Spitali Rajonal i Durrësit ka marrë të gjitha masat që shërbimi i urgjencës, ai i fëmijëve dhe i të rriturve, të jetë i pajisur me të gjitha medikamentet dhe i plotësuar me stafin e nevojshëm. Problemi kryesor mbetet rezerva e gjakut. Banka e gjakut ka nevojë për dhurues vullnetarë
Sezoni veror rrit së paku me katër herë numrin e pacientëve në Spitalin Rajonal të Durrësit. Rreth 500 pacientë të rritur dhe fëmijë paraqiten për çdo ditë në urgjencën e të rriturve dhe pediatrinë e Durrësit, por njëkohësisht shumë pacientë paraqiten pranë urgjencës së spitalit me trauma nga aksidentet duke vënë jo pak në vështirësi personelin mjekësor. Piku i sezonit veror shënohet gjatë muajve korrik dhe gusht. Gjatë kësaj periudhe të gjitha repartet e spitalit të Durrësit janë në gadishmëri 24 orë në ditë, me shërbime të përforcuara për të ofruar një shërbim sa më të mirë mjekësor për pacientët. Mjekët dhe infermieret janë të penalizuar nga marrja e lejes së zakonshme në këtë periudhë dhe kjo është një praktikë që ka hyrë në funksion prej të paktën 4 vitesh. Në një intervistë për “Dyrrah” drejtori i Spitalit të Durrësit, Taulant Baku, tha se edhe këtë sezon veror gadishmëria është 24 orë në ditë e jo vetëm në urgjencë. Përsa i përket furnizimit me medikamente plani është realizuar në masën 90% deri tani. “Nuk besoj se do të ketë probleme me barnat për vetë faktin se tenderimet janë bërë në kohë, 90% e sasisë së medikamenteve janë siguruar”,- tha Baku.
Zoti Baku kemi hyrë në pikun e sezonit veror. Çfarë masash ka marrë spitali rajonal i Durrësit për të përballuar fluksin e madh të pacientëve që për çdo ditë i drejtohen urgjencës dhe reparteve të tjera?
Falë specifikës që ka rajoni i Durrësit gjatë sezonit veror masat janë marrë duke u mbështetur tek një traditë disa vjeçare në këtë drejtim. Numri i vizitave shkon deri në 300 pacientë të rritur në ditë dhe mbi 180 tek urgjenca e fëmjëve. Përpos masave të marra në anën medikale, ne kemi marrë masa edhe për burimet njerëzore. Masat janë marrë për dublimin e burimeve njerëzore. Spitali Rajonal i Durrësit ka ndërtuar planin e punës për të përballuar fluksin e pacientëve që vjen si rezultat i sezonit veror. Në fakt, pranë spitalit nuk vijnë vetëm pushuesit, të cilët shfaqin probleme, por edhe vetë qytetarët, të cilëve vapa u krijon shqetësime shëndetësore. Ndërkohë, ndonëse është një dukuri për të cilën punohet shumë që të shmanget, spitali përballet edhe me pasojat e aksidenteve, të cilat në verë shtohen sepse shtohet edhe numri i automjeteve në qarkullim.
Për këtë arsye, Spitali Rajonal i Durrësit ka marrë të gjitha masat që shërbimi i urgjencës, ai i fëmijëve dhe i të rriturve, të jetë i pajisur me të gjitha medikamentet dhe i plotësuar me stafin e nevojshëm. Ne i bëmë një kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë dhe ISKSH-së, të cilët kanë bërë të mundur shtimin e personelit prej pesë infermierësh part-time për kohën e verës. Tre infermierë do të jenë në urgjencën e madhe dhe dy në urgjencën pediatrike. Ka hapësira edhe për hotelerinë për të qënë më të shpejtë në qarkullimin e pacientëve. Pacientët janë ditorë dhe të paktë janë ata që shtrohen. Megjithatë probleme kemi me traumat që hasim gjatë verës. Gjatë kësaj stine, përdorimi i pijeve alkolike dhe aksidentet e shumta sjellin rritje të traumave që vijnë në urgjencën e Durrësit. Instalimi i skanerit dhe rezonancës na ndihmon më shumë për ekzaminimin dhe trajtimin e këtyre rasteve.
A i mbuloni me medikamente të gjitha rastet që ju paraqiten gjatë këtyre muajve?
Ka kohë që nuk ka më problematikë në këtë drejtim. Por duhet të sqarojmë keqkuptimet që ndodhin në urgjencë. Urgjencë-Pranimi nuk është pikë ku mund të marrin mjekime pacientët. Janë mjekët e familjes që qëndrojnë deri në orën 19 të mbrëmjes hapur, që bëjnë të mundur edhe trajtimin ambulator për këto lloj trajtimesh. Në Urgjencë-Pranim dua t’ju informoj që ne kemi instaluar projektin e spitalit të Pizës, që ndihmon në kosto, efektivitet dhe shpejtësi të trajtimit të pacientëve. Ky projekt quhet menaxhimi i trajtimit të patologjive të pacientëve ose TRIAZH-i. Mjekët dhe infermierët janë trajnuar t’i ndajnë pacientët në katër ngjyra, ku e bardha nuk paraqet problematikë, janë ankesa që paraqesin pacientët për shkak të temperaturave të larta të stinës; ngjyra jeshile janë pacientët që kanë simptoma të veçanta si temperaturë të lehtë, kollë dhimbje veshi. Është ngjyra e verdhë, e cila mbahet nën observacion dhe trajtohet nga mjekët e Urgjencë-Pranimit duke kërkuar edhe ndihmën e mjekëve specialistë që janë 24 orë në shërbim dhe në fund është edhe ngjyra e kuqe që hyn direkt në shërbimin spitalor. Në bazë të kësaj rëndësie, duke parë edhe fluksin e madh, pacientët duhet të bashkëpunojnë edhe me stafin mjekësor për trajtimin e urgjencave të rënda, për të ndihmuar ata që janë më rëndë nga ana e patologjive.
Duke u ndalur tek Urgjencë-Pranimi, a ka personel të mjaftueshëm për të përballuar të gjithë këtë fluks pacientësh?
Në dispozicion janë 6 autoambulanca në gadishmëri të përforcuar. Janë dy ekipe të dubluar 24 orë në ditë, 2 kirurgë dhe një anestezist. Po kështu, në gadishmëri 24 orë në ditë janë në maternitet 2 kirurgë obstetër dhe një anestezist. Ndërkaq 24 orë në ditë është shërbimi i mjekut specialist kardiolog, mjekut imazherist të skanerit, ekos dhe me dublim janë mjekët në pediatrinë e fëmijëve.
Thatë se ka katërfishim të numrit të pacientëve dhe traumave në këtë stinë. A janë bërë furnizimet e nevojshme me barna, që pacientët apo familjarët të mos u drejtohen farmacive private?
Barnat janë siguruar. Kemi përfunduar proçedurat tenderuese dhe në total mbi 90% janë të siguruara. Proçedurat e post-tenderimit janë kontratat përkatëse, të cilat i kemi patur. Problem që ne kemi së fundi është serumi Antivipera që përdoret për pickimet nga gjarpërinjtë. Kishim rezervat tona prej 12 flakone, me një mesatare vjetore prej 20 flakonesh për tre muajt e verës. Nga temperaturat e larta të këtyre ditëve të fundit, janë harxhuar 10 të tilla, sepse kanë mbërritur banorë nga zonat rurale të pickuar nga zvarranikët. Proçedurat janë siguruar për këtë lloj malli, por faktikisht këto flakonë nuk gjenden në vendin tonë. Po lobojmë që nga spitalet e qyteteve të tjera, të sigurojmë flakone Antivipera, sepse vetëm 2 serume të tillë kemi në dispozicion.
Po përsa i përket rezervave të gjakut si paraqitet situata?
Është një pikë shumë nevralgjike dhe do të kërkoja edhe mirëkuptimin e popullatës, sepse gjaku nuk është një medikament që blihet. Ai vetëm mund të dhurohet. Kemi bërë disa fushata të brendshme, ku unë i pari kam dhuruar gjak, por shikoj që kujtohemi për të dhuruar gjak vullnetarisht vetëm kur ndodh një traumë e madhe kombëtare. Në mënyrë vullnetare, numri i atyre që dhurojnë gjak është shumë i pakët. Në organizimin tonë kemi bërë një skemë të tillë që në operacionet e planifikuara për aq qese gjaku sa ka nevojë një operacion, merren masa paraprake nga familjarët e pacientit dhe vetëm pasi sigurohet kjo sasi gjaku reealizohet operacioni i planifikuar. Problemi kryesor është në urgjencat që vijnë dhe kanë nevojë për gjak të menjëhershëm. Banka jonë e gjakut ka gjithmonë nevojë për dhurues vullnetarë.
Vetëm pak muaj më parë është bërë inagurimi i dy aparaturave të reja, rezonancës manjetike dhe skanerit. Sa ndikim kanë patur në ekzaminime?
Numri i ekzaminimeve të bëra ka një shtrirje shumë të gjerë përsa i përket pacientëve që vijnë në mënyrë ambulatore, të shtruarve që janë në spital, apo pacientëve që vijnë me trauma. Tashmë po merremi edhe me mirëmbajtjen e këtyre aparaturave ekzaminuese dhe jemi marrë seriozisht me trajnimin e mjekëve që interpretojnë këto lloj ekzaminimesh. Interpretimi i saktë është themelor. Janë në funksion të plotë. Rezonanca është më së tepërmi për kontrollet e planifikuara, ndërsa skaneri është në funksion 24 orë në ditë.
Rezonanca dhe skaneri
Spitali rajonal i Durrësit ka vënë në funksion të shërbimit ndaj pacientëve aparaturat e skanerit dhe të rezonancës magnetike. Aparatura e skanerit është instaluar në repartin e urgjencës dhe traumatologjisë, ndërsa rezonanca magnetike në repartin e imazherisë. Të dy aparaturat janë instaluar në 2012, periudhë kohore kjo që shërbeu dhe për trajnimin e personelit mjekësor që punon me to. Së bashku me aparaturat është mundësuar nga ana teknologjike vendosja e komunikimit on-line me Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Komunikim që pritet të shfrytëzohet për verifikimin e diagnozave të vështira. Dy aparaturat janë pjesë e kredisë austriake, që parashikon vendosjen e pajisjeve të tilla edhe në spitalet e Tiranës, Vlorës, Shkodrës dhe Fierit.





