Në këto kushte delegatët me në krye Ismail Qemalin dhe delegatin e Durrësit Dom Nikoll Kaçorrin do të niseshin për në Vlorë, ku ishin njoftuar nga patriotët atje se ishin të mirëpritur… Udhëtimi siç dihet nuk kishte qenë i lehtë, por delegatët e pavarësisë kishin arritur në Vlorë. Përpara se të kryhej evenimenti historik i shpalljes së pavarësisë (me 28 nëntor), delegatët kishin marrë “telegrafisht” lajmet e gëzueshme se disa zona të Shqipërisë kishin ngritur flamurin kombëtar si simbol të mëvehtësisë nga Turqia.
E kjo kishte ndodhur në Elbasan me 25 nëntor, në Durrës (rrethina) me 26 nëntor, në Kavajë, Peqin e Lushnjë me 27 nëntor e tjer.. (Stefanaq Pollo, Në gjurmë të Historisë Shqiptare -1- ,fq.315, botim i Akademise së Shkencave të…Shqipërisë, Instituti i Historisë). Delegatet e pavarësisë dhe pse me mungesën objektive të disa përfaqësuesve të krahinave të ndryshme të Shqipërisë (si Isa Boletini që arriti me një ditë vonesë e tjer), vendosën që me datë 28 nëntor 1912 nga ballkoni i shtëpisë së Xhemil Vlorës, të lajmërojnë “botërisht” se Shqipëria mbas sodit ishte shpallur e lirë dhe e mosvarme…(Akte të Rilindjes kombëtare Shqiptare…po aty, fq.261).
Mjerisht kjo ditë historike që kulmoi me shpalljen e pavarësisë me simbol ngritjen e flamurit në Vlorën e vogël me rreth 5 mijë banorë, nuk na ofron asnjë fotografi origjinale, pasi ato nuk u realizuan në atë fillim mbrëmje të ftohtë me pak shi dhe me një errësirë që shtohej… Fotografitë që na serviren sot janë të ceremonisë së përvjetorit të parë (28 nëntor 1913) të këtij akti, të organizuar nga qeveria… (Këtu bëhet fjalë për fotografitë e pa censuruara e fallsifikuara nga regjimi i dreqnëve të kuq..). Në aktin e nënshkruar të shpalljes së pavarësisë firma e Dom Nikollës është fill mbas asaj të Ismail Qemalit dhe është ndër firmat më me dritë shqiptarie. Vlen të kujtohet se disa nga nënshkruesit e këtij akti madhor nuk dinin të shkruanin shqip e për rrjedhojë e nënshkruajnë turqisht…
Për rolin e rëndësishëm të Dom Nikoll Kaçorrit në ditën e shpalljes së pavarësisë bën fjalë edhe raporti i përfaqësuesit rus Shellkunov i datës 15 dhjetor 1912, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Petërburg, i cili ndër të tjera “tregon” se mbas Ismail Qemalit e kishte marrë fjalën Dom Nikollë Kaçorri, i cili kishte lavdruar trimërinë e popullit shqiptar dhe sakrificat e bëra prej tij për të çliruar atdheun e vet dhe njëkohësisht shprehu bindjen se Shqipëria e re e pavarur do t’i kalonte të gjithë fqinjtë ballkanikë…(S.Pollo, Në Gjurmë të Historisë Shqiptare…po aty, fq.318).
Dom Nikolla, nënkryetari i parë i Qeverisë së parë shqiptare pas 433 viteve
Pas aktit madhor të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kuvendi kombëtar vijoi punimet deri më 4 dhjetor (1912), ku përveç disa vendimeve të rëndësishme organizative, miratoi edhe qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali, me nënkryetar të Qeverisë Dom Nikollë Kaçorrin, i cili përveç aktivitetit të tij adhetar njihet si “bekuesi” i pavarësisë, por edhe si Nenkryetari i parë i Qeverisë së parë shqiptare pas 433 viteve robëri turko-osmane. Aktiviteti si Nënkryetar i Qeverisë shqiptare të Dom Nikollës përshkruhet nga puna e përkushtimi prej atdhetari të kulluar, që i kërkonte maksimumin vehtes në radhë të parë e pastaj kabinetit qeveritarë. Dom Nikolla “emërtesën” e kishte Nenkryetar qeverie, por në shumicën e kohës ai bënte punën e Kryeministrit, pasi Ismail Qemali duke mbajtur edhe postin e Ministrit të Jashtëm ishte vazhdimisht në “udhëtim” nëpër kancelaritë europiane për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë.
Mjerisht në këto kohë Shqipëria ndodhej e pushtuar në rreth dy të tretat e territorit të saj, nga trashëgimia osmane (që po jepte shpirt), serbo-malazezët, bullgarët dhe nga shovenët grekë. Në këto kushte aktiviteti i Dom Nikollë Kaçorrit kishte përveç entuziazmit, edhe shumë zhgënjime. Janë pikërisht zhgënjimet të cilat e bënë Dom Nikollen të japë dorëheqjen nga posti i Nënkryetarit të qeverisë, ku nëpërmjet një letre njoftonte kryeministrin për dorëheqjen me 30 mars 1913.
Dom Nikollë Kaçorri me inteligjencën e tij kishte arritur të kuptonte se anëtarë të rëndësishëm të qeverisë kishin filluar t’ia kishin me hile Shqipërisë, ndaj dorëheqja do ta bënte të lirë në veprimtarinë e tij atdhetare. Në maj të vitit 1913 forcat serbe që kishin pushtuar Durrësin po largoheshin dhe Esat Pashë Toptani kishte iniciuar në Krujë një tubim me përfaqësues të Shqipërisë së mesme e më gjerë (Durrës, Kavajë, Tiranë, Kurbin, Lezhë e tjer..).
Këtu mori pjesë edhe Dom Nikollë Kaçorri, ndoshta duke “gabuar” për herë të parë, gabim që do ta korrigjonte kur me 29 korrik 1913 Shqipëria do të njihej si Principatë autonome nga konferenca e ambasadorëve në Londër. Pas ketij evenimenti turkofilët e kuptuan se Shqipëria nën Stambollin nuk ka të ardhme dhe kolltuqet do t’u shkisnin nën të ndenjurat e tyre, ndaj organizuan rebelimin e vitit 1914, ku në skenë nxorrën një injorant me emrin Haxhi Qamili, i cili në “krye” të turmave nisi një luftë nën flamurin e Turqisë me “sloganin” duam baba-dovletin, sulltanin. (Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike 1897-1942, fq.84-88).
Gjatë këtij rebelimi u shkrumuan fshatra, qytete e deri (me datën 02 shtator 1914) u dogj kisha dhe qela ku banonte Dom Nikolla, si dhe u shkatërrua biblioteka me pallatin Arqipeshkëvnor në Delbinisht, duke shprehur kështu urrejtjen patologjike për gjithçka shqiptare dhe europiane nga rebelqt filoturq. Mjerisht qeveria e Vlorqs kishte dështuar edhe nga dorëheqja plot hije e kryeministrit Ismail Qemali, ku kjo dorëheqje thuhej se kishte ardhur si rezultat i implikimit të tij në tentativën që xhonturqit ndërmorën për të vendosur një princ turk (Ahmet Izet Pashën) në fronin e Shqipërisë. Gjë për të cilën (I. Qemali) u padit nga kushëriri i tij Syrja bej Vlora, Myfit Libohova dhe nga konsulli serb në Vlorë, tek Komisioni Ndërkombetar i Kontrollit.
Me 7 janar (1914), oficeri xhonturk me origjinë shqiptare, Beqir Grebeneja, i cili kishte marrë mbi vehte për të realizuar planin e mësipërm, sapo mbërriti në Vlorë u arrestua nga oficerët hollandezë të KNK-së, ndërsa ushtarët e tjerë që ndodheshin në anije nuk u lejuan të zbarkonin. Në procesin gjyqësor oficerët turq deklaruan se kishin ardhur në Shqipëri me miratimin e kryetarit të Qeverisë së përkohshme për të mbështetur kandidaturën e Ahmet Izet Pashës në fronin shqiptar…
Në gjyq u paraqitën 35 telegramet që ju gjetën Beqir Grebenesë të cilat u zbërthyen dhe u vlerësuan nga Këshilli Ndërkombetar i Kontrollit, ku sipas përmbajtjes së tyre tregonin se Ismail Qemali ishte implikuar plotësisht, pasi do të shkonte për t’u takuar e biseduar diku në Europë me Ahmet Izet Pashën… Por pasi është kuptuar nga Ismail Qemali se Princ Vidi do të vinte patjetër në fronin e Shqipërisë është hequr dorë nga ky takim…(Hasan Bello, gazeta Standard e dt.28.05.2011, fq.14). Gjithsesi ne sot nuk mundemi të paragjykojmë veprimet apo mosveprimet e Ismail Qemalit, por ne po kujtojmë se Dom Nikollë Kaçorri nuk ishte përkulur në rrugën e tij të atdhetarisë.
Me datë 21 shkurt (1914) Dom Nikolla do të ishte një ndër anëtarët më të rëndësishëm të delegacionit shqiptar që do të shkonin në Gjermani për t’i dorëzuar kurorën mbretërore Vilhem von Vidit (Wilhelm von Wiedi-t), (gazeta “Taraboshi”, me 7 mars 1914). Mjerisht kur mbërriti në Durrës me 7 mars 1914 Princ Vidi u përball me rebelimin e turkofilëve, (për të cilët shkruam më sipër), dhe qeverisja e tij ishte tepër e vështirë. Këto vështirësi u shtuan pas vrasjes së arqidukës Franc Ferdinandi me 28 qershor (1914) nga shovenët serbë, ku pas kësaj filloi lufta e parë botërore…
Në shtator do të merrte fund edhe mbretërimi i Princ Vidit, e bashkë me këtë Shqipëria do të bëhej një tokë e “nëpërkëmbur”… Dom Nikollë Kaçorri duke parë edhe gjendjen e tij të rënduar shëndetësore do të largohej për në Vjenë… Mbas vdekjes së perandorit të Austro-Hungarisë Franc Jozefit me 21 tetor 1916 (Shpëtim Sala, Një Perandor në Prizren, fq.5), vendin e tij e zuri perandori 29 vjeçar Karli i Parë. Elita shqiptare duke njohur kontributin e perandorisë Austro-Hungareze ndër mote e shekuj për identitetin shqiptar, përveç ngushëllimit për humbjen përgatiti edhe një delegacion prej 34 vetash, për t’u takuar me perandorin (Karli I), të cilit do t’i uronin hipjen në fron…
Në mes emrave të njohur të këtij delegacioni shqiptar që takuan Perandorin e ri Austro-Hungarez me datë 18 prill 1917 figuron edhe emri i Dom Nikollë Kaçorrit, së bashku me emrat impozant të Malësorëve: Vatë Marashi (Shkrel), Gjelosh Gjoka (Kastrat), Hasan Ahmeti (Postribë), Avdi Kola (Shalë), Dedë Coku (nga Kelmendi me banim në Lezhë), Ndue Gjoni (Orosh)… Në këtë delegacion bënin pjesë edhe Ahmet Zogu (Mat), Hasan Prishtina (Kosovë), Sami bej Vrioni (Berat), Emin Vokopola (Lushnjë), Elez Isufi (Peshkopi), Lef Nosi (Elbasan), Kolë Ujka e Musa Juka (Shkodër) e tjer. (34 emrat e plotë të delegacionit gjenden në gazetën “Vëllazënija” të datës 28 prill 1917)…
Në mes harresës e kujtesës
Atdhetarit e meshtarit Dom Nikollë Kaçorri me 29 maj 1917 i mbaron jeta tokësore. Shpirti i fluturoi drejt qiellit për t’u bërë dritë në përjetësi në kostelacionin e yllësisë së Shqipërisë, ndërsa trupin ia ktheu tokës që ia kishte marrë përkohësisht. Dheu i Vjenës ja ruajti me besnikëri eshtrat, të cilat pushuan në varrezat atje përreth 84 vite, sigurisht një pritje tepër e gjatë për këtë meshtar e atdhetar, pa të cilin çdo jubile i Shqipërisë Europiane do të ishte jo pa një dritë, por pa një prozhektor, që na ndriçon rrugën shpesh të terratisur edhe prej vetë shqiptarëve…
Gjithsesi vlen të kujtohet se gjatë regjimit komunist Dom Nikollë Kaçorri edhe kur “delte” nga harresa e qëllimshme, më shumë përdorej për “inventar historik” se sa si vlerë drite të pashuar atdhetarie… Edhe në vitet e demokracisë kujtesa për këtë meshtar e atdhetar e mundi disi vështirë harresën e trashëguar… Në këto vite në qytetin e Durrësit (në një vend të dukshëm të një lulishteje afër portit) u ndërtua një bust i vlertë…
U kërkua plot 20 vite që të gjindej varri në Vjenë të Austrisë, dhe si për “inat” të “harraqëve” eshtrat e Dom Nikollës u gjetën të mbeshtjellura me flamurin kombëtar shqiptar… Me 13 shkurt 2011 arkivoli me eshtrat e Dom Nikoll Kaçorrit u vendosën në kishën-katedrale të Shën Luçisë në Durrës, ku u tha mesha solemne nga Kryeipeshkëvi i Durrësit e Tiranës imzot Rrok Mirdita. Në homelinë e meshës së rivarrimit do të merrnin pjesë edhe autoritete shtetërore dhe qeveritare me në krye kryeministrin e Shqipërisë Prof. dr. Sali Berishën…
Në këtë shkrim menduam të sjellim në vemendje edhe fjalët vlerësuese (të asaj dite), të kryeministrit dhe Kryeipeshkevit… Kryeministri, në fjalën e tij, ndër të tjera do të thoshte: ”…Jemi në këtë ceremoni kishtare për t’u përulur me nderim të madh, për të shprehur së bashku me të gjithë shqiptarët, mirënjohjen më të thellë, ndaj një prej burrave më të shquar të historisë sonë kombëtare arkitektit kryesor të pavarësisë së vendit Dom Nikollë Kaçorri, por edhe njërit nga themeluesit e alfabetit shqiptar bashkë me Atë Gjergj Fishtën e motrat Qirjazi, që i dhanë alfabetit vokacionin shpirtëror të kombit shqiptarë… Dom Nikolla është dhe do të mbetet shenjtori i pavarësisë së kombit shqiptarë”…
Ndërsa Kryeipeshkëvi Imzot Rrok Mirdita do të kujtonte se : “…Dom Nikollë Kaçorri qëndron në themelet e Shtetit Shqiptar dhe është njëri ndër gurët e mëdhenj themeltar të atyre themeleve që për natyrën e tyre janë të padukshme, por të domosdoshme, pse mbi to qëndron e mbështetet e tërë godina, Shteti i ndërtuar mbi të, prandaj pa këto themele nuk mund të ekzistojë “. Gjithsesi për një personalitet kaq të madh e të rëndësishëm për pavarësinë e shtetin shqiptar njëshekullor si Dom Nikollë Kaçorri, çdo vlerësim duket i paplotë…
Paç dritën e pambarueme Dom Nikollë Kaçorri, ti atdhetari e meshtari që luftove me pushkë e bekove me kryq për pavarësinë e Shqipërisë…