Çdo shërbim që u ofrohet grave shtatzënë nga mamia dhe mjeku i familjes, medikamentet që ka marrë, këshillat mjekësore, analizat dhe çdo gjë tjetër futen në sistem. Kjo e lehtëson punën e mjekut, i cili sapo paraqitet pacientja hap kartelën e saj në kompjuter dhe vëren shërbimet që i janë ofruar për të kaluar më pas në hapat e tjerë
Kohët e fundit, shërbimi në maternitetin e Durrësit është ndarë në obstetrik dhe gjinekologji. E para ka si detyrë të ndjekë shtatzëninë, lindjen dhe lehoninë. E dyta ndjek dhe kujdeset për sëmundjet e aparatit gjenital të gruas si çrregullime e ndryshme të ciklit menstrual, tumoret e pathologjitë e tjera. Tre vite më parë shtëpia e nënës dhe fëmijës në spitalin e Durrësit iu nënshtruar rikonstruksionit. Sot kushtet në maternitet janë tërësisht të përmirësuara krahasuar me periudhën e afërt. Hoteleria, pajisjet, aparaturat janë vendosur të gjitha të reja dhe të kohës, ndërsa repartet e këtij spitali kanë tashmë aparatura moderne të cilat janë futur për herë të parë. Sistemi i ngrohjes, ajrimit dhe kondicionimit ka rritur cilësinë e shërbimit, ndërsa mjediset e brendshme dhe të jashtme i janë nënshtruar kujdesit të mirëmbajtjes dhe higjenës. Pas investimeve të bëra materniteti ka ujë të pijshëm në çdo kohë, energji elektrike pa shkëputje dhe shërbime të tjera ndihmëse si bare, lokale shërbimi, telefon e të tjera.
Shefi i shërbimit të obstetrikës, dr. Arjan Prodani thotë se në maternitet nuk mungon asnjë lloj aparature dhe pajisjeje që shërben për të ndjekur gjendjen e gruas dhe të fëmijës. Futja e aparaturës së kalotokografit dhe ekografisë ka zgjidhur përfundimisht çdo kërkesë për ndjekjen dhe shërbimin shëndetësor cilësor ndaj shtatzënave dhe fëmijëve të posalindur. Dr. Prodani ka bërë të qartë gjithashtu se tërë ekipi i mjekëve është aftësuar e kualifikuar për të përdorur aparaturat dhe për të lexuar të gjitha të dhënat e ofruara në mënyrë elektronike. Kjo ka bërë që vdekshmëria dhe sëmundshmëria të shkojnë drejt përmirësimit rrënjësor krahasuar me vitet e kaluara. Materniteti afron prej dy vitesh shërbim me ekip prej katër mjekësh. Prej tyre, dy janë specialistë obstetër-gjinekolog, një mjek pediatër neanotolog dhe një reanimator.
Në të tilla rrethana shërbimi është pa ndërprerje në 24 orë dhe kjo ka ulur në mënyrë të ndjeshme kërkesat e grave për t’iu drejtuar materniteteve në Tiranë apo klinikave private për konsultë dhe shërbim shëndetësor. “Spitali i Durrësit tashmë ka përmbushur të gjitha standartet për të qenë klinikë universitare dhe për të përgatitur studentë të fakultetit të Mjekësisë”,- thotë dr. Prodani në cilësinë e shefit të shërbimit të obstetrisë në maternitetin e Durrësit. Ai ka sqaruar se ky spital ka mjekë shumë cilësorë dhe aparatura moderne, dy kritere të forta për të fituar statusin e klinikës universitare. Rreth 4000 gra i nënshtrohen shërbimit në maternitet, pjesa më e madhe e të cilave për lindje, ndërsa 25 përqind e tyre për pathologji të brendshme. Sot kushtet spitalore janë përmirësuar ndjeshëm dhe kjo ka ndikuar edhe në rritjen e cilësisë për kujdesin ndaj nënës e fëmijës.
Lindjet dhe Operimet
Përmirësimi i kushteve dhe personeli i kualifikuar i mjekëve dhe kirurgëve së bashku me personelin ndihmës të bluzave të bardha ka shtuar numrin e rasteve të lindjes me anë të operacionit. Vit pas viti raporti i lindjeve në mënyrë natyrale me lindjet çezariane kanë anuar në drejtim të ndërhyrjes kirurgjikale. Shefi i shërbimit të obstetrisë, dr. Arjan Prodani ka bërë të ditur se në bazë të statistikave që ka materniteti 30 përqind e grave të shtruara për lindje i sjellin në jetë foshnjet me anë të operacionit. Ndërhyrja kirurgjikale këshillohet në rastet e indikacioneve absolute të problemeve të shfaqura. Një hap i tillë kushtëzohet nëse fetusi (fëmija) është i madh, nëna ka shtat të shkurtër, ka probleme me ngushtimin e bacenit, një përvojë jo e këndshme e një lindje natyrale e cila është shoqëruar me dhembje të mëdha e të tjera shkaqe. Mjekët në maternitetin e Durrësit ndeshen me shtimin e kërkesave të grave që kërkojnë të lindin përmes operimit. Sot ndërhyrja kirurgjikale është plotësisht e garantuar për jetën e nënës dhe foshnjes, megjithatë mjekët kërkojnë që gratë të këmbëngulin për të lindur në mënyrë natyrale. Kushtet e larta profilaktike, higjena, steriliteti dhe çdo gjë që ka të bëjë me këtë ndërmarrje janë të standarteve shumë cilësore.
Gjatë muajve janar-qershor në maternitetin e Durrësit kanë ardhur në jetë rreth 2300 foshnje, ndërsa mesatarja vjetore arrin në 2700-2900 lindje, shifër kjo në nivelet mesatare të viteve. Mjekët obstetër-gjinekologë janë shprehur se afro 25-30 përqind e kësaj shifre i përket lindjeve me anë të ndërhyrjes kirurgjikale. Shefi i obstetrisë dr. Arjan Prodani ka bërë të qartë se vdekshmëria amtare prej vitesh është zero në maternitet, ndërsa ka rënie të dukshme mortaliteti perinatal. Nga ana tjetër vërehet se numri i lindjeve sa vjen e bie. Prodani për disa vite ka shërbyer në dikasterin qëndror, në Ministrinë e Shëndetësisë, si drejtor departamenti. Në bazë të statistikave që disponon mësohet se numri i lindjeve para vitit 1990 në shkallë vendi ka qenë 82.000 lindje në vit. Për shkak te emigrimit masiv në vitet 1991-1992 të më shumë se 25 përqind të popullsisë riprodhuese shifrat e lindjes ranë në 60-62 mijë. Sot, pas afro 20 vitesh në shkallë vendi, numri i lindjeve nuk kapërcen të 45 mijë lindjet në vit. Për shkak të lëvizjes demografike të popullsisë ka zona që statistikat e lindjeve i kanë shumë të ulta, ndërsa Durrësi, edhe për shkak të popullimit nga të ardhur, ka mundur të ruajë shifrat, ndonëse një pjesë e popullsisë së aftë për riprodhim ka emigruar jashtë vendit.
Mjeku i familjes
Sot në shërbimin shëndetësor është futur sistemi i referimit. Pra gratë shtatzëna duhet të kalojnë detyrimisht në kontroll tek mamia e lagjes dhe mjeku i familjes para se të shkojnë tek specialisti. Të gjitha gratë që kanë ndjekur këtë rrugë përfitojnë 3 ECO dhe 4 herë analiza gjatë shtatzënisë falas, gjë që nuk e përfitojnë gratë jashtë këtij sistemi. Por kartelizimi i grave ka edhe të tjera përparësi. Kohët e fundit shërbimi obstetrik-gjinekologjik është futur në sistemin e kompjuterizimit të të dhënave të quajtur sistemi ASTRAJA. Çdo shërbim që u është ofruar grave shtatzënë nga mamia dhe mjeku i familjes, medikamentet që ka marrë, këshillat mjekësore, analizat dhe çdo gjë tjetër futen në sistem. Kjo e lehtëson punën e mjekut, i cili sapo paraqitet pacientja hap kartelën e saj në kompjuter dhe vëren shërbimet që i janë ofruar për të kaluar më pas në hapat e tjerë. Materniteti në Durrës ka 30 pika nga ku mund të kontrollohet kartela. Kështu pika të tilla kompjuterike ka në dhomën e mjekut, sallën e pranimit të nënës shtatzënë, sallën e operimit, sallën e paralindjes, sallën e lindjes. Kjo e rrit përgjegjësinë e bluzave të bardha, pasi shërbimi që shkruhet nuk fshihet më ndaj mjeku i familjes rrit predispozicionin për të qenë sa më i saktë në kryerjen e vizitave dhe në rekomandimet e dhëna. Mjekët obstetër e gjinekologë kërkojnë që çdo grua dhe çift bashkëshortësh të jenë të vëmendshëm në rastet kur bëhet fjalë për shëndetin e barrës së gruas.
Abortet, shqetësojnë KE-në
Sipas një raporti të fundit të Këshillit të Europës, në Shqipëri lindin 112 meshkuj për çdo 100 femra, një shifër mjaft joproporcionale në krahasim me raportin e rritjes natyrore demografike. Shqipëria ka një situatë të ngjashme në disa vende të tjera kaukaziane, ndërsa Kosova është ndër vendet më problematike në Ballkan. “Nëse më parë kjo praktikë vihej në zbatim dekadat e kaluara në vendet aziatike tani ajo aplikohet shpesh edhe në Shqipëri, Armeni, Azerbajxhan dhe Gjeorgji”,- thuhet në raportin e datës 16 shtator të vitit të kaluar. Sipas tij, zgjedhja e seksit para lindjes është për t’u dënuar si një fenomen që gjen rrënjët në një kulturë të pabarazisë gjinore dhe përforcon një klimë të dhunës kundër grave. Në nëntor të 2011-ës, Këshilli i Europës miratoi rezolutën sipas së cilës, shtetet anëtare rekomandohen të bëjnë ndërhyrje në legjislacion dhe të hartojnë politika duke marrë masa që kufizojnë përdorimin e diagnozave para lindjes për gjininë e foshnjës, me përjashtim të rasteve kur ato janë të domosdoshme nga ana mjekësore. “Përveç kësaj, qeveritë e Shqipërisë, Armenisë, Azerbajxhanin dhe Gjeorgjisë janë ftuar që të marrin hapa të mëtejshëm me qëllim trajtimin e shkaqeve të përzgjedhjes së seksit prenatal, mbledhjen e të dhënave të besueshme për këtë fenomen dhe ngritjen e vetëdijes në mesin e profesionistëve publikë dhe shëndetësorë”,- thuhet në raportin e KE. Por, nga raportimet që autoritetet shqiptare kanë bërë pranë Këshillit të Europës, ky fenomen është cilësuar si sporadik. Pavarësisht kësaj, vendi ynë renditet ndër të vetmet në Europë ku mungojnë të dhënat për numrin e aborteve në klinikat private. Ndaj, të dhënat e abortit rrjedhimisht nuk janë reale dhe studimet e kryera janë të projektuara vetëm mbi ato të dhëna që merren nga spitalet publike.