Deri tani janë pajisur me leje legalizimi 1809 objekte, ndërkohë që në nivel qarku janë 37.753 dosje

Qytetarët e Durrësit kanë nisur t’i drejtohen agjensisë së legalizimit të ndërtimeve pa leje për të përfituar nga ligji i  legalizimit. Drejtoria e Aluizni-t në Durrës ka bërë të ditur se bashkia e Durrësit ka numrin më të madh të dosjeve që presin legalizimin e ndërtimeve në kundërshtim me ligjin. Në nivel qarku janë sistemuar 37.753 dosje, ndërsa bashkia e Durrësit ka aplikuar në pritje të 20.228 objekteve. Përgjithësisht janë shtesa kati, garazhe, zgjerim të hapësirave të ndryshme të banimit apo edhe ndërtime nga themelet të objekteve të ndryshme për banim dhe aktivitete private. Kreu i Aluizni-t në Durrës, Erjon Jakova, ka bërë të ditur se drejtoria që ai mbulon është tërësisht e gatshme të përballojë fluksin e pagesës së faturës si dhe plotësimin në kohë të të gjithë formularëve për legalizimin e objekteve. Deri tani janë pajisur me leje legalizimi 1809 objekte. 

Si po ecën proçesi i legalizimeve në qarkun e Durrësit?

Përgjithësisht situata është në nivele të kënaqshme. Proçesi është i gjatë dhe me probleme të cilat janë kapërcyer në saj të vullnetit të mirë dhe orientimeve të afruara në kohë nga dikasteri qendror. Në qarkun Durrës kanë aplikuar për legalizim të ndërtimeve informale apo të shtesave pa leje 37 753 subjekte. Bashkia e Durrësit ka numrin më të madh të aplikimeve me 20 228 të tilla, ndërsa komunat dhe bashkitë e tjera të qarkut të marra së bashku kanë depozituar 17 525 aplikime.  Përgjithësisht në qytet kemi pasur aplikime për legalizimin e shtesave të ndryshme apo ndërtimit të objekteve në anë të pallateve. Aktualisht ALUIZNI ka mbyllur fazën e miratimit të kalimit të pronësisë me Vendim të Këshillit të Ministrave për 10 509 objekte të ndërtuara dhe shtesa pa leje. Tani punonjësit dhe inspektorët e drejtorisë së Aluizni-t vijojnë të merren me përfundimin e proçedurave të legalizimit për objektet për të cilët është miratuar me VKM kalimi i pronësisë së parcelës. Qytetarët e Durrësit kanë dëshmuar interesim të kënaqshëm. Krahasuar me numrin e objekteve pa leje në nivel qarku, qyteti ka sasinë më të madhe. Janë shtesa kati, zgjerime anësore, garazhe, objekte të tjera që kanë shtyrë qytetarët të aplikojnë për të legalizuar këto shtesa. Aluizni ka saktësuar se janë përfshirë në proçes çdo objekt që nuk bie ndesh me ligjin. Durrësi ka shumë objekte të ndërtuara pa leje brenda në qytet nga banorët vendës, ndërkohë që dosjet e banorëve të ardhur në Durrës dhe që kërkojnë të legalizojnë banesat e tyre janë më të pakta në numër se kategoria e parë. 

Ky proçes ka nisur prej disa vitesh dhe është shoqëruar me vështirësi teknike. Cilat janë disa prej tyre?

Proçesi i legalizimit është një proçes i vështirë, sepse puna ka filluar nga zero. Një objekt informal në tregun e pasurive të paluajtshme, duhet të kalojë një sërë proçedurash tekniko – ligjore që ky objekt të legalizohet. Proçesi ka pasur vitet e kaluara por edhe sot vështirësitë e veta, sepse kërkon bashkërendimin e punës edhe me institucione të tjera. Nuk mjafton vetëm vëmendja dhe përgjegjësia jonë. Lypset që në proçes të jenë të pranishëm edhe aktorë të tjerë. Çështja varet edhe nga vullneti i qytetarëve për t`iu përgjigjur të gjitha detyrimeve financiare që parashikon ligji i legalizimeve. Faza e dytë e përpunimit, plotësimit dhe shqyrtimit të dokumentacionit për pajisje me leje legalizimi, është një proçedurë realisht më e vështirë se faza e miratimit të kalimit të pronësisë me VKM. Kjo fazë kërkon shumë kapacitete kualifikuese. Në këtë fazë subjekti bëhet pronar legal. Drejtoria e Aluizni-t i ka kushtuar vëmendje cilësisë së produktit. Qytetari bëhet pronar përmes lejes së legalizimit dhe kjo para së gjithash kërkon ndjenjën e përgjegjësisë për të respektuar detyrimet ligjore. Qytetari para së gjithash kërkon garancinë që objekti i tij është punuar me seriozitetin, përgjegjshmërinë dhe saktësinë maksimale. Proçesi ka vështirësi reale dhe kjo ndikon në ngadalësimin e punës së punonjësve në terren dhe në departamentet e përpilimit të formularëve.

Në çfarë nivelesh ka qenë ecuria e proçesit të legalizmit të ndërtimeve pa leje dhe dhënies së çertifikatës së pronësisë vitin e kaluar?

Në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme vitin e kaluar janë regjistruar rreth 500 prona. Krahasuar me sasinë e dosjeve të depozituara kjo shifër mbetet në kornizat e një mungese vullneti nga ana e qytetarëve. Ne si drejtori e Aluizni-t nuk i shmangemi përgjegjësive, por duhet kuptuar se qytetari ka peshën kryesore në këtë drejtim. Në çastet që dosja është e gatshme, proçesi vijon me pagesën e faturës së taksës së ndikimit në infrastrukturë dhe taksës tjetër pause për ta kaluar në pronësi objektin në fjalë. Proçedurat burokratike sigurisht që ndikojnë në këtë drejtim. Drejtoria jonë po punon që të përmbushë detyrimet e veta me qëllim që të krijojë lehtësi të plota për qytetarin. Deri tani janë pajisur me leje legalizimi 1809 objekte. 

Durrësi renditet ndër qytetet me numrin më të madh të aplikimeve në shkallë vendi. Sa vështirësi paraqet ky fakt për ju si zyrë?

Durrësi është qyteti i dytë në vend që ka pritur dhe sistemuar numrin më të madh të dyndjeve të familjeve të shpërngulura nga Veriu dhe Jugu i vendit. Në këtë kuadër edhe numri i objekteve të ndërtuara pa leje dhe që janë kryesisht objekte banimi është shumë i madh. Statistikat kombëtare tregojnë se Durrësi është një nga qarqet me numrin më të madh të ndërtimeve pa leje në shkallë vendi. Që një ndërtim informal të bëhet formal do të thotë të hyjë në treg si pronë e çertifikuar.

Sa pagesa janë bërë deri tani nga banorët aplikantë për legalizimin e objekteve?

Aluizni ka përfunduar proçesin për rreth 10 mijë ndërtime pa leje dhe pret qytetarin të vazhdojë proçesin në fazat e tjera. Bëhet fjalë për pagesat e mandateve në arkën përkatëse e cila kërkon të dërgojë qytetarin drejt marrjes së çertifikatës së pronësisë. ALUIZNI ka përfunduar fazën e kalimit të pronësisë për 10.509 objekte informale. Proçesi tani është orientuar drejt përpunimit të dosjeve për pajisje me leje legalizimi. Janë shpërndarë për bashkinë Durrës 5800 formularë pagesash dhe janë likujduar nga subjektet 1438 formularë. Në bashkinë Krujë janë shpërndarë rreth 800 formularë të tillë dhe janë kryer nga qytetarët 300 formularë pagesash. Numri i formularëve të shpërndarë është shumë më i madh se sa numri i pagesave të kryera. Pengesë bëhen qytetarët të cilët nuk u përgjigjen detyrimeve financiare. Duhet pranuar se ka ngadalësim të qëllimtë të pagesave. Qytetarët jo rrallë herë deklarojnë se me të kaluar dosja e objektit të tyre në sirtarin e dosjeve që presin vendimin e KM çështja vlerësohet e përfunduar. Por kjo kategori qytetarësh duhet të mësojë se një gjë e tillë është e pamjaftueshme.

Shumë dosje vijojnë të mbeten pezull ngase aplikantët janë emigrantë. Si do të veproni në këto  raste?

Aluizni po ndeshet prej disa kohësh me faktin e mbetjes pezull të qindra dosjeve ngase aplikantët nuk janë në Shqipëri. Durrësi ka shumë emigrantë, ndërsa po të marrin në konsideratë edhe familjet e tjera të vendosura në këtë qytet atëherë numri i dosjeve në pritje është shumë i madh. Për këtë kategori është përgatitur paketa financiare, por kanë mbetur detyrime të palikujduara duke bllokuar proçesin. Ata janë ndërtime nga themelet e objekteve apo edhe të shtesave të ndryshme të kateve. Kjo e bën të detyrueshëm praninë e këtyre personave ose autorizimin e dikujt tjetër për të vepruar. Për të qenë të saktë duhet thënë se fenomeni i deklaruar më sipër është njëra anë e problemit. Pasojat në këtë rast nuk janë të pakta pasi vijimi i proçesit ka ngecur. Me të përfunduar faza e parë e proçesit, deklarimi dhe depozitimi i dosjeve ka nisur edhe verifikimi në terren. Kjo ka bërë që inspektorët të ndeshen me raste të shumta dhe me përplasje me autoritetet që kanë marrë përsipër ruajtjen e plazheve publike.

Ka raste kur njëra nga familjet nuk pranon të likuidojë detyrimet financiare?

Nuk janë pak. Dhjetëra familje ka bërë shtesë kat pas kati. Nuk janë të pakta familjet që zënë radhë në sportelet e pagesës së detyrimit. Ka edhe raste që qytetarët kërkojnë favore në sportelet e pagesës. Ata kërkojnë favorizim në pagesat e detyrimeve duke thënë se e kanë paguar të tjerët detyrimin e tij. Takimet me qytetarë në vende të grumbulluara dhe parcelë më parcelë apo shtëpi më shtëpi është fenomen i njohur. Inspektorët tanë e kanë zbërthyer ligjin duke ua bërë të ditur qytetarëve detyrimin për legalizimin e objektit. Një pjesë e qytetarëve nuk e kanë të qartë se sa e rëndësishme është që t’i shkohet deri në fund proçesit. Kjo e bën atë pronar legal dhe me dokumente të plota e të rregullta.

Në Durrës vihet re një numër i konsiderueshëm ish-pronarësh të cilët para proçesit të legalizimit kërkojnë të dëmshpërblehen. Si do të operohet në këto raste?

Një pjesë e të ardhurave që grumbullohen nga pagesat e parcelave ndërtimore të ndërtimeve pa leje, shkojnë në llogari të Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për  kompensimin financiar të pronarëve të ligjshëm të trojeve ku zhvillohen ndërtimet pa leje të kualifikuara për legalizim. Poseduesit e ndërtimeve pa leje nuk po i përgjigjen detyrimeve financiare në pritshmëritë tona. Kjo ka bërë që edhe numri i dosjeve të përgatitura nga ana jonë për kompensimin financiar të pronarëve të ligjshëm të trojeve të jetë i kufizuar. Janë të shumtë ata që kanë gjetur mirëkuptim për ligjin e legalizimeve. Aktualisht e kemi disi të vështirë të përcaktojmë se kur do të mund ta përfundojmë proçesin pasi varet nga shpejtësia e qytetarëve. Sa më shumë ata të ngulmojnë për ta mbyllur detyrimin, aq më shpejt do të shkojmë drejt përfundimit. Sot për sot shifra e shumës së grumbulluar për dëmshpërblimin e pronarëve është disi e ulët, por jo pa shpresë në të ardhmen e afërt.

Parësore në një proçes të tillë është plotësimi i kuadrit ligjor dhe organika me punonjës e specialistë. Si paraqitet Aluizni në këtë drejtim?

Drejtoria jonë e ka të gjithë infrastrukturën e nevojshme me specialistë. Durrësi është një nga qarqet me numrin më të madh të ndërtimeve pa leje në shkallë vendi. Kjo e bën shumë të domosdoshme caktimin e organikës së plotë dhe plotësimin me kuadrin ligjor. Në të dyja këto drejtime jemi të kompletuar. Aluizni në  Durrës ka një staf specialistësh të kualifikuar dhe të përgjegjshëm. Megjithatë duhet të them se shtesat në organikë do të ishin një ndihmë jo e vogël. Puna në terren ka qenë e vështirë, ndërkohë që edhe zyra paraqet problematikat e saj. Kjo kërkon specialistë të zotë dhe me përvojë. Përgjithësisht jemi të kënaqur.

Një pjesë e ndërtimeve pa leje nuk janë bërë objekt i komisionit të ALUIZNI-t. Çdo të bëhet me to?

Gjatë punës evidentohen edhe ndërtime pa leje të cilat nuk mund të legalizohen për arsye se bien ndesh me kriteret tekniko – ligjore të përcaktuara në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Ndërtimeve pa leje”. Në Durrës ka shumë objekte të ndërtuara pa leje në zonat e kolektorëve, poshtë linjave të tensionit të lartë, buzë kodrave me rrezikshmëri të lartë rrëshqitjeje, pranë zonën së kuqe të hekurudhave, brenda zonës së ndaluar të nënstacioneve elektrike etj. Të gjitha këto objekte nuk janë pjesë e shqyrtimit tonë, pra nuk përfitojnë asnjëherë dhe për asnjë arsye të drejtën e legalizimit. Ato mbeten ndërtime që duhet të përfshihen në listën e objekteve për t’u shembur. Drejtoria jonë i ka të gjitha këto ndërtime të listuara. Vetë pronarët e tyre si dhe bashkitë apo komunat duhet të ulen e të gjejnë një zgjidhje. Me zgjidhje kuptoj arritjen në një mendim të përbashkët për mënyrën e trajtimit të familjeve të kësaj kategorie, e cila mbetet pa strehë..



 

1809 objekte janë pajisur me leje legalizimi në qarkun Durrës

37.753 dosje janë sistemuar në nivel qarku

20.228 dosje janë paraqitur nga bashkia Durrës

10 509 objekte sipas ALUIZNI-t janë miratuar me VKM

500 prona të legalizuara janë regjistruar në 2011 në Hipotekë