Gjuetarët e Kavajës janë njerëz të humorit. Një ditë gjuetie me ta është një ndër kënaqësitë e rralla që mund t’i jepet ndokujt, jo thjesht për mundësitë e shumta që të ofron terreni i Kavajës me makje bregdetare dhe pyje të padëmtuara shumë, në afërsi të bregdetit, apo me pyjet në thellësi të rrethit në zonat kodrinore, por edhe për shkak të humorit brilant që ndërpritet herë pas here nga krismat e armëve të gjahut. Nëse gjahu mbase nuk ta ngroh edhe aq shumë zemrën, pasi kishe menduar të gjuaje më tepër, humori i miqve të tu do të të mbetet për shumë kohë në mendje. Madje, edhe kur është me “të ngecur”. Kjo pasi kavajasit janë njerëz me bonsens dhe nuk dëshirojnë ta mërzizin bashkëbiseduesin, por thjesht duan të jenë të pranishëm me bashkëbisedime me pak humor. Humor që e ndërpresin qentë herë pas here dhe më pas ata ndjekin gjahun. 

U pëlqen që të qëllojnë kryesisht kur gjahu është “flur”. Ata janë të gjithë qitës të mirë. Rrethi i Kavajës, rreth që për shkak të shumë lidhjeve shoqërore dhe miqësore me Durrësin vizitohet shumë shpesh edhe nga gjuetarët e qytetit bregdetar, ka një sipërfaqe prej 35.000 m2 tokë në dispozicion të gjuetisë. Këtë shifër e bën me dije Drejtori i Ndërmarrjes Pyjore të Rrethit, Enver Masha.

Ai është një mik i gjuetarëve edhe për faktin se fshati i origjinës së tij ka pasur shumë gjuetarë. Edhe ai thekson se Kavaja është një rreth i pasur me zona gjahu, që shtrihen nga lagunat bregdetare dhe grykëderdhjet e lumit Shkumbin, deri në zonat e malësisë së Kavajës ashtu dhe me lloje të ndryshme kafshësh dhe shpendësh të egra, gjë që ka bërë që pasionin e gjuetisë ta ushtrojnë shumë vetë.

Fauna e egër që gjallon në Kavajë përbëhet nga lepuri, thëllëza, turtulli, shkurta, kurse shpendë shtegtarë janë rosa e egër, lauresha, shapka e ujit dhe shapka e malit, ndërsa në sipërfaqet me pyje dhe makje gjen çakallin, ujkun, ndërsa flitet me keqardhje se dhelpra është drejt zhdukjes, jo nga gjuetia e saj, por nga një sëmundje që është shfaqur dhe ka prekur këtë kafshë.

E gjithë sipërfaqja e lejuar për gjueti përfshin një terren të gjerë prej rreth 35 mijë m2 territor. Kreu i shoqatës së gjuetarëve të Kavajës, Tahir Kanapari, pasi rendit llojet e shumta të kafshëve dhe të shpendëve të egra që gjuhen në këto treva thekson edhe problemet që kanë si shoqatë. Shqetësimet kryesore të gjuetarëve janë gjuetia e paligjshme si dhe diferenca mes numrit të madh të armëve në përdorim dhe numrit të vogël të gjuetarëve që paguajnë detyrimet si shoqatë.

Raporti në këtë rast është shumë i madh mes gjuetarëve të licensuar dhe atyre që e ushtrojnë këtë aktivitet pa leje. Janë dhënë rreth 2500 leje armësh, ndërsa detyrimet i paguajnë shumë pak prej tyre, rreth 130 vetë. Ai ka një armë zjarri italiane të një prej markave më të mira “Benelli”, por sekreti i gjuetisë së tij është fakti se është gjuetar i apasionuar dhe ky është edhe kriteri kryesor për një gjuetar. Një gjuetar tjetër i kësaj sëre është edhe Jovan Rrudha. Ai ka vite që gjuan dhe është gjuetar pasionant. Ka mbi 20 vite. Kjo duket edhe se si e mirëmban armën dhe se si flet me shqetësim për rrallimin e gjahut.

Nuk është thjesht gjuetia pa kriter që ndikon në pakësimin e faunës së egër, por kryesorja është se është zhdukur ushqimi i gjahut. Janë rralluar dhe shkatërruar pyjet dhe shumë zona që shërbenin si bazë ushqimore. Ngritja e rezervateve të gjuetisë shihet si mundësia e vetme për të shtuar numrin e kafshëve të egra dhe frenuar zhdukjen e tyre

“Nuk është thjesht gjuetia pa kriter që bëhet,- thotë ai,- që ndikon në rrallim, por kryesorja është se është zhdukur ushqimi i gjahut. Janë rralluar dhe shkatërruar pyjet dhe shumë zona që shërbenin si bazë ushqimore”. Jovani pasionin për gjuetinë ia ka kultivuar edhe të birit. Ai banon në Divjakë, dhe ka hapur edhe një agjensi gjuetie. “Kur udhëton kodrinave të Bardhores,- thotë se,- do të kishte qenë mirë që në këtë zonë të bëheshin edhe rezervate. Rezervate kaprojsh psh”. Po ata duan që të mos iu dëmtohet baza e ushqimit. Dhe kjo mund të realizohet.

Gjuetia është e bazuar tek vrasja, por kur dëgjon ata tek flasin me pasion e qetësi, të duket se po thurin poezi. Kjo është dhe një ndër paradokset e jetës. Kohët e fundit në disa rrethe ka pasur edhe aksidente me armët e gjahut. Nga keqpërdorimi i tyre kanë humbur jetën disa vetë, përfshirë edhe fëmijë gjuetarësh. Po ne Kavajë kjo nuk ka ndodhur asnjëherë deri më sot. Këtë e konstaton edhe policia. Megjithë numrin e madh të armëve të gjahut që janë në përdorim në Kavajë nuk është konstatuar asnjë incident me rrezik jete nga përdorimi i tyre.

Për këtë, nëndrejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit, i cili para disa javësh kryente detyrën e kryekomisarit të Policisë në Kavajë, Gëzim Prebibaj, thotë se kanë ndikuar edhe kontrollet e shpeshta të bëra nga policia dhe autoritetet pyjore lidhur me njohjen e rregullave të përdorimit të armëve sipas kërkesave dhe ligjeve në fuqi.

Shpesh herë kontrollet bëhen direkt në gjueti. Enver Masha thekson se kontrollet janë të shumëfishta. Bëhen kontrolle për subjektet se si e zbatojnë ligjin për gjuetinë, kryesisht për të huajt si dhe kontrolle për gjuetarë të veçantë se si i kanë bërë pagesat detyruese gjuetarët tranzitë në shkallë qarku, po ashtu edhe kontrolle për gjuetinë me mjete të ndaluara si ato imitueset për shpendët dhe me drita për gjuetinë e lepurit.

Rezervatet e gjuetisë

Drejtoria e Ndërmarrjes së Shërbimit Pyjor në Kavajë ka krijuar edhe 2 rezervate gjuetie karantinë, me rreth 6500 ha tokë, për të krijuar kushte të zhvillimit të kafshëve dhe të shpendëve të egra në rrezik zhdukjeje. Këtu nuk lejohet gjuetia. Sipas Drejtorit të Ndërmarrjes Pyjore, Enver Masha, tashmë po i jepet një rëndësi e madhe bllokimit nëpërmjet kontrolleve të vazhdueshme të gjuetisë së paligjshme në periudha të ndryshme dhe me mjete imituese. Masha thekson se vitin e ardhshëm parashikohet që të shtohet sasia e sipërfaqeve të zonave rezervate në karantinë gjuetie, për të krijuar kushte më të mëdha ruajtjeje dhe zhvillimi të faunës së egër në rrethin e Kavajës.