur me keqardhje zhgënjimin tonë teksa shohim se po i njëjti Komision po diskriminon haptazi politikisht gratë dhe vajzat në Shqipëri.

Në ditët e ardhshme përpara jush do të paraqitet projekt-Kodi Zgjedhor, i cili nuk arriti të bëj pjesë integrale të tij dhe të garantojë, të drejtën e grave dhe vajzave për të qenë kandidate të barabarta në zgjedhje, njësoj si edhe burrat. Për më tepër Kodi ka tendenca që t`i diskriminojë në mënyrë të hapur gratë dhe vajzat, për shkak se nuk iu garanton atyre të drejtën për të qenë kandidate të barabarta në zgjedhjet parlamentare dhe lokale.

Sipas të dhënave që ne kemi siguruar, Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore deri tani ka vendosur që të bëjë vetëm dy ndryshime në projekt-Kodin Zgjedhor, të cilat në parim, në vend që të forcojnë zbatimin e kuotës gjinore, të përcaktuar në Kodin aktual, minojnë edhe ato pak arritje që gratë dhe vajzat në Shqipëri kanë gëzuar pas zgjedhjeve të vitit 2009.

Sa për dijeni, Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në botë në lidhje me përfaqësimin e grave në drejtimin e Bashkive/Komunave, ku thuajse 98% e të gjithë drejtuesve janë burra dhe vetëm 2% janë gra. Në të njëjtën kohë, në Kuvendin aktual vetëm 16% e deputetëve janë gra, ndërkohë që 84% janë burra, gjë që e rendit Shqipërinë ndër vendet e fundit në Europë për pjesëmarrjen e grave në politikën lokale dhe kombëtare. Pavarësisht përpjekjeve tona të vazhdueshme, Komisioni i Reformës Zgjedhore jo vetëm që nuk i ka marr në konsideratë këto kërkesa të prezantuara përpara tij në një seancë dëgjimore në muajin Shkurt 2012, por në mënyrë të vazhdueshme ka refuzuar të na presë në një seancë tjetër dialogu dhe për më tepër nuk i është përgjigjur letrave dhe interesit tonë për tu informuar lidhur me hapat që ai ndërmerr për ndryshimet në Kod për kuotën gjinore.