Në librin e tij “Barbarizmi me fytyrë njerëzore”, filozofi francez Bernard-Henri Lévy thekson se socializmi ka lindur në Paris me kryengritjen e punëtorëve në vitin 1848 dhe ka vdekur në Paris me dështimin e lëvizjes anti-kapitaliste të vitit 1968, e vetmja tentativë “revolucioni proletar” në Europën perëndimore të pas luftës së dytë botërore. Sipas Lévy, “sot nuk ekzistojnë më socialistë dhe, nëse do të ishin të ndershëm, të gjithë do të duhej të ndryshonin emrat e partive të tyre”. Filozofi shpjegon me realizëm se të ashtuquajturit “socialistë europianë” janë tashmë “demokratë amerikanë” dhe, duke komentuar fitoren e kohëve të fundit zgjedhore të Partisë Socialiste franceze, mbështet se bashkëatdhetarët e tij ishin thjesht të lodhur me Nicolas Sarkozy dhe se prandaj kanë sjellë në Parlament “të majtën havjar-ngrënëse” të Dominique Strauss-Kahn dhe Jack Lang, personazhe elitarë dhe sigurisht jo të mëshirshëm ndaj klasave popullore.
Është i pamohueshëm se, pas vitit 1990, jo vetëm programet por vetë ekzistenca e partive të majta europiane kanë qenë të kushtëzuara nga e majta amerikane dhe në veçanti nga krahu i saj “liberal”. Ideologjia dhe opinionet “liberal” – pra më radikalet brenda Partisë Demokratike amerikane – dominojnë sot në pothuajse të gjitha mediat botërore, duke përhapur vlera si të drejtat e njeriut – sidomos ato të minorancave, shpesh në kundërshtim me egzigjencat dhe me sensibititetin e mazhorancave – dhe relativizmi kulturor, i arritshëm vetëm përmes një “arsimi global progresist”.
Sot partitë kryesore të së majtave europiane mbajnë emrin e “socialdemokratëve” apo “laburistëve” (në Gjermani, në vendet skandinave dhe në ishujt britanikë), por nuk mungojnë rastet e servilizmit ekstrem si Italia dhe Serbia, ku të majtat kanë kopjuar emrin amerikan të “Partisë Demokratike”. Vetëm Spanja, Greqia, Franca dhe Shqipëria kanë parti të mëdha, me numra për të qeverisur, që quhen akoma “socialiste”. Spanja dhe Greqia kanë justifikim pasi kanë vuajtur diktatura ushtarake deri në vitet Shtatëdhjetë, Franca ka kokëfortësinë e saj ndërsa Shqipëria ka një bazë elektorale shumë konservatore, dhe prandaj një ndryshim tjetër i emrit nuk do të ishte kuptuar nga ish-komunistët. Mbetet fakti se mbiemri “socialist” nuk është më në modë, madje, në veshët e sponsorëve amerikanë tingëllon shumë, shumë keq…
Në Amerikë fjala “socialist” është një fyerje
Për të kuptuar si e gjykojnë “liberalët” amerikanë konceptin e “socializmit”, mjafton të mendohet se akuza më e rëndë drejtuar Barack Obamës – qoftë nga republikanët qoftë nga krahu i moderuar i vetë Partisë Demokratike – është ai i të qënit “socialist”, një term që në SHBA ushtrohet kundër politikanëve ashtu si në Europë mund të përdorim “fashist”, “i korruptuar”, “hajdut”, “i paaftë”, etj. Me pak fjalë, tamam një fyerje. Dhe nga kjo fyerje Obama është mbrojtur fuqishëm, ashtu siç mbështetësit e tij mohojnë kategorikisht se presidenti aktual amerikan është “socialist”, duke pranuar maksimumi që mund të jetë “socialdemokrat”.
Pas tentativës së dështuar për të reformuar sistemin shëndetësor amerikan në 2009, Obama u persekutua nga mediat që e pyesnin për idetë e tij të supozuara “socialiste”. Për të larguar nga vetja këto dyshime të rënda, presidenti ka siguruar se nuk është as i majtë as i djathtë dhe madje, është mburrur për “masat shumë të ashpra për buxhetin e shtetit” të zbatuara prej administratës së tij. Për më tepër ka nënvizuar të ketë “vepruar gjithmonë në përputhje të plotë me parimet e tregut të lirë”, duke iu përkulur publikisht dogmave të Adam Smith dhe Friedrich Hayek, absolutisht të shenjtë për “liberalët”.
Andrew Koppleman, opinionist dhe profesor i Jurisprudencës në Universitetin e Chicago, mbështet se “Obama i përket një lëvizjeje specifike të së majtës anti-socialiste, domethënë socialdemokracia, që pranon ekonominë kapitaliste por kërkon një ndërhyrje të Shtetit për të kufizuar falimentimet dhe ekseset e saj”. Sipas Koppleman, qëllimi kryesor i socialdemokracisë është “përmirësimi i pasojave shpërndarëse të tregut të lirë, duke rishpërndarë pasurinë e prodhuar nga kapitalizmi”. Por profesori nënvizon se socialdemokracia “ka patologjitë e saj” dhe se duhet bërë kujdes me programet e ndihmës sociale për kategoritë më të varfra, programe që shpesh janë të padobishëm, gjenerojnë parazitizëm dhe bëhen një “barrë harxhimi për ekonominë”. Prandaj këto programe “kanë nevojë për kritikë skeptikë”.
Fakti themelor është se, në mentalitetin popullor të SHBA, termi “socializëm” është pikërisht barasvlera e “anti-amerikanizmit”. Është një koncept që ringjall fantazmën e Bashkimit Sovjetik dhe të Luftës së Ftohtë, por sidomos është e kundërta historike e individualizmit mitik mbi të cilin bazohet shoqëria e SHBA. Amerikani i mesëm – ashtu si klasa politike – e konsideron individualizmin si shenjë dalluese e “karakterit amerikan”, kundrejt “kolektivizmit prej deleje” tipik i masave fshatare dhe punëtore të vendeve komuniste. Dhe individualizmi amerikan shfaqet sidomos në dy parime-slogan: i pari është “më pak Shtet, më shumë treg” dhe i dyti është “më pak taksa, më shumë përgjegjësi individuale”. Çdo formë ndërhyrjeje qeveritare në jetën e qytetarëve është e konsideruar si një “kërcënim socialist”. I vetmi rol i Shtetit duhet të jetë promovimi i biznesit privat dhe i tregut të lirë.
Vetë derdhja e taksave shikohet si e papranueshme, pasi duket si hap i parë drejt një sistemi welfare i tipit europian, që amerikanët e gjykojnë “socialist” dhe padyshim falimentues. Debati mbi sistemin shëndetësor rrjedh nga sensi i rreptë i përgjegjësisë individuale që frymëzon shoqërinë amerikane: kush nuk ka para për të paguar një siguracion privat duhet të inatoset me prindërit e vet “të papërgjegjshëm”, të cilët e kanë sjellë në jetë edhe pse të varfër dhe, nga ana e tij nuk duhet të pjellë, duke e ditur se fëmijët e tij do të jetojnë si të varfër dhe nuk do të mundin aspak të marrin shërbime mjekësore. Shoqëria amerikane ka qenë gjithmonë e pasur dhe ekonomikisht kompetitive sepse bazohet mbi përgjegjësinë e qytetarëve dhe jo mbi të drejtat e garantuara nga qeveria. Mbrojtja e sistemit shëndetësor privat është konsideruar si një betejë për shpirtin historik të SHBA.
Fobia amerikane ndaj “socializmit” është kaq e thellë saqë New York Times ka qenë e detyruar të sigurojë demokratët dhe “liberalët” se presidenti i ri francez François Hollande nuk është një socialist i vërtetë. E përditshmja më influente në botë i garanton lexuesve të saj se “me qenë sot socialistë nuk do të thotë asgjë”, duke shpjeguar se socializmi ishte një ideologji e shekullit të XIX, një lloj “marksizmi demokratik” që ka favorizuar transformimin e klasës punëtore në klasë të mesme, por që ka konsumuar funksionin e saj pikërisht për shkak të zhdukjes së klasës punëtore. Për të konfirmuar se socializmi ka vdekur dhe nuk është më i rrezikshëm, New York Times citon fjalët e Joschka Fischer, i cili në rini militonte në të majtën ekstreme dhe sot është anëtar i Partisë së Gjelbër gjermane: “Si lëvizje ideologjike, socializmi nuk është më i gjallë. Sot është thjesht një kombinim i demokracisë, i zbatimit të ligjit (pra transparencë dhe luftë kundër korrupsionit) dhe i sistemit welfare (pra ndihma për imigrantët nga Bota e Tretë)”. Përveç welfare, amerikanët janë dakort me parimet e pakta të Fischer dhe mund të rrinë të qetë pasi “komunistët fëmijë-ngrënës” tashmë janë zhdukur. Sot preferojnë havjarin…
Çfarë presin shqiptarët nga një qeveri e majtë?
Një përqindje e konsiderueshme e shqiptarëve të cilët në zgjedhjet e ardhshme do të votojnë për Partinë Socialiste do të jenë të kushtëzuar nga interesa personale, domethënë nga shpresa për të qenë të shpërblyer për militantizmin e tyre politik, për të gjetur një punë shtetërore apo për të patur avantazhe për biznesin e tyre privat në sajë të “miqësive fituese”. Pastaj është masa e njerëzve të shkretë “pa miq”, ata që nuk kanë as perspektiva as ambicie, por që nga një parti e majtë presin të paktën tre garanci-bazë: ushqime me çmime të ulta, shërbime social-shëndetësore falas dhe punë për fëmijët e tyre.
Fatkeqësisht, nëse këto janë shpresat popullore, atëherë jemi në epokën historike të gabuar. Kush pret garanci për të drejtat themelore (për të ngrënë, për t'u kuruar dhe për të pjellë pa frikën se fëmijët mbesin të papunë) është vetëm duke qarë komunizmin dhe asnjë qeveri e “të majtës moderne” kurrë nuk do të mund të përmbushë aspiratat e tyre. Çmimet e ushqimeve rriten edhe ku ka qeveri të majta; shërbimet social-shëndetësore po bëhen gjithandej me pagesë; dhe slogani botëror është “jashtë maternitetit nuk ka zyrë pune”, domethënë që të bësh fëmijë, t'i mbash dhe t'i japësh atyre një të ardhme është përgjegjësi individuale e prindërve, jo e Shtetit. Mesazhi global, për atë që din të kuptojë, është shumë i qartë. Pra, këto shqiptarë janë “të majtë” apo janë nostalgjikë të komunizmit?
Pastaj ka çështje shumë delikate që lidhen me sistemin e shoqërisë. Dallimi midis progresizmit dhe konservatorizmit, të majtës dhe të djathtës, ishte bazuar gjithmonë në temën e emancipimit të gruas. Komunizmi i Enver Hoxhës ka qenë ai më jo-liberal me femrat, statusi social i të cilave ishte përkeqësuar, sepse nënshtrimit të zakonshëm ndaj meshkujve të familjes dhe barrës së rëndë shtëpiake iu shtua detyrimi për të punuar. Enveri ka censuruar me kujdes idealet e “gjyshes” së feminizmit, Aleksandra Kollontaj, revolucionare leniniste në 1917 dhe gruaja e parë në botë që u bë ministre. Kollontaj ishte mbështetëse e flaktë e “dashurisë së lirë”, qoftë sepse mendonte që martesa përfaqëson një shfrytëzim të gruas, qoftë sepse ishte e bindur që çlirimi seksual ishte një premisë e nevojshme për të krijuar një shoqëri socialiste. Duke censuruar mendimin e Aleksandra Kollontaj, Rosa Luxemburg dhe Clara Zetkin, Enver ka ndaluar me qëllim që shqiptarët të bëheshin “feministë”. Dhe atëherë, a munden shqiptarët e të majtës të mbështetin idetë feministe të së majtës botërore?
Krahu “liberal” i Partisë Demokratike amerikane, i cili mbështet të gjithë të majtat e Europës Lindore, përfshirë Shqipërinë, prezantohet si “e majta e të drejtave të njeriut”, të drejtat e grave në krye, sepse janë gratë amerikane “liberal” që kanë udhëhequr revolucionin seksual botëror në 1968. Sa baballarë, vëllezër dhe burra shqiptar janë dakort me idetë e Aleksandra Kollontaj dhe të “liberalëve” amerikane, por edhe të grave europiane të emancipuara? Sa meshkuj janë gati për një revolucion të vërtëtë seksual? Sa prej tyre janë gati të fshijnë fjalën “e virgjër” nga mendja e tyre? Liria seksuale e grave, duke filluar me mundësinë për “të provuar” një mashkull përpara se të vendosin ta martojnë apo jo, është një aspekt i pashmangshëm i të majtës: duhet llogaritur kjo, para se të deklarosh të jesh “i majtë”.
Dhe pastaj duhen bërë shumë pyetje të tjera të natyrës sociale. Të jesh i majtë do të thotë vënia në diskutim i mitizimit të familjes, duke pranuar që babai nuk është burri më i madh në botë, që mamaja nuk është gruaja më e madhe dhe që fëmijët janë joperfekt si të gjithë qeniet njerëzore. Të jesh i majtë do të thotë dalja nga grupet e mbyllura, frekuentimi i njerëzve nga jashtë bërthamës së shokëve, mos patja frikë nga përballja me të tjerët, edhe pse të ndryshëm nga ne, dhe hapja e mendjes me ide të reja. Të jesh i majtë do të thotë pranimi i zgjedhjeve të jetës dhe zakoneve të ndryshme nga ato tradicionale, do të thotë mos patja turp nga martesa me një femër të divorcuar, do të thotë zgjedhja e lirë për të bërë apo jo fëmijë, do të thotë jeta pa probleme për gay dhe lesbike.
E gjithë kjo do të thotë të jesh me të vërtetë “i majtë”. Përkundrazi, nëse kërkohet vetëm bukë falas dhe punë e garantuar, do të thotë të jesh komunist, dhe kështu totalisht i papajtueshëm me idetë e “liberalëve” amerikanë dhe pra të Partisë Socialiste shqiptare. Kushedi sa shqiptarë janë me të vërtetë “të majtë” pa nostalgji komuniste, apo, përkundrazi, sa e urrejnë Sali Berishën sepse e konsiderojnë si autoritar, apo sepse kanë humbur punën për faj të spastrimeve politike, apo ndoshta sepse kanë antipatinë për të dhe ministrat e tij? Dhe mbi të gjitha, sa socialistë mbështesin në të vërtetë vlerat sociale progresiste? Këto janë pyetje që kushdo duhet t'ia bëjë në intimitet ndërgjegjes së vet.
Sipas filozofit francez Bernard-Henri Lévy, të ashtuquajturit “socialistë europianë” janë tashmë “demokratë amerikanë” dhe, “nëse do të ishin të ndershëm, do të duhej të ndryshonin emrat e partive të tyre”. Në SHBA, termi “socialist” drejtohet kundër politikanëve ashtu si në Europë mund të përdorim “fashist”, “i korruptuar”, “hajdut”, “i paaftë”, sepse “socializmi” është barasvlera e “anti-amerikanizmit”. Individualizmi konsiderohet si simboli i karakterit amerikan, kundrejt “kolektivizmit prej deleje” tipik i vendeve komuniste. Dhe çfarë presin shqiptarët nga socializmi i sotëm? Sa socialistë mbështesin në të vërtetë vlerat sociale progresiste?