Ekonomia është parë gjithnjë si një sektor ku dominojnë meshkujt, jo më kot këta të fundit shihen gjithnjë si shtylla e familjes, ata që sigurojnë të mirat materiale për të gjithë anëtarët e tjerë. E në këtë kuptim duke u nisur nga bërthama më e vogël që është familja rrethi vjen duke u zgjeruar në shoqëri.

Një vit më parë në postin e shefit të Fondit Monetar Ndërkombëtar u vendos për herë të parë një femër, francezja Christine Lagarde, e cila gjatë vitit 2009 u shpall nga gazeta Financial Times, ministrja më e mirë e financave e vendeve të Eurozonës. Pra pavarësisht faktit se kanë qenë meshkujt ata që kanë predominuar në pozicione drejtuese në banka dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm të ekonomisë, si në Shqipëri ashtu edhe në vendet europiane e më gjerë, vitet e fundit edhe ky pozicion i qëndrueshëm i meshkujve ka nisur të lëkundet. Vitet e fundit, një dukuri që vihet re gjerësisht në pjesën më të madhe të bankave të nivelit të dytë në vendin tonë është fakti se jo vetëm përsa i përket stafit dominojnë gratë dhe vajzat, por ky dominim vihet re edhe në postet drejtuese, ku shumë filiale bankash në Durrës drejtohen nga femrat. Një nga këto është dhe Silvana Gerxhani, drejtoreshë e filialit të First Investment Bank në qytetin tonë. Sipas saj,- “femrat nuk duhet të presin që vendin që meritojnë t’ua japin të tjerët, atë duhet ta marrin vetë, me zgjuarsinë, këmbënguljen, intuitën dhe durimin që e karakterizon këtë gjini”.

Sa e vështirë është të jesh grua në karrierë në ditët tona dhe cilat janë problematikat më të shpeshta me të cilat përballeni qoftë me eprorët apo vartësit tuaj meshkuj?

Të jesh grua në karrierë është sa e vështirë aq edhe e bukur. Është e vështirë sepse femrat, nga vetë natyra, janë konsideruar gjithmonë si qënie e brishtë dhe kjo ka bërë që shpesh të paragjykohen për aftësitë e tyre gjatë ngjitjes së shkallëve të karrierës. Por është e bukur, sepse është një sfidë shumë e madhe, fitorja e së cilës rrjedhimisht të ofron një kënaqësi shumë të madhe. Problematikat më të mëdha janë ato lidhur me këndvështrimet e ndryshme që kanë dy gjinitë. Një mashkull e sheh një femër si asistente të tijën, ose maksimumi si kolege. Por e ka shumë të vështirë ta shohë si më të mirë se veten në detyrën që kryen dhe aq më tepër si eprore direkte. Si rrjedhojë e kësaj lindin shumë shpesh kontradikta dhe mosmarrëveshje, të cilat e vështirësojnë proçesin e punës së përditshme. Problematikat më kryesore që unë kam hasur, që në fillimet e punës sime, kanë qenë të lidhura kryesisht me pengesa në punën e përditshme, me burokracira të ndryshme për të më bërë të dal keq para eprorëve, e të tjera si këto. Problematika me eprorët nuk kam pasur, pasi e njoh dhe e respektoj hierarkinë. Mundohem të bëj punën time në mënyrën më profesionale të mundshme, pa krijuar konflikte apo afrimitete të tepërta me eprorët, në mënyrë që gjërat të ecin në rrjedhën e duhur.

A ju është dashur të sakrifikoni për të arritur objektivat që i keni vënë vetes?

Më është dashur të sakrifikoj shumë. Për thuajse një periudhë shumë të gjatë jeta ime personale thuajse nuk ekzistonte, dmth ishte lënë në plan të dytë totalisht. Kisha një avantazh lidhur me femrat e tjera (gjithmonë nëse mund të quhet i tillë), që nuk kisha krijuar akoma një familje timen. Por kjo ishte edhe sakrifica më e madhe që kam bërë gjatë këtyre viteve. Është shumë e vështirë t’i bësh shumë mirë të gjitha dhe unë nuk kam dashur t’i bëj gjërat përgjysëm. Tashmë që kam arritur një farë pjekurie profesionale mendoj që jam në gjendje t’i përballoj të dyja këto impenjime shumë të mëdha.

A përballeni me skepticizmin e burrave gjatë ushtrimit të detyrës?

Çdo ditë, më së shumti me klientët. Që në momentin që shohin një femër në karrige, mendojnë se gjërat mund t’i kalojnë shumë lehtë, por pasi më njohin e kuptojnë që është komplet e kundërta. Nuk jam feministe si tip, por jam racionale. Mendoj që njerëzit janë ose jo të aftë, pavarësisht gjinisë së tyre. Në punën time kam njohur meshkuj që mund t’i perkufizoj gjenialë në atë që bëjnë, por kam njohur edhe të tjerë që nuk dinë as qëllimin e punës së tyre. Por jam gjithashtu e vetëdijshme që skepticizmi i meshkujve ndaj nesh do të ekzistojë gjithmonë, për sa kohë që në bërthamën e familjes edukohen me idenë që femra është e brishtë dhe duhet mbrojtur, ndërsa mashkulli është ai që duhet t’i dalë zot familjes.

Gjithnjë flitet për vështirësitë që mund t’i krijohen një femre nga kolegët e saj meshkuj, por pak flitet për raportet me vartëset femra. Si mund t’i vlerësoni këto raporte?

Edhe këto raporte varen nga personi me të cilin bashkëpunon. Siç e përmenda më lart, baza e gjithçkaje është njeriu, jo gjinia e tij. Unë kam pasur raporte shumë të vështira me eproren time të parë femër, në fillimet e mia. Burimi i tyre ishte një xhelozi e pakuptimtë dhe meskine dhe kjo është normale për një pjesë të madhe femrash (por edhe meshkujsh). Por nuk mund të lë pa përmendur raportet e mia të shkëlqyera me eproren time të dytë, e cila më inkurajoi dhe më bëri të arrij këtu ku jam sot. Pra në një botë kaq komplekse nuk mund të gjykosh bazuar në gjininë e personave, por në karakterin dhe personalitetin e tyre. Ajo për të cilën më vjen keq është që në punën e përditshme shoh që meshkujt solidarizohen më shumë me njeri-tjetrin se sa ne femrat, pra jemi ne që duhet ta shohim të parat gabimin te vetja.

Numri i grave të angazhuara në pozicione drejtuese në parti politike, në biznes, në administratën publike etj. ka ardhur duke u rritur vitet e fundit. Sipas jush çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim për t’i dhënë femrës vendin që meriton? 

Ka akoma shumë për të bërë. Mesa kam parë në të gjitha administratat, bizneset, partitë politike etj., femrat edhe pse luajnë një rol shumë të rëndësishëm, janë gjithmonë në backstage. I shohim femrat në të gjitha pozicionet ku nevojitet punë e madhe, durim, këmbëngulje, por shumë rrallë i shohim ato në pozicionet më të larta drejtuese. Për mendimin tim nuk duhet që femrat të presin që meshkujt të ndryshojnë mentalitetin e tyre brenda një dite, por duhet të shtojnë përpjekjet për t’iu imponuar atyre. Duhet të vazhdojnë të punojnë sa më shumë, pa pyetur për skepticizmin apo paragjykimin e të tjerëve, në mënyrë që t’u tregojnë kolegëve meshkuj që nuk kanë asgjë më shumë se ato. Shumë shpesh gabimin e bëjmë ne femrat, të stepura nga opinioni, nga familja dhe nga një sërë gjërash të tjera, duke qëndruar në hije. Nuk duhet të presim që vendin që meritojmë të na e japin të tjerët, atë duhet ta marrim vetë, me zgjuarsinë, këmbënguljen, intuitën dhe durimin që na karakterizon si gjini.