Një burrë i thinjur 82 vjeçar, ecën për çdo ditë në rrugët e qytetit me një hap që do ta kishin zili edhe të rinjtë. Shëndeti i tij, përveç pamjes së jashtme le të kuptojë se ky njeri në jetë mbetet shumë i obliguar. Energjik dhe potent, por mbi të gjitha shumë i respektueshëm. Të përshëndet me shumë përulësi, a thua se është i detyruar ta bëjë këtë gjë.
Ende vazhdon në adetet e fëmijërisë, të dëgjojë shumë e të flasë pak. Por kur nis të flasë është veshur me magjinë që duhet ta dëgjosh patjetër, sepse edhe kështu përfiton mjaft prej tij. Kam patur fatin ta njoh që në fillimin e viteve 60-të, kur sapo e kisha kaluar dekadën e parë të jetës time. Por kjo nuk do të thotë që motivet personale, nxisin një shkrim të plotë për të. Madje unë ndjehem në vështirësi, sepse që kur kam nisur të merrem me letrat e shkruara, nuk jam vënë asnjëhere para bisedës me të.
Kur në fëmijërinë time i lija pas moshatarët, më dërguan tek një njeri për t’u aftësuar në sportin e atletikës. As nuk e njihja dhe aq pak të vendosesha para provës delikate, që pas 50 vitesh të ulesha si një 61 vjeçar i sprovuar në jetë, me një 82 vjeçar të kalibrit të tij. Ndonëse i stërvitur në letra për 40 vite, as unë por aq më pak edhe ai nuk ishim takuar në një pikë, që t’i kushtohesha punës së tij të jashtëzakonshme. Apo të merrja mundimin, që të pohoja qoftë edhe në pak rradhë që Iljaz Elezi është shtyllë vertebrale e atletikës durrsake.
Dhe në se një ditë tetori të këtij viti, të mos më kishte shkuar ndërmënd që më në fund isha i detyruar të merresha me Iljaz Elezin, as do të kisha marrë ndonjë kërkesë nga ky 82 vjeçar për t’i bërë një shkrim në gazetë kësisoj. Edhe kjo mbetet një meritë jo e vogël e këtij burri zotni, që çapit për çdo ditë me një hap ushtarak rrugët e atij qyteti që për herë të parë i shkeli në vitin 1940. Që kur nisi të mendojë, lindjen me 1 shkurt të vitit 1930 në Gjakovë të Kosovës, e trajtoj si një dukuri pikante të jetës së tij.
Por atij as nuk i shkonte ndërmend, se lindja në Gjakovën e famshme të patriotizmës shqiptare do të trajtohej si bumerang nga regjimi i Hoxhës për ta persekutuar psikologjikisht. E ç’faj kishte ILjaz Elezi që kishte lindur në Gjakovë, që Hoxha dhe shpura e tij e trajtonin si tokë jugosllave dhe vend i huaj?
Ndryshe me punën gjigande dhe të jashtëzakonshme që ka bërë me atletikën durrsake do të ishte shpërblyer e pakta me një 5 orësh në punë, me vlerësimin si trajner profesionist, me shoqërimin e atletëve brenda dhe jashtë vendit dhe me tituj e medalje të ndryshme. Por Iljaz Elezi mbetet i njëjti edhe tani, ashtu sikundër edhe në ditët e para kur shkeli në Durrës, që u bë Gjakova e dytë për të.
Autokritika vlen edhe për mua, se si këtë njeri me shumë merita (por që kurrë nuk i ka kërkuar duke bërtitur), nuk e vendosa në rradhën e parë të bashkëpunimeve të mia në shtypin lokal dhe kommbëtar. Por sentenca e popullit se asnjëherë nuk është vonë, mbetet si një ngushëllim për të më lehtësuar mendjen dhe penën për të thurur rradhë për Iljaz Elezin, djalin gjakovar nga dera e njohur e Elezajve të Gjakovës.
Në një lokal diku pranë muzeut të dëshmorëve, ky Iljaz Elezi mezi pret të takohet me disa nga shokët e fëmijërisë. Një kafe, shoqëruar me mbresa dhe kujtime, janë ushqimi më i mirë për të mbajtur gjallë dhe nxitur optimizmin dhe kurajën në këtë epilog të jetës, ku dha gjithçka të mirë që bëri ky njeri në të gjallë të tij. Është një tavolinë magjike në këtë lokal, që çdo vendali që kalon aty pranë nuk mund të jetë indiferent pa i përshëndetur. Fati dhe koha i ka bashkuar si me dorë.
I njoh mirë edhe unë, ashtu si i gjithë qyteti dhe populli i vendlindjes time. Janë ekonomisti me famë Ylli Agolli, financiari i pakonkurueshëm Selami Deliallisi, skenografi historik i artit skenik durrsak Ismail Hidri dhe intelektuali tjetër i njohur Fatmir Ramadani. Mezi pres ti them mirmëngjes, ndër ta edhe Iljaz Elezit. Shumë të moshuar, por jeta i ka përkëdhelur për të patur privilegjin ne së pari ti prekim e përshëndesim për ditë dhe të lutemi për t’i patur edhe për mjaft vite në gjirin tonë. Mbetet pasuri dhe traditë e vyer e këtij qyteti.
Udhërrëfyesit e tij
Janë tre. Njëri më i mirë se tjetri. Quhen Bashkim Taga, Shefqet Ferri dhe Idriz Çinari. Që të tre të denjë për t’u ndërtuar nga një profil, ja kështu si tani Iljaz Elezit. Duke mbetur kavalier dhe mirënjohës për ata që e mbështeten në pasionet e tij sportive, Iljaz Elezi kujton se fillimisht trajtoi notin në pasionet e tij rinore.
Dhe në Durrës noti qëndron, sikur të flasësh gjuhën e nënës. Fillimisht nuk njihte shumë, por tani është i veshur me detyrën që të kujtoj e vlerësoj shumë. Dhe ky Elez kosovar, nuk ndan nga mëndja të parët që bashkëpunuan me të në not si Sabri Kapexhiu, Burhan Truma, Bedri Rrogozhina dhe Ilmi Kapllani.
Në kujtimet e tij të shkruara Iljaz Elezi nënvizon: “Unë nuk i kisha rezultatet e këtyre notarëve, kampionë të Shqipërisë. Ndoshta zoti më kishte prerë për atletikën. Sepse në një garë lokale atletike, më duket se quhej krosi i vjeshtës, pikërisht në vitin 1950 në 800 metra dola i pari. Dhe thashë me vete: se paskan patur gabim gjakovarët e mi të vegjël, kur më thërritnin këmbëshpejti i Gjakovës. Në një mendje të paharruarit Bashkim Taga, Shefqet Ferri dhe Idriz Çinari më thanë që të merresha me atletikën. Dhe fillova përgatitjet”.
Iljaz Elezi filloi të bëj emër. Atlet në vrapimet e mesme, por shoqëria Puna e kohës, e ngarkoi edhe me detyrën e trajnerit. Dhe nga 1950 e deri në vitin 1990, Iljaz Elezi mbetet ndër kapitujt më aktivë, më ndihmues dhe më të çmuar të atletikës durrsake. Në kohën që shkoi ushtar, shërbeu pranë klubit Partizani. Dhe ia quan për nder Masar Agës dhe Dilaver Toptanit që e mbajtën afër dhe e pasuruan me njohuri për atletikën.
Kur u rikthye në Durrës Iljazi kishte të tjera mendësi, që i ktheu në punë të frytshme e rezultate të shkëlqyera. Punonte shumë. Studionte deri vonë. Në bibliotekën e hekurudhës ku punonte, në sajë të marrëdhënieve me jugosllavët, në bibliotekën e ndërmarrjes vinte edhe gazeta Sovjetskij Sport. Fadil Laçi edhe ky intelektual i njohur, por edhe ish atlet bënte përkthimet. Dhe Iljaz Elezi praktikonte me atletët e tij njohuri të shkollës së famshme ruse të atletikës.
Me një përvojë tashmë të konsiderueshme, nën mbikqyrjen e emrave shumë të njohur të atletikës durrsake dhe kombëtare, i mbështetur edhe nga njohuritë teorike të kohës, Iljaz Elezi kthehet nga pikat më referuese të atletikës. Sfidë me veten, por edhe me kohën dhe normat e një regjimi që e drobiste dhe mundonte, por kurrë ta dorëzonte.
Kurora e suksesit
As na shkonte ndërmënd që ky Iljaz Elezi, të kishte kaq shumë merita sa që në shifra mbetet i pakundërshtueshëm. Janë jo vetëm shënimet e tij, por edhe të të tjerëve, që e vendosin këtë emër në vijën e parë të mburrjes durrsake të atletikës. Ia di për nder Dyrrahut, që më provokoi këtë shkrim për të.
Ndiqni me vëmëndje lexues i nderuar, se çfarë meritash të pakundërshtueshme ka ky njeri, kur vendos të botosh të dhëna të panjohura më parë. Tentojmë të evidentojmë disa syresh. Në raporte ekipore, trajneri Iljaz Elezi është vlerësuar 15 herë kampion në kroset kombëtare, 13 herë në maratonë, 4 herë në gjysëm maratonë, 2 herë në Kupë Republikë.
Nga mosha 10 deri në 19 vjeçare, atletika durrsake nga puna dhe mëndja e Iljaz Elezit ka merituar 24 herë tituj kampionë në garat e mesme. Edhe me individët, krenaria e Iljaz Elezit është e ligjshme. Janë stërvitur prej tij 750 atletë, nga të cilat është gatuar edhe elita. Brumi i Iljaz Elezit është histori e gjallë e atletikës shqiptare dhe mburrje për atletikën durrsake. Shifrat shfaqen të gjithëpushtetshme. Puna e Iljaz Elezit ka “prodhuar” 50 kampionë, që kanë përmirësuar 21 rekorde kombëtare.
Veç kësaj janë grumbulluar me ekipet kombëtare 21 atletë, duke përfaqësuar Shqipërinë jashtë dhe brenda kufijve 10 atletë. Mbajnë si gjënë më të shtrenjtë të karrierës së tyre titullin mjeshtër i sportit 10 atletë, ndërsa mjeshtër i merituar dy. Ata janë rekordmenët Isuf Curri dhe Shefik Dervishi. Madje, të shpjegon Iliazi, rekordet e Isuf Currit në 1500, 5000 dhe 10000 metra janë ende në fuqi. Por ky njeri i madh i atletikës durrsake, me dimensione edhe kombëtare është kthyer si një shkollë në aftësimin e trajnerëve të atletikës.
Janë 17 trajnerë të niveleve të ndryshme, që e lidhën karrierën e tyre me atletikën. Emrat e Aleks Lekës, Halit Dapit, Eqerem Bylykbashit, Rrahman Morina, Eduart Salillari, Frederik Gjergos, Andrea Stasit, Musa Musait, Kujtim Majanit, Jorgji Miles etj. mbeten matësi më i mirë i asaj gjëje të vyer dhe të çmuar që i dha sportit durrsak, gjakovari Iljaz Elezi. Në spartakiadën e tretë kombëtare të vitit 1974, ishte atletika e Iljaz Elezit që i dha vendin e parë Durrësit, padrejtësia e konfirmimit të së cilës mbetet nga njollat më të errta të sportit shqiptar.
Meraku
Absolutisht duhet kuptuar si privilegj. Monizmi ishte monizëm. I shikonte gjërat gri dhe Iljaz Elezi ndonëse i të tillave dimensione, punonte 16 orë në punë dhe sport, nuk i njihej asnjë e drejtë, madje të mos i aprovonin qoftë edhe një vlerësim minimal. Të jem i sinqertë me lexuesit, në bisedën disa orësh që zhvillova me të as nuk m’u kërkua një gjë e tillë.
Por ky njeri mbetet shembull i pasionit dhe këmbënguljes së tij. Nuk u thye dhe as kishte ndërmend të thyhej. Megjithëse edhe në ndërmarrjen e OMRM-së, i zbuloi futbollit durrsak talente të tilla si Mile Qoshja, Orest Grami, Nikolla Çeta, Zyhdi Daja, Nikolla Bespalla, çiklizmit Met Mustën, Lutfi Zinën, Nuredin Bllakën, basketbollit Koç Papain dhe Gani Dulen, etj. etj. ai nuk kërkon të marrë merita.
Por ai në fakt këto i ka. Është detyrë e shoqërisë civile, e Bashkisë së Durrësit dhe shoqatës me të njëjtin emër, e klubit shumësportesh Teuta, që këtë punë gjigande të bërë nga Iljaz Elezi me sportin durrsak, të japë vlerësime sado modeste të jenë ato. Vetëm kështu mund të qetësohen shpirtrat e trazuara jo vetëm të opinionit objektiv, sportiv dhe të ndjeshëm durrsak, por edhe të atyre dhjetëra e dhjetëra atletëve dhe trajnerëve, që dolën dhe u përgatitën nga shkolla me emrin tashmë nderues Iljaz Elezi.