Sapo njihesh me zysh Vezikon, siç i pëlqen asaj ta thërrasin, kupton se e ka të lindur pasionin për mësimdhënien. Një jetë të tërë i ka kushtuar arsimimit të dhjetëra breza nxënësish, që gjithnjë e kujtojnë për gjallërinë, dinamikën, ekspresivitetin dhe dashurinë me të cilën i përcillte dhe vazhdon t’i përcjellë dijet që ata duhet të përfitojnë gjatë orëve të mësimit.
E angazhuar krahas mësimdhënies, edhe në aktivitetet politike (ka qenë ndër të parat femra të angazhuara pranë PS-së dhe vazhdon të jetë pjesë e strukturave drejtuese të saj dhe anëtare e Këshillit Bashkiak) ajo pranon se përkushtimi ndaj karrierës e privon disi femrën nga angazhimet familjare të saj dhe marrëdhëniet shoqërore. Gjithsesi ajo thekson se pikë së pari femrat që i futen rrugës së karrierës duhet të jenë të vendosura të ecin përpara dhe të përballojnë vështirësitë që i dalin rrugës. Paragjykimet e tipit “nuk mund ta bëj këtë punë një femër pasi ka dhe angazhime familjare, më mirë të caktohet në vend të saj një mashkull” duhet të luftohen pikë së pari nga femrat thotë Kerraj.
Sa e vështirë është të jesh grua në karrierë në ditët tona dhe cilat janë problematikat më të shpeshta me të cilat përballeni qoftë me eprorët apo vartësit tuaj meshkuj?
Unë karrierën time ia kam dedikuar arsimit. Puna në arsim është sa fisnike aq dhe e vështirë. Megjithatë mund të them se karriera ime ka qenë e suksesshme dhe kam arritur rezultate të kënaqshme gjatë punës sime në arsimin parauniversitar. Këto rezultate nuk kanë ardhur pa lodhje, pa mundime, pa përkushtim. Jam munduar të jap shumë nga vetja ime gjatë punës me nxënësit e mi. Në rradhë të parë i kam kushtuar rëndësi të veçantë përgatitjes sime profesionale. Jam përpjekur të punoj në mënyrë intensive me brezin e ri në mënyrë që e ardhmja e Shqipërisë të jetë e sigurt nesër. Kënaqësinë e punës sime po e shijoj më shumë tani që jam në pension, pasi konstatoj se breza të tërë që unë kam përgatitur kanë arritur të bëhen evidentohen në fushat ku ata punojnë, qofshin mjekë, arsimtarë, arkitektë, inxhinierë. Kënaqësinë e kanë ata, por njëkohësisht e kam dhe unë si mësuese e tyre. Vështirësi pune përsa i përket raporteve me kolegët nuk mund të them që nuk ka pasur, pasi në Shqipëri ekziston ende mentaliteti që femra duhet të merret me punët e shtëpisë, me edukimin e fëmijëve. Këtë mentalitet e kam hasur më shumë në vitet e para të punës, atëherë kur kemi punuar edhe në zonat e thella. Sot mund të them që ky mentalitet është zbutur. Sot mund të them se gratë në karrierë tregojnë se janë karaktere të forta, që dinë të përballen me gjininë tjetër dhe me punën e tyre arrijnë të nxjerrin në pah aftësitë që disponojnë.
A ju është dashur të sakrifikoni për të arritur objektivat që i keni vënë vetes?
Unë pothuajse jetën time ia kam përkushtuar arsimit, por edhe politikës. Jam ndër femrat e para të angazhuar pranë partisë ku unë aderoj, PS-së. Edhe në politikë kam dhënë shumë nga koha ime dhe nga vetja ime.
A përballeni me skepticizmin e burrave gjatë ushtrimit të detyrës?
Nuk do të thoja që është një fenomen i përgjithshëm, pra që haset tek të gjithë meshkujt, por tek një pjesë e madhe e tyre vihet re. Edhe në politikë, edhe në administratë, edhe në detyrat e tjera shoqërore kjo vihet re. Por faktikisht realiteti tregon të kundërtën e kësaj. Gruaja është shumë e zonja, shumë e fortë, shumë e përgatitur, shumë tolerante, shumë e zgjuar dhe shumë shumë pak e korruptuar. Ndërsa tek meshkujt ky fenomen është shumë i përhapur.
Gjithnjë flitet për vështirësitë që mund t’i krijohen një femre nga kolegët e saj meshkuj, por pak flitet për raportet me vartëset femra. Si mund t’i vlerësoni këto raporte?
Me koleget e mia në fushën e arsimit kam pasur raporte të mira edhe në rastet kur kam qenë drejtuese, por edhe si mësuese e thjeshtë. Edhe kur ka pasur fërkime, kam ditur ta gjej gjuhën e mirëkuptimit. Nuk mund të them se nuk ekziston ambicia dhe zilia edhe brenda së njëjtës gjini, por me mençuri e pjekuri jam munduar t’i eleminoj këto gjëra. E veçanta e punës në arsim është se në pjesën më të madhe të rasteve predominon elementi femër. Dua të theksoj se ambicia jo gjithnjë është një fenomen shqetësues. Kur ajo është negativ është në dëm të punës, pasi shkatërron rezultatet që ke arritur, ndërsa kur është pozitive është një element që të bën të ecësh përpara. Ajo që dua të theksoj është se në përgjithësi jam ndjerë gjithnjë mirë me koleget dhe shoqet e mia gjatë ushtrimit të detyrës.
Numri i grave të angazhuara në pozicione drejtuese në parti politike, në biznes, në administratën publike etj. ka ardhur duke u rritur vitet e fundit. Sipas jush çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim për t’i dhënë femrës vendin që meriton?
Ajo që dua t’u them unë femrave që kërkojnë të afirmohen në pozicionet e punës së tyre është që në rradhë të parë duhet të jenë të vendosura, guximtare, sepse vetëm kështu do të mund të bëjnë përpara në profesionin që kanë zgjedhur. Nëse femra nuk do të jetë e vendosur në vetvete nuk do të arrijë asnjëherë aty ku do ta shohë veten. Pra ajo që është e rëndësishme për secilën nga ne është kërkesë të fortë ndaj vetes. Me punë, me zotësi, me kurajo dhe guxim arrihet gjithçka. Ndërkohë, në rradhë të dytë sipas mendimit tim duhet t’i kushtohet rëndësi lobimit midis femrave. Në takime, seminare, mbledhje etj. femrat e afirmuara duhet ta transmetojnë përvojën e akumuluar tek ato më të rejat dhe t’i ndihmojnë këto të fundit të ecin përpara. Nëse femrat do ta mbështesin njëra tjetrën fuqishëm do të mund të bëjnë shumë më tepër përpara të gjitha së bashku.