Nuk ka dëshirë apo ëndërr më të bukur sesa të kthehesh në atdhe. Në mërgim lulet nuk kanë erë, ngjyrë dhe asgjë s'ka shije, sepse të gjitha këto emigrantët i kanë lënë aty, në atdheun e tyre. Megjithatë mërgimi duket se është një ilaç popullor shumë i mirë për ndërgjegjësimin, sepse të bashkon e të bën të duash edhe ata që ke urryer më shumë e i ke quajtur dikur armiq. Të merr malli për gurët e rrugës. Sa herë dëgjon fjalën Shqipëri, të mbushen sytë me lotë e zemra plot me dhimbje. Shumë shqiptarë u larguan nga atdheu për arsye të ndryshme, nga gjendja ekonomike e politike. Këto i detyruan të iknin nga vendi i tyre i dashur, i pakrahasueshëm dhe i pazëvendësueshëm dhe është pikërisht po kjo arsye ajo që i bën ata të mos kthehen përgjithmonë. Deri tani asnjë nga këto të dyja, pra as ekonomia dhe as politika nuk janë rregulluar. Gjërat thuhen se duhen rregulluar e përmirësuar, por në vend që ato të rregullohen e përmirësohen, vetëm rrënohen, bëhen më keq. Le të shpresojmë që një ditë të gjithë bashkëatdhetarët tanë të kthehen e të bashkohen në një Shqipëri të madhe, në një Shqipëri vërtet demokratike.
Gjumin që bën në "shtëpinë", vendin tënd nuk besoj se e bën askund, qetësia shpirtërore që ndjen dikush në atdheun e tij, nuk ka të paguar. I merr malli për vendin e tyre, se aty janë rritur, por jo për turizëm, sepse rëndom themi se jemi shumë larg me plotësimet e kushteve. Është shumë shtrenjtë të bësh pushime në Shqipëri. Kthimi përgjithmonë i shqiptarëve në Shqipëri, ende mbetet një ëndërr për ta. Shteti shqiptar nëse i do me të vërtetë shumicën e shqiptarëve këtu në Shqipëri, të cilët mund të kthehen me një sasi të mjaftueshme parash, që cila do t’a ndihmonin shumë vendin tonë për t’u zhvilluar ekonomikisht, duhet të përpiqet për t’i patur. Pra çfarë del si konkluzion? Unë personalisht jam e mendimit që qeveria shqiptare duhet patjetër të fillojë të bëjë progres në të gjithë fushat në mënyrë serioze, që të mund t'i fitojë shtetasit e vet, por jo vetëm ata sigurisht. Kjo mund të arrihet vetëm duke ju siguruar disa gjëra minimale, si qetësia publike, luftën kundër korrupsionit, zvogëlimin e burokracisë si dhe sigurisht gjërat minimale të jetesës që mund të kërkojë një shtetas si drita, ujë etj. Prandaj me pak fjalë duhet në rradhë të parë të krijohet një shtet i fortë, i cili jo vetëm duhet të marrë taksat nga çdo biznesmen, por duhet dhe t’i krijojë atij kushtet e duhura për zhvillimin e biznesit të tij. Si rrjedhojë,
Shqipërisë besoj se i duhet dhe shumë punë akoma që të fitojë shtetasit e vet, se në të vërtetë shpirtërisht kudo që ndodhen i ka fituar, por më e rëndësishmja është t’i fitojë dhe me rikthimin e tyre, sepse vetëm atëherë do të mundemi ne të flasim për një zhvillim të vërtetë ekonomik dhe shoqëror në Shqipëri. Përderisa nuk ka drita e ujë në disa qytete, nuk mund të ëndërrohet që të kthehen përfundimisht, sepse fatkeqësisht shohim që po punohet në të gjitha drejtimet me ritëm shumë të ngadaltë. Këta shqiptarë kudo që jetojnë kanë shpenzuar kaq kohë larg, për të rregulluar mirëqenien dhe jetën e tyre. Gjendja aktuale në Shqipëri është shumë e vështirë, pavarësisht se shqiptarët kurrë nuk do të ndalen së shpresuari për ditë më të bukura dhe për një rikthim sa më të shpejtë në atdhe. Dëshiroj me shpirt, që kjo të mos mbesë një ëndërr e parealizueshme për të gjitha zemrat e shqiptarëve që janë jashtë atdheut. Tani që e mendoj them se është shumë e lehtë të flasësh kur je në Shqipëri dhe kaq e vështirë t’a thuash kur je larg saj. Të gjithë ata shqiptarë që jetojnë në një vend tjetër i kanë kaluar vështirësitë e mëdha të fillimit dhe pak a shumë janë integruar me jetën atje dhe kthimi do të thotë fillim nga e para, sepse kudo koha evolon, nuk ka rëndësi në çfarë sensi. Megjithatë jam e bindur që dhe në Shqipëri më mirë do të bëhet dhe pse e ardhmja juaj mund të mos jetë atje ku dhe guri, ajri dhe dielli të përshëndesin ndryshe.
Shpresoj që një ditë të kthehen për të jetuar këtu, në Durrësin e zhurmshëm dhe plot jetë. Mendoj se Durrësi asnjëherë s’duhet harruar, sepse fundja është vendi i lindjes, vendi i fëmijërisë së bukur e me plot kujtime. Ju e dini që njeriu pa kujtime, është një arkë bosh e pa vlerë. Pra është malli që keni për kohët e bukura, pse jo dhe të këqija, ai që ju shtyn të vizitoni Durrësin, pse jo dhe të jetoni përherë këtu. Të gjithë shqiptarët që jetojnë larg thonë: kam shumë mall për Shqipërinë, aq mall kam sa të gjitha ëndrrat i shoh me Shqipërinë. Dhe ky mall sa vjen e shtohet, është mbi të gjitha mallet, edhe mbi Dashurinë. Malli është një nga vështirësitë më të mëdha që shqiptarët ndeshin në mërgim. Mërgimi është vuajtje shpirti. Emigracioni është ëndërr dhe zhgënjim njëkohësisht. Por do të vazhdojë të mbetet një plagë e shoqërisë shqiptare edhe për sa kohë situata ekonomike tek ne të mbetet e vështirë, dhe fatkeqësisht, me sa duket kjo do të vazhdojë për shumë vite. Në këtë periudhe durrsakët që jetojnë jashtë Shqipërisë, kthehen në atdhe për të kaluar pushimet verore. Cilat janë arsyet që i shtyjnë ata t’i kalojnë këto pushime në vendlindjen e tyre?
Arivet Ari:E thjeshtë, malli për ku ke lind dhe je rrit, se hallet si andej dhe këtej nuk kanë fund.
Indrit Mema: Malli për gurët, për rrugët ku jemi rritur, sepse kudo të vemi, ai mall na thërret. Pastaj malli për gjuhën, sepse atje flitet vetëm shqip. Sa bukur të dëgjosh dhe flasësh gjuhën tënde. Unë kur vij, gjithmonë bëj një xhiro të gjatë dhe nuk kënaqem, më duket sikur rrugët më thonë: ej mos shko eja këtu, ke kohë që s’na ke shkelur, kemi mall për gjurmët e tua. Kur largohem bëj të njëjtën gjë, më duket sikur dhe gurët më pyesin kur do na vish përsëri. Rrënjët tona janë atje vërtetë, në atdheun tonë. Po ju kujtoj këtu një poezi: “Shqipëri moj Shqipëri/Toka jonë e dashur je ti/E vuajtur e lodhur je/Shumë ke kaluar, e di/Por kur vijmë ne, të tutë bij/Ti vetëm gëzim ke./Ti pushtohesh nga/E papërshkruara lumturi/Shqipëri moj Shqipëri/I shtrenjti vendi ynë je ti.
Laura Niço: Kthehem për prindërit, për shoqërinë. Megjithese ikin vitet mbetet njelloj dhe sikur te rikthen kujtimet. Kam mall edhe për ato shkallet e hyrjes së pallatit që janë bërë copë e çikë dhe si me shaka do them që shumica vjen të rregullojë dhëmbët tek dentisti.
Juli Hidri:Pushimet në Shqipëri? Prindërit, motra vëllai. Tani u hapën rrugët për të gjithë dhe mund të vijnë dhe ata tek ne. Por bashkë me mallin për të afërmit është shumë i madh dhe malli për atdheun kur unë shkoj në Shqipëri. Vijmë për të gjetur veten edhe pse asnjëherë nuk e gjejmë.
Marie Lala:Unë kam mall për gurët, për lagjen, për shtëpinë ku jam rritur, megjithëse nuk i gjenden as gurët, sepse është ndërtuar një pallat, jo më fal, gradaçelë. Përpara më duhet të kërkoj shtëpinë, sepse çdo vit ka ndonjë ndryshim. E keqja është se gjithë bota ruan diçka simbolike, për të orientuar ata që kthehen pas disa vitesh. Kur erdhi xhaxhai i burrit tim nga Kanadaja në Itali, duke ecur nëpër rrugët e qytetit tregonte: ja te kjo pema që është këtu ne mblidheshim, e kështu, e kështu. Ndërsa në Durrës nuk ka mbetur asgjë për të treguar. Më merr malli dhe për ata që nuk jetojnë më. Në fakt xhiron e parë dhe të fundit e bëj tek varrezat. Do të më quani budallaqe, nuk ofendohem, sepse është e vërtetë. Prindërit janë këtu me mua, por jo, është malli për ato vite që kam kaluar dhe nuk më hiqen nga mendja dhe zemra, sepse të mira apo të këqija, janë pjesë e jetës sime. Të them të drejtën im shoq (është italian), ka shumë dëshirë të shkojë në Shqipëri dhe fillon nga Lushnja, ku jetojnë njerëzit e babait tim e deri në Sarandë, ku jetojnë njerëzit e mamit. Im shoq i pëlqen shumë hamburgerët dhe sufllaqet. Më vjen keq kur dëgjoj të thonë: ç’të bëjmë që të shkojmë në Shqipëri Jemi ne të parët që e përbuzim vendin tonë. I mirë apo i keq është vendi ynë. Është prejardhja e çdo njërit prej nesh.
Dario Kodra:Arsyeja e ardhjes në Shqipëri këtë vit është 11 gushti. Dita e Durrsakëve. Balta më e ëmbël se mjalta.
Eva Papa:Mendoj se është dhe malli dhe halli. Unë sivjet do shkoj patjetër nga malli, qoftë dhe për pak ditë në Durrës. Më pas do shkoj diku tjetër për pushime, sepse duhet vajtur edhe për t'u takuar me njerëzit e tu. Për të parë dhe njohur diçka më shumë. Eh! Malli nuk shuhet, por njeriu ka nevojë të shkojë dhe diku tjetër, por koha që kemi nuk mjafton gjithashtu dhe paratë.
Gjergji Anastasi: Është vetëm malli. S’ka popull pa përqindjen e keqe dhe nuk ka popull që të jetë 100% i mirë. E rëndësishme është që sa herë të kemi nostalgji dhe mundësi për Shqipërinë, të shkojmë tek ajo. Më mirë se këto vargje nuk e shpreh gjë tjetër dashurinë për vendin tënd: Mëmëdhe quhet toka/Ku më ka rënë koka/Ku kam dashur mëmë,e atë,/Ku më njeh dhe gurë i thatë,/Ku kam pasur shtëpinë,/Ku kam njohur perëndinë/Stërgjyshët ku kanë qënë/Dhe varret qi kanë vënë/Ku jam rritur me thërrime/Ku kam folur gjuhën time,/Ku kam fis e ku kam farë,/Ku kam qeshur, ku kam qarë/Ku rroj me gazë e me shpresë,/Ku kam dëshirë të vdesë. Unë e kam nusen italiane dhe vetë, kam lindur në Korçë. Kur e solla për herë të parë, më pa që unë flisja me gurët. I shpjegoja për rrugicat dhe qoshet e shtëpive, për lulet dhe aromën e pemëve të blirit. Ajo qante me lot nga gëzimi, pasi në Itali nuk më kishte parë kurrë kaq të lumtur. Ka mësuar Shqip, të shkruaj dhe të lexojë dhe i adhuron vendet tona. Kjo është Shqipëria.
Eli de Miri: Kur je shumë e re, disa gjëra nuk i kupton në jetë, por me kalimin e viteve kupton se gjëja më e shtrenjtë është vendlindja dhe familja.
Gentiana Mborja Shtraza:Gjithë dimrin mendojmë pushimet, do t’i kalojmë këtu apo atje. Por kur pushimet afrohen nuk diskutojmë për gjë tjetër vetëm, se nga do t’i biem për të shkuar në Shqipëri. Por tek e fundit them se nuk e kemi gabim, kur atje kemi dikë që na pret me mall. Pastaj të parët kanë thënë: guri i rëndë në vend të vet.