Para tre vjetësh, kur u zhvillua një panair i tillë në Durrës, kërkesat e kompanive që operonin në sektorin e ndërtimit përbënin rreth 60% të numrit të vendeve të lira të punës. Por këtë vit, nga 45 kompani të sektorëve të ndryshëm, vetëm një kompani ndërtimi u prezantua, e cila kishte nevojë për të punësuar pesë persona

Kriza që ka përfshirë ekonominë shqiptare (disa sektorë të veçantë janë prekur më shumë se të tjerët) dëshmohet më së miri në sektorin e ndërtimit. Ndërsa deri dy vite më parë ndërtimi zinte një vend të rëndësishëm përsa i përkiste numrit të të punësuarve, tashmë duket se kriza e ka gjunjëzuar atë. Vetëm një kompani ndërtimi, me 5 vende të lira pune, është prezantuar në Panairin e Punës, të organizuar në Durrës. Të gjithë punëkërkuesit, kërkojnë më së shumti punë në këtë sektor edhe për faktin e thjeshtë se nuk ka kritere dhe kushte të veçanta, ashtu siçkanë kompanitë e tjera. Para tre vjetësh, kur u zhvillua një panair i tillë në Durrës, kërkesat e kompanive që operonin në sektorin e ndërtimit përbënin rreth 60% të numrit të vendeve të lira të punës. Por këtë vit, nga 45 kompani të sektorëve të ndryshëm, që prej tregtisë, prodhimit, shërbimeve, bankave etj, që morën pjesë në panair, e ku ofroheshin 800 vende të lira pune, vetëm një kompani ndërtimi u prezantua dhe kishte nevojë për të punësuar pesë persona.

Një shifër kjo e papërfillshme e krahasuar me vetëm tre vite më parë. Ajo që shpesh është përfolur gjatë këtyre viteve të fundit si krizë e tregut të imobiliareve duket se vazhdon ende dhe ka premisa të thellohet. Problemi i dytë i vërejtur në Panairin e Punës ishte mos koordinimi i ofertës me kërkesën e të papunëve. Kompanitë që ofronin vende pune kishin paraqitur kërkesa specifike për fuqi punëtore të specializuar, po ndërsa punëkërkuesit janë të shumtë, ballafaqimi i tyre me punëmarrësit nxjerr në pah mungesën e arsimit profesional. Interesimi i të papunëve ka qenë i madh, ndërsa kompanitë kanë afishuar kriteret e punësimit për vendet që ofrojnë, numrin e të punësuarve që kërkojnë dhe kriteret bazë për punësimin e stafit të ri e që janë kryesisht arsimi profesional dhe gjuhët e huaja. Subjektet tregtare, si dhe ato të hoteleri-turizmit apo institucionet bankare, rendisnin ndër kriteret kryesore zotërimin e gjuhëve të huaja dhe arsimin e lartë në disa raste, ndërsa kompanitë prodhuese e ato të shërbimeve si konfeksionet, mobilierët, muratorët etj. kriter primar punësimi kanë arsimin profesional.

Qëllimi i panairit

Panairi është organizuar për një ditë të vetme, në pallatin e sportit “Ramazan Njala”, dhe një numër shumë i madh të papunësh, me arsim të lartë apo jo, të moshave dhe kategori të ndryshme shoqërore, kanë aplikuar në kërkim të një vendi pune, pavarësisht se për shumë syresh kriteret e kërkuara nga kompanitë që ofronin vende pune nuk përputhen me nivelin arsimor të punëkërkuesve. Inisiativa e hapjes së Panairit është ndërmarrë nga Zyra Rajonale e Punësimit, në zbatim të Strategjisë Sektoriale të Punësimit dhe Formimit Profesional 2007-2013, pas një ndërprerje tre vjeçare. Qëllimi kryesor i këtij panairi ishte vendosja e kontakteve të drejtpërdrejta Punëdhënës-Punëmarrës. Sipas organizatorëve të këtij panairi,- “ai synon t’u japë të gjithë punëkërkuesve, të sapodiplomuarve, emigrantëve të kthyer apo edhe personave të tjerë të paformuar profesionalisht, mundësinë e njohjes me ofertat që prezanton dhe ofron tregu real i punës në qytetin bregdetar”. Interesimi i qytetareve ka qenë mjaft i lartë për ofertat që kompanitë kanë prezantuar dhe një pjesë e madhe e punëkërkuesve kanë lënë kontaktet përkatëse pranë subjekteve private apo shtetërore. Gjatë panairit, të gjithë aktorëve që operojnë në tregun e punës, por edhe kompanive private u është kërkuar që të ndërmjetësojnë për hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe për të pasur një bashkëpunim sa më të ngushtë me Zyrën Rajonale të Punësimit, për shkak se punësimi mbetet një çështje shumë e ndjeshme.

Bizneset

Sektori privat përbënte pjesën më të madhe të kërkesave për punë në panair. Kompanitë e ndryshme, por edhe subjektet private kishin specifikuar kërkesa të ndryshme për personelin që do të punësonin, në varësi kjo edhe të vendit të punës, që do të plotësohej. Erkanda Vejsiu, përfaqësuese e një prej kompanive turistike, bëri të ditur se kriteret e punësimit janë në bazë të pozicionit të punës. Oferta ishte për shërbimin hotelier për faktin se kjo kompani zotëron edhe një hotel. “Kemi ofruar vende të lira për recepsionist, banakier, kamarier si dhe agjent shitje biletash, operator telefonik, etj. Ka interes të madh nga qytetarët për vende të lira pune. Kriteret janë në bazë të pozicionit të punës. Ne i kemi shpallur kushtet dhe kriteret që kërkojmë të përmbushen për çdo pozicion. Arsimi i lartë nuk është i domosdoshëm për pozicionet e mësipërme, por kriter është gjuha angleze dhe italiane për komunikim me klientët tanë”,- deklaroi Vejsiu. Ndërkohë, Vilma Profkola, përfaqësuese e Teleperformancës, një prej kompanive që ofronte 200 vende të lira pune, tha se,- “interesimi nga të papunët është i madh. Kriter kryesor për punësimin tek ne është gjuha italiane. Ne i marrim në telefon kandidatët e mundshëm dhe pas testimit të gjuhës italiane dhe trajnimit dy javor, gjatë të cilit njihen me proçesin e punës, punësohen. Kemi patur fluks kërkesash për punësim, janë me qindra që kanë aplikuar. Në të njëjtën kohë përfaqësuesi i një kompanie prodhimi dhe tregtimi mobiljesh deklaroi për “Dyrrah” se kërkon 20 punëtorë me kohë të plotë në kompaninë e tij. Sipas tij janë paraqitur persona të interesuar për një vend pune, por ata duhet të kenë kualifikimin e duhur, në prodhim, prerje dhe montim mobiljesh. Të gjithë ata që kanë aplikuar nuk kanë asnjë kualifikim të mëparshëm dhe për këtë biznes ky ishte një minus, sepse ky subjekt kishte nevojë për krah pune të kualifikuar.

Qytetarët

Nevoja për të siguruar një vend pune i shtyu shumë të papunë t’i drejtoheshin panairit të punës. Një pjesë e të papunëve, megjithëse kanë arsimin e lartë, në pamundësi për të siguruar një vend pune sipas profesionit që kanë, detyrohen, për arsye ekonomike, të pranojnë edhe punë të rëndomta. Kështu një qytetare 40-vjeçare rrëfeu për “Dyrrah” se,- “megjithëse jam me arsim të lartë laborante, detyrohem të punoj si pastruese në disa shtëpi, në mungesë të një pune më të mirë. Aplikova për recepsioniste edhe pse nuk është në nivelin tim, por papunësia është shumë stresuese. Shpresoj të më telefonojnë, pasi kam aplikuar në 4 kompani të ndryshme, megjithëse pak shpresa kam, sepse në këtë moshë kush na merr në punë”.  Ndërkohë një i ri, rreth 25 vjeç, i sapokthyer nga emigracioni u shpreh se kishte aplikuar si specialist në shtrimin e pllakave. Këtë profesion e kishte ushtruar edhe jashtë vendit, por ndihej i dëshpëruar sepse nuk kishte hasur kërkesa nga ndërtuesit. Në pamundësi të ushtrimit të profesionit kishte aplikuar edhe si kamarier dhe shpresonte të siguronte një vend pune në ndonjë nga subjektet që operojnë në zonën turistike.



 

Dejana Burgija

Punëkërkuesit përballë punëmarrësve

Objektivi ishte që të viheshin përballë njëri-tjetrit dy produktet kryesore dhe thelbësore të ketij tregu specifik, siçështë kërkesa për punë dhe oferta e vendeve të lira. Ky panair ofron mundësi konkrete për të gjithë të papunët që të provojnë aftësitë dhe kapacitetin e tyre në raport me kërkesat aktuale të tregut të punës, nëpërmjet intervistimit dhe testimit direkt të tyre nga ana e punëdhënësve që marrin pjesë në panair me oferta pune për shumë profesione. Në të njëjtën kohë ai synon të promovojë shërbimet falas të punësimit që i ofrohen kategorive në nevojë nga kjo zyrë, siçjanë ato të ndërmjetësimit për punë, këshillimit profesional, shërbimit të pagesës së papunësisë etj”.



 

Filloreta Kodra

Papunësia nuk është rritur

Zv/ministria e Punës. Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta Filloreta Kodra deklaroi se,- “për të luftuar papunësinë, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë iniciativash, siç është edhe ky panair pune, ndërsa një nga sfidat më të mëdha mbetet kualifikimi i punëkërkuesve përballë tregut të punës”. “Shqipëria,- sipas zv/ministres së punës,- mbetet nga të paktat vende të rajon që nuk është prekur nga kriza, ndaj dhe numri i të papunëve nuk është rritur”. Emigrantëve, të cilët janë kthyer apo synojnë të kthehen në vendin tonë për shkak të krizës që ka prekur vendet në të cilët ata punojnë, Kodra nuk heziton t’u bëjë thirrje që të kthehen, pasi këtu ka nevojë për krah pune.



 

 

45 subjekte morën pjesë në Panairin e Punës, të organizuar nga Zyra Rajonale e Punësimit

Vetëm 5 vende të lira pune u paraqitën në këtë panair nga kompanitë e ndërtimit

240 vende të lira u ofruan nga kompanitë që operojnë në sektorin e industrisë përpunuese

1500 persona aplikuan për një vend pune, kundrejt 800 ofertave të paraqitura nga punëmarrësit

Përgjatë 6 mujorit të parë të këtij viti janë punësuar 1083 punëkërkues nga 1539 të paraqitur në total

Rreth 40 mijë persona figurojnë të punësuar në Durrës, 30 mijë prej të cilëve në sektorin privat