Bashkia kundërshton me forcë formën me të cilën pushteti ekzekutiv kërkon t’ia kalojë ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve
Prej një qershorit të 2011, Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës, me vendim qeverie, duhet t’i kalonte për menaxhim pushtetit lokal, në kuadër të decentralizimit. Por kjo ndërmarrje, me një veprimtari specifike, është e vetmja në Republikë që ende nuk i ka kaluar në varësi bashkisë, që e ka refuzuar disa herë një përgjegjësi të tillë. Shkaqet që nxjerrin titullarët e bashkisë, janë sa politike aq edhe ekonomike. Ndërmarrja ka borxhe të mëdha, menaxhimi i saj bëhet nga Këshilli Bashkiak, ndërkohë një problem tjetër është fakti se duke kaluar prej zonës së Kurbinit deri në Durrës, në një gjatësi prej rreth 45 km, ka kosto tre herë më të madhe se uji që pijnë Tiranasit. Situatën problematike të furnizimit me ujë të pijshëm gjatë sezonit veror në Durrës e ka komentuar edhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, i cili i ka konsideruar shpërthimet e tubacioneve në disa nyje, pasojë e mungesës së investimeve dhe keqmenaxhimit nga drejtuesit e ndërmarrjes.
Në vitin 2009, Ministria e Transporteve i kërkonte Bashkisë së Durrësit nëpërmjet shkresave zyrtare menaxhimin e kësaj ndërmarrjeje nga Këshilli Bashkiak. Ky organ ka të drejtën e zgjedhjes së drejtuesve të ndërmarrjes dhe të menaxhimit të saj, eksperiencë kjo e njohur me menaxhimin e ndërmarrjes së Ujësjellësit në kryeqytet. I pyetur nga “Dyrrah” për këtë çështje Dako, deklaroi se Bashkia nuk do ta marrë asnjëherë në dorëzim Ndërmarrjen problematike të Ujësjellësit, nëse varësia e saj do të jetë nga Këshilli Bashkiak dhe jo nga Bashkia. “Është Këshilli Bashkiak ai që e merr në pronësi transferimin që kërkon qeveria të na bëjë. Nuk është vetëm një njësi Bashkia e Durrësit, por janë 13 njësi aksionere të kësaj ndërmarrjeje.
Me këtë mënyrë transferimi nuk jemi dakord që ta marrim ne në varësi UKD”. Kryetari i bashkisë nënvizon se duhet kryer riorganizimi i Ndërmarrjes aktuale të Ujësjellësit, si ndërmarrje operative që punon për ofrimin e shërbimit të përditshëm të furnizimit me ujë. “Nëse vendos Këshilli Bashkiak atëherë bashkia nuk mund të jetë vetëm financuese e saj, por kërkon të drejta të plota administrative. Paratë për ujësjellësin t’i gjejë bashkia, drejtuesit t’i miratojnë të djathtët, punëtorët t’i menaxhojë Këshilli Bashkiak, fondet për të gjitha projektet dhe problematikat t’i gjejë bashkia. Kjo është e pamundur”,- tha Dako. Pikërisht kjo klauzolë e cila e bën bashkinë financuese të projekteve dhe menaxhuese të problematikës, së furnizimit me ujë të pijshëm, por jo ndërmarrje në varësi të saj, ka bërë që Bashkia ta kundërshtojë marrjen në dorëzim të Ujësjellësit. “Janë disa pika që ne kërkojmë, por mbi të gjitha, faljen e të gjitha detyrimeve që ka ndaj CEZ-it, kërkojmë ndryshimin e statusit të kësaj ndërmarrjeje dhe zgjedhja e bordit drejtues që përcakton titullarin e kësaj ndërmarrjeje të bëhet nga Bashkia dhe jo nga këshillat bashkiakë të 13 njësive vendore.
Kjo ndërmarrje do investime shumë të mëdha, sepse rrjeti i ujësjellësit është i amortizuar e mbi të gjitha uji që vjen nuk plotëson kërkesat e qytetit që popullsia e të cilit rritet çdo vit. Një tjetër problem madhor me të cilin përballet kjo ndërmarrje është kostoja e lartë me të cilin uji mbërrin në Durrës. Për sa kohë që uji në Durrës do të vijë me stacionet e pompimit kostoja e ujit do të jetë shumë e lartë e konkretisht tre herë më e lartë se në Tiranë e në qytete të tjera”,- tha Dako. Kryetari i bashkisë propozon që ndërmarrja të ndahet në dy pjesë, në një ndërmarrje që të merret vetëm me furnizimin, pra të sjellë ujin në depo dhe të jetë ndërmarrje me kapital shtetëror dhe një ndërmarrje tjetër që të merret me shpërndarjen dhe menaxhimin, e cila të jetë private. Sipas kryebashkiakut duhet të zbatohet e njëjta skemë që u ndoq në rastin e furnizimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike. Vetëm kështu mund të ketë zgjidhje afatgjatë për ujësjellësin në Durrës. Sipas kryetarit të bashkisë kjo ndërmarrje nuk do të transferohet pa u plotësuar disa kushte, pasi skema e qeverisë nuk ofron asnjë mundësi që pushteti lokal ta kryejë me sukses këtë punë.
Qeveria nuk ia jep bashkisë së Durrësit në varësi ndërmarrjen e Ujësjellësit, ashtu sikundër shërbimin urban, pastrim gjelbërimin, dekorin, shërbimin funeral, komunalen e plazhit, por varësinë ia lë Këshillit Bashkiak. Ndërkaq disa kërkesa të tjera të bashkisë së Durrësit që duhet të plotësohen nga ana e qeverisë janë: një proces transferimi i drejtë, i hapur dhe transparent i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve tek njësitë e qeverisjes vendore përbërëse, përfshirë edhe Bashkinë e Durrës, për sa i takon implikimeve financiare, teknike e sociale të këtij transferimi. Po kështu, skema e re e menaxhimit është bashkëpunimi mes bashkisë së Durrësit dhe të gjitha komunave e bashkive fqinje. Kalimi i ndërmarrjes nën administrimin e pushtetit lokal është parashikuar si funksion i vetë bashkisë që në vitin 2000 në Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore.