E angazhuar prej vitesh si pjesë aktive e shoqërisë civile si dhe organizatore e spektakleve të bukurisë në qytetin tonë, Myzejen Konduri, është e kudondodhur, sidomos nëse bëhet fjalë për promovimin e femrave, evidentimin dhe nderimin e tyre.

Prej vitesh ajo organizon në prag të festës ndërkombëtare të grave, 8 Marsit, ceremoninë e ndarjes së çmimeve për 10 gratë më të suksesshme përgjatë një viti në Durrës. Në të njëjtën kohë, në prag fushatash elektorale ajo promovon femrat e përfshira nga partitë politike në listat zgjedhore legjislative apo në ato për këshillat komunalë apo bashkiakë. Një punë kjo që vlen të përgëzohet sepse flitet gjithnjë për rëndësinë e promovimit të vlerave të femrave, por që përveç fjalëve, konferencave e seminareve pak realizohet në praktikë një gjë e tillë. Përgjegjshmëria e femrave në çdo detyrë që marrin përsipër të kryejnë është ajo që Konduri vlerëson maksimalisht në karakterin e grave në përgjithësi. Sipas saj,- “kjo përgjegjshmëri është arti i suksesit që i duhet jo vetëm  politikës, por edhe gjetjes së zgjidhjeve për problematikat që has vendi, familja shqiptare, komuniteti i grave, i të rinjve, fëmijëve…”

Sa e vështirë është të jesh grua në karrierë në ditët tona dhe cilat janë problematikat më të shpeshta me të cilat përballeni qoftë me eprorët apo vartësit tuaj meshkuj?

Të jesh grua në karrierë sot do të thotë të përballesh me rrjedhën e ngjarjeve të jetës, herë e lumtur, herë e sforcuar, herë e rrënuar nga pafuqia për ta zhdukur të keqen. Megjithëse jam e ndërgjegjshme se impenjimi  im  kërkon shumë përgjegjësi, përpiqem të jem në lartësinë e duhur se problematikat e kohës nuk zgjidhen me teka e kapriço, por me përkushtim, profesionalizëm dhe me motivim. E keni vënë re këto ditë që agresiviteti i politikës ka rënë pas zgjedhjes së  Presidentit. Ne gratë, nënat, përjetuam shumë ankth. Jo se nënat e motrat tona janë indiferente ndaj politikës, por fryma e përgjegjshmërisë për familjen dhe Atdheun, i përfshiu emocionalisht. Kjo përgjegjshmëri e tyre është arti i suksesit që i duhet jo vetëm  politikës, por edhe gjetjes së zgjidhjeve për problematikat që has  vendi, familja shqiptare, komuniteti i grave, i të rinjve dhe fëmijëve. E them këtë se ne gratë, edhe në këto kohë, vuajmë nga mbartja e mentalitetit maskilist tek shumica e meshkujve. Eprorët ,që jo rrallë janë katapultuar  nga militantizmi i tyre, janë pengues nga mosnjohja e problemeve dhe shumë kundërshtues me ata që mendojnë ndryshe. Në këtë qasje, unë vartësit i përzgjedh jo nga diplomat false, por nga vlerat, duke mos harruar se as vetë nuk jemi perfektë. Përpiqem të alternoj përvojën time me energjinë e koherencën e tyre se kështu s’ka gur që s’thyhet, s’ka akull që nuk shkrihet.

A ju është dashur të sakrifikoni për të arritur objektivat që i keni vënë vetes?

Fëmija, bukuria e jetës, që gruaja e nxjerr në dritë përmes dhimbjeve, është sakrifica më hyjnore. Duke iu referuar këtij fakti, mendoj që për të rritur cilësinë e të jetuarit, në përditshmërinë time ndjek rrjedhën e normalitetit pa shmangur shumë detyrime të rëndomta që mua më duken të domosdoshme. Përgjithësisht, krahas detyrës profesionale, përzgjedh atë që më duket e vlefshme. Koha më e çmuar është koha që ia kushtoj shkrimit të librave. Aty, të menduarit e të jetuarit prekin magjinë e artit. Efekti magjik i të shkruarit më krijon emocione të veçanta. Jeta ime sociale është e pasur, por e programuar nga unë vetë, për të shijuar pak muzikë, ndonjë film, emision me temë politike, sociale apo kulturore. Pra edhe përballja me moshën e paqartësive të fëmijëve të mi që në qoftë se e anashkalon sjell dëm të madh jo vetëm për  ta, por edhe për familjen. Këtë nuk e neglizhoj asnjëherë, ndryshe do ishte i paplotë çdo objektiv që synojmë të realizojmë a të arrijmë. 

A përballeni me skepticizmin e burrave gjatë ushtrimit të detyrës?

Sigurisht! Po këtu duhet të bëjmë një selektim të kujdesshëm. Detyrimet profesionale e shoqërore krijojnë bashkëpunime që jo rrallë janë vlerësuese. Kjo vjen nga edukata, niveli i tyre kulturor e profesional dhe respekti reciprok i vlerave. Nga ana tjetër është tronditëse, miopia e tyre, prepotenca arkaike herë herë e frikshme që do të frenojnë emancipimin që sjell zhvillimi. Këtu qëndrimi im bëhet kundërshtues. Po jo gjithnjë ka qënë lehtësisht e pranueshme.

Gjithnjë flitet për vështirësitë që mund t’i krijohen një femre nga kolegët e saj meshkuj, por pak flitet për raportet me vartëset femra. Si mund t’i vlerësoni këto raporte?

Në rrugën e karrierës hasim në fronte të ndryshme raporte me kolege me fuqi ekonomike, me pushtet, me aftësi profesionale, me vlera shoqërore si dhe me konkurrencën e fshehur me negativitet. Me të parat raporti ka qenë stimulues, pa lejuar të humbas individualitetin tim. Me të dytat, fillesat kanë qenë të sinqerta deri sa krijojnë nyjen. Vuajtjen prej tyre nuk kam mundur ta shpërfill. Por me përkushtimin e sinqeritetin tim i kam çekuilibruar në të keqen e grumbulluar.     

Numri i grave të angazhuara në pozicione drejtuese në parti politike, në biznes, në administratën publike etj ka ardhur duke u rritur vitet e fundit. Sipas jush çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim për t’i dhënë femrës vendin që meriton?

Unë nuk i përkas asnjë partie. Kjo nuk do të thotë se jam indiferente për rolin e tyre. Edhe në 2013 do të kontribuoj për të promovuar gra që meritojnë të na përfaqësojnë në instancat më të larta të pushtetit, pa pyetur se cila parti i ka përzgjedhur. Përmenda angazhimin tim për këto gra që do të jenë në pozicione vendimmarrëse në pushtet a pozicione drejtuese, sepse përzgjedhja e duhur e tyre do të mundësojë mbështetjen e tyre për gratë e angazhuara në biznes, administratën publike si dhe për të bërë më shumë në zgjidhjen e problemeve burokratike dhe vështirësive të kohës.Në qytetin tonë ne kemi të drejtë të krenohemi me zonjat e nderuara në fushën e politikës si deputeten Klodiana Spahiu e PS-së, kryetaren e Këshillit të Qarkut znj. Eglantina Begteshi e PD-së. Në fushën e biznesit dua të përmend Znj. Eleni Babameto, znj. Shpresa Prodani, znj. Elsa Baltëza, Znj. Neti Troplini, Znj. Eva Lekli, znj. Eda Gjuzi, Znj. Engji Shiroka, znj. Zhaneta Saliu. Në administratën publike znj. Mimoza Laku, znj, Madalena Cara, etj. I përmenda ato për të thënë që duhet të ngulmojmë më tepër për evidentimin e grave të suksesshme, motivimin e tyre e pse jo edhe përcaktimit të qëllimeve të caktuara për to.