Interesat e të rinjve të ditëve tona janë të ndryshme, por përgjithësi interneti është ai që i bashkon të gjithë. Produktet më të reja teknologjike janë kthyer në mani për shumë prej tyre. Mes alternativave libra, aktivitet sportiv, punësim sezonal, kafe me shoqërinë, orë të gjata në internet apo pushime në plazh secili zgjedh atë që i afrohet më pranë interesave të tij. 

Jetojmë në një epokë ku teknologjia është gjithçka. Kjo gjë ka avantazhet e veta. Të gjithë e dimë se në sa e sa mënyra na ka ndihmuar interneti. Përshembull nuk harxhojmë më kredit në celular për të folur me shoqërinë ose me kushurinjtë tonë jashtë shtetit. Shpesh na duket sikur ata janë këtu me ne duke postuar gjithmonë foto dhe video në faqet reciproke. Na ka ndihmuar të shprehim pasionet tona, të promovohemi në to, disave në shkrim, të tjerëve në foto. Disa madje i ka ndihmuar të krijojnë një shoqëri siç se kanë pasur kurrë më parë. Jam pro zhvillimit, sepse është bukur kur gjërat nuk rrinë në vend, por përparojnë, por dhe ky “teknologjifikim” nëse mund ta shpik si term të ri duhet të ketë një masë, një masë për të qënë i pranueshëm. Mendoj se rrjetet sociale duhet të kenë kufizime të forta për fëmijët, sepse është një shkatërrim që i bëhet jetës së tyre e thënë në mënyrë hiperbolike.

Fëmijët dhe adoleshentët më parë

Nisem për të thënë këtë nga fëmijëria ime, nga fëmijëria e brezit tim. E kujtoj me nostalgji dhe natyrisht shumë thonë që brezi i secilit e ka kaluar më bukur, por sinqerisht unë mendoj se fëmijëria jonë pa Iphone, Ipad, laptop, e të tjera si këto ka qënë mjaft e lumtur, E madje mendoj se fëmijëria e prindërve tanë, me ato anë negative të sistemit komunist që i njohin të gjithë, ka pasur gjithashtu çastet e saj të bukura. Kam lexuar pak kohë më parë librin e Viktor Canosinaj “Vite blu” në të cilin përshkruhet fëmijëria e disa fëmijëve durrsakë, ndër të tjera. Fëmijëve të qytetit tim, të brezit të nënës time. Dhe shpeshherë kam shprehur dëshirën të bëja pjesë tek ai brez, dhe pse shumë copëza të kënaqësive të atij brezi i ka pasur dhe brezi im i viteve ‘90. Siç nisa të thoja pak më parë, më kujtohet me nostalgji fëmijëria ime. Kur dilnim nga shtëpia verës në mëngjes dhe u kthenim në orën 21.00 ashtu të pistë, me gjunjë të vrarë, por të lumtur. Ishim të lumtur.

Luanim topaluftash, syllambyllazi, volejboll, me letra e shumë të tjera që i shpiknim vetë dhe ishim vërtet të lumtur. Nuk ishim kaq të etur për para sa fëmijët e sotëm. Kur dilnim poshtë pallatit, ku luanim, e vetmja gjë që mund të shpenzonim ishte ndonjë akullore asokohe 100 lekëshe ose ndonjë nga ato gjërat e tjera që i pëlqejnë fëmijëve. Për festa na dhuroheshin kukulla Barbi me karrocë, biberona ne vajzave ndërsa çunave makina. I merrnim lodrat me vete dhe luanim të gjithë bashkë ose u mblidhnim te shtëpia e njerës prej shoqeve ose shokëve dhe luanim plot dëshirë. Mbaj mend që bënim spektakle, shumë spektakle, shumë prej të cilave i kam prezantuar edhe vetë dhe kishim shumë imagjinatë. Me gjëra të vogla, të cilat sot hidhen, ne ndërtonim skena, vërtet modeste, por të bukura. Visheshim thjeshtë, por ishim gjithmonë të pastër e të bukur. Teksa kalonin vitet në shtepi shikonim ndonjë serial tonin me kukulla të preferuara dhe lexonim libra. Kemi qenë brez që kemi lexuar vërtet, jo sepse na detyronin, por sepse kishim dëshirë. Ose sepse ndoshta nuk kishim gjë më të mirë për të bërë, siç thuhet shpesh, gjë për të cilën unë personalisht nuk jam dakort.

Gjendja sot

Duke ecur në vite shikoj brezin e sotëm. Gjëja që më shqetëson më shumë është që nuk kanë  imagjinatë. “Imagjinata është më e rëndësishme se dituria. Dituria është e limituar. Imagjinatarrotullon botën”,- ka thënë i madhi Ajnshtajn. Fëmijët dhe të rinjtë nuk lexojnë asgjë, madje duan gjithçka gati. Ka programe në internet për gjithçka, për përmbledhjen e një vepre letrare, ka programe për përkthime etj. Ka shumë programe ose në fakt të përmbledhura në një, programe për kontrollin e mendjes. Dhe gjëja më e vogël, përpara se të mendohet është mani të kërkohet në google. Edhe pse mund ta dish, “sëmundja” internet të bën ta kërkosh aty. Një pjesë e të rinjve të sotëm vishen firmato dhe mburren për markat e rrobave të tyre akoma pa filluar të flasin mirë. Ato kanë celularë, Ipad, Ipod, kompjutera nga më të shtrenjtët, të cilët i përdorin për të kryer funksione që mund t’i kryejnë me gjëra 100 herë më të lira. Dita ditës, nuk dalin më të luajnë, pasi kanë lojrat e tyre të shumta elektronike. Një nivel zhvillimi teknologjik, i cili mua vërtet më bën të ndihem keq. Të gjithë jemi pak pjesë e tij, por sensi i masës është ajo që bën diferencën. Aq shumë janë fiksuar njerëzit mbas teknologjisë sa ka filluar të bëhet dhe kërcënim për jetën e tyre. Më habiti e më shqetësoi njëkohësisht një foto që pashë për një ndërtesë në Paris në të cilën shkruhej “Në raste zjarri dilni nga ndërtesa para se ta shkruani në twitter që ka rënë zjarr!”

Erdhi vera

Tanimë është verë. Të gjithë të rinjtë janë pushim, sepse provimet në gjimnaze dhe ato në universitete kanë mbaruar. Të gjithë i meritojnë disa pushime të mira. Por si shfrytëzohen këto pushime? Disa janë në plazhe, disa në shtëpi duke u shplodhur ose në internet. Të tjerë punojnë në verë për të ndihmuar familjet, sepse nuk mund të kalohen 3 muaj çdo ditë në plazh. Është gjë e bukur të bësh diçka të dobishme. Të tjerë janë diku duke lexuar një libër jashtëshkollor ose duke u parapërgatitur për ndonjë provim të vështirë që mund ta kenë të prapambetur. Pasditet janë më të gjalla, është thuajse e pamundur të qëndrosh në shtëpi. Një shëtitje buzë detit, një kafe ose akullore në prani të familjes ose shoqërisë, një natë e gjatë në party në qytet, buzë detit ose dhe jashtë Durrësit. Të rinjtë kanë preferenca të ndryshme për verën. Për disa duhet të jetë pushim total. Për të tjerë është mundësia më e mirë për t’u angazhuar në projekte të ndryshme.



 

Opinione të rinjsh

Ida:Tani po merrem me disa projekte që kanë të bëjnë me fushën e të drejtave të njeriut dhe një tjetër për një konferencë mbi arsimin! Së dyti shkoj te një zyrë avokatie, sepse shkollën e bëj për Juridik. Plazhi mbetet vetëm në fundjavë dhe është gjithnjë i shoqëruar me një libër. Sa për internetin shpenzoj kohë shumë, sepse jam gjithnjë duke kërkuar informazione, por dhe për pushim. Xhirot janë vetëm pasditeve buzë detit, veçanërisht

Enio:Të gjitha nga pak po i bëjmë, plazh, kafe, internet. Shkollën e mbarova dhe me datë 18 kemi ceremoninë e Diplomimit ne të Universitetit të Durrësit

Vanesa:Xhiro jo. Party patjetër, por jo në Durrës. Akoma asgjë interesante. Sigurisht dhe internet, por për pushimet Shqipëria nuk është në listë për shkak të shërbimit të varfër dhe vendeve të pakta

Brenton: Xhiro nuk dal, për kafe po normal edhe në internet patjetër që po! Në party sigurisht, por jo në Durrës. Pushimet normalisht që më pëlqen t’i kaloj jashtë Shqipërisë, sepse ka kushte dhe vende shumë më të bukura për t’u vizituar



 

Çfarë pëlqejnë të rinjtë?

Siç duket dhe nga intervistat interesat e të rinjve janë të ndryshme dhe të larmishme. Në përgjithësi, sidomos djemtë, janë të prirur të kalojnë më shumë orë në lokal sesa duke ecur. Ndoshta kjo vjen dhe si pasojë e temperaturave të larta të këtyre ditëve apo dhe faktit se një pjesë prej tyre përtojnë të ushtrojnë aktivitet fizik. E vetmja mundësi për të lëvizur sipas tyre është palestra dhe puna. Të qëndruarit gjatë në internet dhe mos ushtrimi i aktivitetit fizik sjell obezitet që në mosha fare të reja. Fenomen ky që do luftuar, sidomos tani në verë, pasi ne durrsakët jemi të bekuar se kemi pranë edhe detin. Not dhe vrap buzë detit janë ndër zgjidhjet më të mira pa anashkaluar dhe faktorë të rëndësishëm si ushqimi.