Mjekja reumatologe, Fatbardha Reka, prej shumë vitesh i është përkushtuar profesionit të saj, por njëkohësisht është angazhuar politikisht që në vitet 90 pranë formacioneve të majta. I pëlqen të theksojë se i përket së vjetrës në aspektin e detyrimeve familjare, pasi ka arritur të ndërtojë dhe të mbajë një familje shumë tradicionale, por nga ana tjetër nuk lë pa kujtuar se ka bërë një jetë shumë moderne. 

E ndarë mes profesionit, bindjeve politike e angazhimeve familjare ajo thotë se është përpjekur që asnjëherë të mos lërë pas dore angazhimet shoqërore. Ndërsa rrëfen se i hyri rrugës së mjekësisë pa e ditur realisht se sa sakrifica do të duhej të bënte për hir të profesionit nënvizon se nëse një punë e bën me përkushtim dhe dëshirë, ndjen një shtysë së brendshme shpirtërore për t’u rritur profesionalisht. Megjithëse është prej mëse 15 vitesh në ambientin politik durrsak pranon se për një femër nuk është e lehtë t’i hyjë rrugës së politikës dhe të vlerësohet e respektohet aty. 

Sa e vështirë është të jesh një mjeke dhe një grua në karrierë në ditët tona dhe cilat janë sakrificat që ju keni bërë në emër të profesionit?

Të jesh një grua në karrierë nënkupton në rradhë të parë të bësh sakrificë ndaj vetes, megjithëse dalëngadalë mësohesh me këtë mënyrë të të bërit të gjërave. Në përgjithësi njerëzit identifikohen me profesionin që bëjnë dhe vjen një pikë kur nuk bën dot pa të. Duke u nisur nga vetja unë mund të them se në rradhë të parë unë jam mjeke, jam person publik, sepse jam angazhuar edhe në politikë e pastaj jam grua, jam nënë. Kjo është një sakrificë shumë e madhe për një grua që kërkon të realizojë edhe detyrimet familjare, por dhe ato shoqërore. Për t’i realizuar mirë të dyja këto do shumë mund, shumë zotësi dhe karakter të fortë nga ana e gruas. Unë mendoj se është çështje vullneti, sepse një njeri që i bën mirë gjërat i bën të gjitha. Vërtet i jam përkushtuar profesionit, por nuk kam lënë pas dore as veten, as familjen, as shoqërinë. Kam arritur ta organizoj punën në mënyrë të tillë që të kem kohë edhe për familjen, edhe për shoqërinë, edhe për veten time. Kam dashur gjithnjë edhe të punoj, por edhe të argëtohem, të kaloj një fundjavë të bukur apo të pi një kafe me mikeshat e mia. Unë ju futa rrugës së mjekësisë pa e ditur vërtet se çfarë ishte mjekësia. Në fillim ishte një dëshirë për të ndihmuar të sëmurët, për t’u dhënë këshilla pacientëve, por që pastaj nisi të kthehej në një shtysë të brendshme që të bënte gjithnjë të bëje përpara, të zgjeroje edhe më shumë njohuritë për specialitetin tim.

Për të qenë një mjeke e zonja duhet të informohesh vazhdimisht me zhvillimet më të fundit në fushën tuaj. Sa kohë ju ha kjo gjë nga jeta juaj?

Të merr vërtet shumë kohë, por ama dua të them se është një kohë që ti ia përkushton me dëshirë profesionit, është një kohë që ti e sakrifikon me dëshirë. Ke etje gjithnjë për dije të reja. Në vitet e demokracisë jeta ndryshoi shumë shpejt, u bë më intensive, më e vrullshme. Teknologjia përparon gjithnjë. Biblioteka ime është shumë e pasur dhe unë lexoj përherë me ëndje. Kjo ka bërë që të jem gjithnjë e informuar për zhvillimet më të fundit në profesionin tim. Mësimi i gjuhës së huaj në moshën tonë nuk është e lehtë. Të përdorësh produktet më të reja teknologjike  nuk është përherë e lehtë, por ama kjo gjë të bën të shkosh përpara. Kur hap librin apo kompjuterin qëndroj për orë të tëra para tyre dhe nuk e ndjej kohën që kalon.     

Nëse do të bënit një krahasim mes karrierës që bënte një grua në vitet e regjimit me këtë që bëhet në vitet e demokracisë a ka ndryshime?

Për mendimin tim ndryshim ka dhe do të thoja që është më e lehtë tani të bësh karrierë, kjo ndoshta për faktin se ka ndryshuar shoqëria jonë, që është më e  hapur,  më e emancipuar. Unë ndoshta do isha po kjo që jam edhe nëse do të kishte vazhduar sistemi i kaluar, por ama në atë kohë nuk ekzistonin aspak këto mundësi që janë tani. Tani mund të shkojmë jashtë, të ndjekim të gjitha kongreset e mjekësisë, të bëjmë trajnime të ndryshme, të cilat të rrisin shumë profesionalisht. Ne më parë mësonim me vetëm pesë libra, ndërsa tani ka literaturë mjaft të larmishme. Gjithashtu do doja të theksoja se kur del jashtë shtetit vihesh në kontakt edhe me mënyrën e jetesës në vendet perëndimore, një mundësi kjo që nuk të krijohej në atë kohë. Dhe megjithëse të duket se ndryshon ti në vetvete pëson një metamorfozë. Në të njëjtën kohë shoqëria jonë është bërë më pak e ndjeshme, është civilizuar më shumë.

Prej shumë vitesh punoni në spital. Si do t‘i vlerësoni raportet që keni pasur me kolegët?

Unë kam filluar punë në vitet 89-90 në spitalin e Durrësit dhe do doja të theksoja se në atë kohë ka pasur një plejadë mjekësh të mrekullueshëm, që më vjen keq ta them, por që sot nuk e gjen dot. Ata na kanë qëndruar përherë pranë neve të rinjve, na kanë mbështetur, na kanë ndihmuar. Nuk ka pasur aspak skepticizëm për arsye moshe, por ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë.

Po raportet me koleget m t reja si do t’i vlerësonit?

Unë kam pasur raporte mjaft të mira me koleget e mia. Kemi qenë gjithmonë mikesha të mira dhe gjithnjë kemi marrë dhe dhënë mes nesh. Kam qenë gjithnjë e predispozuar t’i ndihmoj, t’i mbështes apo t’i mësoj, sidomos vajzat e reja që i futen rrugës së mjekësisë.

Krahas profesionit të mjekes ju jeni angazhuar edhe politikisht. Ka qenë më e vështirë të bësh mjeken apo politikanen?

Do të thoja se kjo e dyta është më e vështirë. Të bësh mjeken dhe ta bësh mirë është diçka që varet drejtpërdrejt nga ty. Ndërkohë në politikë nuk është aq e lehtë të afirmohesh. Vërtet ti mund të angazhohesh në një forcë politike, por nganjëherë është e vështirë të të pranojnë, të të vlerësojnë e respektojnë. Ende shoqëria jonë është maskiliste. Hyrja e femrave në politikë nuk është e lehtë, sidomos për të rejat që duan të angazhohen dhe të afirmohen.

Numri i grave të angazhuara në pozicione drejtuese në parti politike, në biznes, në administratën publike etj. ka ardhur duke u rritur vitet e fundit. Sipas jush çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim për t’i dhënë femrës vendin që meriton?

Unë do të theksoja atë që u kam thënë gjithnjë dy fëmijëve të mi. E kam nisur me një shembull të thjeshtë. Nëse e bën mirë detyrën e shtëpisë, do të edukohesh t’i bësh mirë edhe gjerat më të komplikuara që do të të sjellë jeta përpara. Pra, duhet të mësosh të bësh mirë detyrën. Nëse përkushtohesh dhe ke rezultate, rruga hapet vetë. Femrat, por edhe të rinjtë nuk duhet të rrijnë asnjëherë indiferentë, por duhet ë përpiqen dhe të luftojnë jo vetëm për veten e tyre, por edhe për shoqërinë ku jetojnë.