Orë të tëra pa gjumë, të kaluara larg familjes së tij, përherë në pritje të telefonatës së rradhës që mund ta thërriste të kthehej sërish në punë, takimet me pacientë të ndryshëm, komunikimet e vazhdueshme me familjarët e të sëmurit, komplikacionet e rasteve të veçanta, udhëtimet nëpër qendrat shëndetësore etj. ishin rutina e tij e përditshme

“Mjeshtër i madh” është titulli më i fundit që është shtuar në CV-në e pasur të kirurgut të njohur durrsak, Miri Hoti. Dekorimi i akorduar në ditët e para të muajit qershor nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, konfirmon edhe njëherë respektin dhe mirënjohjen për kontributin e madh shumëvjeçar të dhënë nga mjeku Hoti në fushën e shëndetit publik. Gjatë karrierës së tij të gjatë në mjekësi, në duart e Hotit kanë kaluar me mijëra pacientë, që sot i janë mirënjohës për përkushtimin e treguar prej tij, për humanizmin dhe aftësitë profesionale gjatë ushtrimit të detyrës. Edhe sot e kësaj dite ai vazhdon të ofrojë shërbimin e tij të vyer ndaj pacientëve, pa të cilët duket se nuk bën dot. Megjithëse nuk e kishte menduar ndonjëherë veten me bluzën e bardhë të mjekut, rastësia e solli që t’i caktohej pikërisht ajo degë, ku ai do të angazhohej maksimalisht e ku do ta lidhte jetën pazgjidhshmërisht me problematikat e pacientëve. Vlerësimi që gëzonte në popull dhe angazhimi politik do të kurorëzoheshin në vitin 2000 me zgjedhjen e tij në postin e kryebashkiakut të Durrësit, për një mandat tre vjeçar. Ndërkohë në vitet e para të demokracisë ai ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, në legjislaturën 1992-1996.  Në vitin 2002, me rastin e 60 vjetorit të lindjes iu akordua nga Këshilli Bashkiak titulli “Qytetar nderi” i Durrësit.

Pasioni që u rrit ndër vite

Tashmë kur ka një karrierë të tërë mbi supe si kirurg mjaft i njohur, Miri Hoti nuk e ka të vështirë të sjellë ndërmend ato momente, që përcaktuan profesionin e tij në jetë. Kujton se ndërsa ishte maturant në shkollën e mesme të përgjithshme “29 nëntori”, në Shkodër, mjekësinë e kishte vendosur të tretën përsa i përket preferencave, pas degës së Shkencave Natyrore dhe Inxhinierisë së Ndërtimit. Ndërsa synonte një profesion krejt tjetër, fati e solli të studionte në degën që preferonte më pak. Gjithsesi, fakti që pas disa vitesh do të gëzonte emrin mjek e shtyu t’i futej me zell studimit të lëndëve dhe praktikës në spital. “Ishte kjo e fundit,- kujton kirurgu Hoti,- ajo që ia shtiu më në gjak dëshirën për t’u marrë me kirurgjinë. Në vit të tretë të fakultetit  nuk ishin të pakta raste kur bashkë me profesorët tanë rrinim zgjuar deri në mëngjes duke kryer ndërhyrje të ndryshme, të cilat do të më shërbenin pastaj si eksperiencë pune gjatë ushtrimit të profesionit”. Pas përfundimit të studimeve i ofrohet një vend pune në Fakultetin e Mjekësisë për sëmundjet e brendshme. Vërtet ishte rast për të mos u humbur, por mjeku i sapodiplomuar synonte diçka tjetër, donte të operonte, të ushtronte profesionin e kirurgut. Mungesa e një mjeku kirurg në Durrës, në atë kohë, bëri që shumë shpejt dëshira e tij të plotësohej. Në vitin 1966 ai nisi të punonte si kirurg në spitalin e Durrësit, së bashku me Dr. Paskal Prodanin, kolegun dhe mësuesin e tij, për të cilin flet me shumë respekt edhe tani.

Vështirësitë e punës

“Të punoje mjek në atë kohë nuk ishte aspak e lehtë. Kërkohej sakrificë e madhe, përkushtim maksimal në punë dhe profesionalizëm”,- rrëfen Hoti. Ndërsa bën krahasimin me mjekësinë e sotme, me shërbimin që i ofrohet pacientit, kirurgu i njohur kujton se në ato kohë mjekësia ishte shumë më primitive. “Në shumë raste vinin pacientë me trauma të mëdha, që kërkonin ndërhyrje kirurgjikale disa orëshe, por anestezia e asaj kohe e kishte të vështirë qëndrimin e një pacienti për një kohë kaq të gjatë në sallën e operacionit. Rastet më të vështira ishin ato të punëtorëve të bujqësisë të aksidentuar nga traktorët apo autokombajnat, apo të fëmijëve të vegjël të djegur. Zgjerimi i veprimtarisë së portit të Durrësit bëri që të shtohej numri i të aksidentuarve. Në ato kohë aksidentet në punë ishin të shpeshta, sepse në raste të veçanta siguria linte për të dëshiruar”,- thotë Hoti.

Megjithëse ka kaluar mijëra pacientë në duar, ai kujton si rastet me rrezikshmëri më të larta dhe komplikacione ato të fëmijëve të vegjël, madje të porsalindur, kur përkujdesi i bluzave të bardha duhet të ishte maksimal. Në atë kohë qyteti nuk kishte këto përmasa dhe popullsi që ka sot, por ama zona që duhet të mbulonin me shërbim mjekësor mjekët e spitalit të Durrësit ishte shumë e gjerë, nga Peqini, në Krujë e Lushnjë. Vetëm dy kirurgë duhet të mbulonin të gjitha rastet që kishin nevojë për ndërhyrje kirugjikale, prandaj ngarkesa në punë ishte shumë e madhe. Në mjaft raste telefoni i shtëpisë binte në çdo orë të natës, pasi pranë spitalit paraqiteshin raste të reja, apo pacientët e operuar paraqesin komplikacione shëndetësore. Ndërsa i kujton si vite të sakrificave të mëdha, Hoti nuk harron të nënvizojë se çdo jetë e shpëtuar, çdo pacient që i kthehej normalitetit, ishte meritë e një ekipi të tërë, mjekësh e infermieresh që tregonin kujdes maksimal në ushtrimin e detyrës.

“Pa këtë bashkëpunim, pa këtë punë në grup asgjë nuk mund të realizohej ashtu si ne shpresonim dhe dëshironim”,- thotë ai. Për 21 vjet me rradhë ka dhënë mësim në Teknikumin Mjekësor në Durrës, për kualifikimin e kuadrit të mesëm, një hallkë e rëndësishme në funksionimin e sistemit shëndetësor në vend. Krahas punës në spital, mjekët në atë kohë duhet të shkonin një herë në javë në qendrat shëndetësore në qytete apo rrethe të tjera, për të vizituar dhe mbajtur nën vëzhgim pacientët që kishin nevojë për përkujdes shëndetësor. Ndërkohë në vitet 1975-1983 ai do të ishte drejtor i Spitaleve të Durrësit duke nënkuptuar në këtë mënyrë një angazhim edhe më të madh dhe një përfshirje edhe më të gjerë në të gjitha problematikat e shëndetit publik të rrethit të Durrësit. Orë të tëra pa gjumë, të kaluara larg familjes së tij, përherë në pritje të telefonatës së rradhës që mund ta thërriste të kthehej sërish në punë, takime me pacientë të ndryshëm, komunikimet e vazhdueshme me familjarët e të sëmurit, komplikacionet e rasteve të veçanta, udhëtimet nëpër qendrat shëndetësore etj. ishin rutina e tij e përditshme. Duke kujtuar ato vite, kirurgu Miri Hoti dëshiron të theksojë se mbështetja e familjes së tij, bashkëshortes Jeta, farmaciste në profesion, ka qenë gjëja që e ka shtyrë të bëjë përpara. Mungesat e tij të vazhdueshme në familje janë ndoshta pengu i jetës së tij, por gjithsesi ndihet mirë që fëmijët kanë arritur të ndjekin gjurmët e prindërve në jetë. Kështu djali i tij, Redi, është mjek traumatolog-ortoped, pranë spitalit të Durrësit, ndërsa vajza duket se ka ndjekur shembullin e  së ëmës, farmaciste, ndërkohë që punon edhe si pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Me pak fjalë, një familje e tëra e veshur “me të bardha”.

Angazhimi publik

I rreshtuar që në ditët e para në rradhët e Partisë Socialiste dhe në forumet drejtuese të saj, Miri Hoti shumë shpejt do ta shihte veten  në listën e deputetëve të së majtës në legjislaturën 1992-1996. Ndërsa deri tani u kishte qëndruar pranë pacientëve dhe të afërmve të tyre dhe u kishte dhënë këshilla për problemet shëndetësore që ata paraqisnin tani i duhej të dëgjonte hallet dhe shqetësimet e një komuniteti të tërë, që në ato vite përballej me një tranzicion mjaft të ashpër, pasi po kalohej nga diktatura e proletariatit, në një demokraci, që ende për shumë njerëz ishte një koncept jo shumë konkret. Karriera e tij do të kulmonte në vitet 2000-2003, kur do të zgjidhej kryetar i Bashkisë së Durrësit. Dashurinë dhe respektin që gëzonte një qytet i tërë për kirurgun e njohur, durrsakët e treguan me votën e tyre.

Kur kujton atë kohë kirurgu Hoti shprehet se i dukej vetja si “një kryefamiljar që i ka nuset të pandara”, pra një familje goxha e madhe, shpeshherë me problematika të theksuara, të cilat pavarësisht vullnetit të mirë jo gjithnjë gjenin zgjidhje optimale për të gjithë. Ndërsa i duhej të zgjidhte shumë halle e shqetësime të përditshme, të menaxhonte administrimin e një qyteti të tërë, të përcaktonte prioritetet e investimeve e shumë detyra të tjera që mbarte me vete posti ku ishte zgjedhur, Hoti shprehet se ndoshta disa çështjeve duhet t’i kishte dhënë një zgjidhje tjetër. Megjithëse pranon se për problematika të veçanta mund të kishte vepruar ndryshe ai shprehet se ligji për pushtetin vendor, i asaj kohe, nuk garantonte decentralizimin e pushteteve e për pasojë nuk të jepte dorë të lirë të veproje e të investoje në projektet që i konsideroje si më emergjentet. Gjithsesi ai ndihet mirë që njerëzit gjithnjë do ta kujtojnë si doktor Miri. Nderimi dhe mirënjohja e pacientëve janë për të një arritje e madhe pas një jete të tërë kushtuar shpëtimit të jetës, gjësë më të vyer të qenies njerëzore.