Në periudhën janar-shtator të këtij viti, pranë drejtorisë rajonale të Sigurimeve Shoqërore janë lidhur gjithsej 906 pensione pleqërie, por fakti interesant është se vetëm gjatë tre mujorit të fundit pranë kësaj dege janë lidhur rreth 450 pensione, ose sa janë lidhur në dy tremujorët e mëparshëm të marrë së bashku. Drejtoresha e këtij institucioni, Monika Tahiri, thotë se për një periudhë të gjatë kohore ishin grumbulluar në këtë drejtori një sasi mjaft e madhe dosjesh pensioni pleqërie, rreth 1500 copë, që i përkisnin këtij viti, por edhe vitit të kaluar.

Nga periudha 8 deri në 20 gusht drejtoresha Tahiri thotë se janë regjistruar të gjitha dosjet e dorëzuara nga gjashtë agjensitë rajonale të qarkut, por që ende nuk ishin pajisur me numrin e tyre rendor. Mos lidhja në kohë e pensionit, regjistrimi me vonesë i kërkesës, dhe mos dërgimi në kohë i dosjes pranë këtij institucioni ishin disa nga problematikat më të shpeshta të ngritura nga të moshuarit.

Gjatë këtyre muajve të fundit DRSSH është përpjëkur të përshpejtojë ritmet e punës dhe t’u japë një përgjigje sa më të shpejtë shqetësimeve të qytetarëve të ndryshëm. Sipas drejtoreshës Tahiri prania e një sasie kaq të madhe dosjesh të akumuluara për një kohë të gjatë krijon vështirësi për punën normale të këtij institucioni, por gjithsesi po bëhen përpjekjet maksimale që shqyrtimi i dosjeve të përfundojë brenda afateve ligjore. Personat që janë në prag pensioni mund të nisin të përgatisin dokumentacionin e nevojshëm, që duhet dorëzuar pranë agjensive të kësaj zyre një vit para daljes në pension.

Drejtoresha e këtij institucioni, Monika Tahiri, thotë se për një periudhë të gjatë kohore ishin grumbulluar në këtë drejtori një sasi mjaft e madhe dosjesh pensioni pleqërie, rreth 1500 copë, që i përkisnin këtij viti, por edhe vitit të kaluar. Nga periudha 8 deri në 20 gusht drejtoresha Tahiri thotë se janë regjistruar të gjitha dosjet e dorëzuara nga gjashtë agjensitë rajonale të qarkut, por që ende nuk ishin pajisur me numrin e tyre rendor

Por nga ana e saj Tahiri u bën apel qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm përsa i përket tërheqjes së vërtetimit, që fakton kohën se kur është depozituar kërkesa. “Në vërtetim përcaktohet numri i regjistrit dhe data se kur është marrë në dorëzim kërkesa. Mangësitë e konstatuara më parë në plotësimin e këtij vërtetimi nga punonjësit e DRSSH u krijonin pensionistëve vonesa të pajustifikuara dhe sorrollatje të shpeshta nga njëra zyrë në tjetrën. Qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të ankohen në rastet kur vërtetimi nuk është plotësuar konform rregullave, pasi në të kundërt do të lënë shteg për vonesa në lidhjen e pensionit”,- tha Tahiri.

Sipas saj periudha e lidhjes së pensionit në rastin më të mirë mund të jetë 45 ditë që nga depozitimi i dosjes së plotë, ndërkohë që për rastet kur ka mangësi në dokumentacion, apo kur të dhënat duhen verifikuar në drejtori të tjera rajonale të Sigurimeve Shoqërore afati zgjatet në kohë.

Përgjatë periudhës 1-20 tetor pranë kësaj drejtorie janë lidhur 112 pensione, ndërkohë që deri në fund të muajit shifra mund të arrijë deri në 150 pensione pleqërie. Pas muajit gusht, që përkoi me ndryshimin e titullarëve të kësaj drejtorie, stafi është përballur me një mbingarkesë të madhe pune, si pasojë e akumulimit të 1500 dosjeve të pashqyrtuara.

Nga ana tjetër një shqetësim për këtë drejtori ka qenë edhe mos zbatimi i detyrave të lëna kohë më parë nga auditi i brendshëm i ISSH-së. Auditi i fundit i këtij institucioni, pasi konstatoi të metat në punën e disa punonjësve të kësaj drejtorie dhe dëmin e krijuar shtetit nga mos zbatimi i detyrave të lëna nga auditet e mëparshme mori masa administrative ndaj 12 punonjësve, që variojnë nga pushim nga puna për K/D përfitimeve në DRSSH, Violeta Neza, në vërejtje më paralajmërim për pushim nga puna dhe ulje në detyrë. 

Dixhitalizimi elektronik

Dixhitalizimi i vjetërsisë në punë do të finalizohet me krijimin e llogarive personale për çdo kontribues deri në përgatitjen e çekut mujor për pensionistët. Ky është prioriteti kryesor i Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe sipas drejtoreshës së DRSSH në Durrës, ky proces pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti. Hedhja e të dhënave është një proces që zgjat në kohë, pasi në sistem po hidhet vjetërsia në punë duke nisur nga viti 1947.

Pas përfundimit të kësaj procedure çdo kandidat, për të dalë në pension pleqërie, e që një pjesë të periudhës kontributive e ka pasur në ish-kooperativat bujqësore dhe si i vetëpunësuar në bujqësi nga viti 1993 deri më 2012, pajiset në kohë rekord, në rrugë elektronike, me vërtetimin e nevojshëm, ndërkohë që më parë duheshin ditë të tëra për verifikim dhe çertifikim.

Parë në këtë kontekst informatizimi i të dhënave, duke përfshirë kontributet dhe llogaritjen e përfitimeve që jepen nga skema e sigurimeve shoqërore përbën një nga hapat më të rëndësishëm në kuadër të miradministrimit të skemës së pensioneve. Në total në të gjithë vendin numërohen rreth 553 mijë pensionistë.