Luljeta Babamusta ia ka përkushtuar jetën e saj shifrave. Në të gjitha pozicionet e punës që ka mbajtur fati i saj ka qenë i lidhur ngushtë me financat e Profarmës apo Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhës ku ka punuar për shumë vite.
Që nga viti 2004 i është përkushtuar mbajtjes dhe nxjerrjes së bilanceve të kompanive të ndryshme private. Si Kontabël i Miratuar kalon me mijëra llogari nëpër duar dhe ashtu siç janë preçise shifrat ashtu është dhe ajo në përgjigjet e saja. Pranon se për t’u realizuar profesionalisht i është dashur të përballet me skepticizmin dhe paragjykimet e meshkujve, por në fund është ndjerë e lumtur që ia ka arritur t’ia dalë mbanë. Për Luljetën shoqëria jonë duhet të bëhet më femërore sepse në këtë mënyrë do të arrijë të gjejë dhe të ofrojë rrugëzgjidhje për problematikat që shqetësojnë sot familjen shqiptare.
Sa e vështirë është të jesh grua në karrierë në ditët tona dhe cilat janë problematikat më të shpeshta me të cilat përballeni qoftë me eprorët apo vartësit tuaj meshkuj?
Të jesh grua në karrierë në ditët tona është tepër e vështirë. Problematikat janë të ndryshme për vetë faktin se një shoqëri, e cila nuk ka të emancipuar mashkullin, është një shoqëri e paemancipuar, për arsye se një mashkull i paemancipuar nuk mund të lejojë të ngrejë kokë një femër e emancipuar. Shoqëria shqiptare ka shumë për të bërë në këtë drejtim pavarësisht përmirësimeve të ndjeshme në këtë drejtim. Një grua në profesion për të njëjtën punë paguhet më pak se një burrë me të njëjtin profesion në tregun privat të punës. Një burrë caktohet në poste drejtuese, ndërsa një grua shumë herë më pak. Është ky mentalitet jo vetëm shqiptar, por edhe botëror, por në Shqipëri është më i ndjeshëm.
A ju është dashur të sakrifikoni për të arritur objektivat që i keni vënë vetes?
Shumë, shumë, shumë. Më është dashur të sakrifikoj nëfamilje. Gruaja nga natyra ka disa role më tepër se burri në familje (nuk ka ligj të shkruar për këtë punë), por ia dikton jeta, mënyra e jetesës shqiptare, ballkanase edhe më gjerë. Gruaja duhet të përgjigjet për shumë gjëra në familje si: shtëpia, ushqimi, veshmbathja për pjesëtarët e familjes, gjëra këto që sigurisht kërkojnë goxha kohë dhe punë. Edukimi i vazhdueshëm i fëmijëve dhe kujdesi ndaj tyre, qofshin këta edhe të rritur, është një angazhim më shumë. Më është dashur njëkohësisht të sakrifikoj edhe në punë. Gruaja duhet të jetë shumë e zonja që të zhvillojë një aktivitet të mirë duke u përballur kështu me të gjitha problemet më lart. Koha që i duhet për mbarëvajtjen e familjes, koha për një grua në karrierë, e cila përveçpunës duhet të studiojë pa ndërprerje për shkak të profesionit është tepër e madhe dhe kur vjen puna për veten time nuk më mbetet kohë, nuk e di por gjithmonë kam mungesa kohe, kur është fjala për veten time. Nuk e di kur do ta gjej kohën për vete… Megjithatë them se kam krijuar një familje të shëndetshme dhe një aktivitet stabël si Kontabël i Miratuar.
A përballeni me skepticizmin e burrave gjatë ushtrimit të detyrës?
Gjithmonë, duke nisur që nga im shoq e deri tek miqtë e mi. Megjithatë kjo nuk më pengoi dhe unë ia dola mbanë.
Gjithnjë flitet për vështirësitë që mund t’i krijohen një femre nga kolegët e saj meshkuj, por pak flitet për raportet me vartëset femra. Si mund t’i vlerësoni këto raporte?
Sot punoj vetëm. Por kam punuar 18 vjet në Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave dhe në pozicione drejtuese, por në fakt nuk kam ndjerë vështirësi të tilla, ndoshta për arsyen e thjeshtë se në këtë drejtori kishte një kolektiv të mrekullueshëm tepër të specializuar dhe njerëzit e specializuar dhe të mrekullueshëm kurrsesi nuk të krijojnë vështirësi, përkundrazi. Këtë kolektiv në të cilin u rrita si njeri dhe profesionalisht gjej rastin ta përshëndes me anë të gazetës juaj.
Numri i grave të angazhuara në pozicione drejtuese në parti politike, në biznes, në administratën publike etj. ka ardhur duke u rritur vitet e fundit. Sipas jush çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim për t’i dhënë femrës vendin që meriton?
Vërtet që numri i grave të angazhuara ka ardhur duke u rritur si në politikë, biznes, administratë publike, por përsëri ky raport është shumë i vogël. Duhet të ketë një pjesëmarrje shumë të madhe nga ana e gruas, e cila mbart me vete edhe problematikën që ajo ka në drejtim të familjes dhe fëmijëve, sigurisht për pjesën e saj si edhe të shoqërisë, ku ajo është pjesëtare. Pjesëmarrja në këto drejtime do të bëjë që kjo shoqëri të përballet më shumë me zërin e fuqishëm të gruas, të nënës, të femrës shqiptare apo siç shprehet në poezi të kësaj ZONJE BUJARE SHQIPTARE.