Skulptori i njohur durrsak Qazim Kërtusha erdhi këtë herë përpara artdashësve durrsakë me një tjetër ekspozitë personale, të titulluar “Profil”. I mirënjohur në rrethin e artistëve si dhe të qytetarëve durrsakë, pasi firmën e tij mbajnë shumë skulptura parku të vendosura në sheshe të ndryshme në Durrës dhe jo vetëm, Kërtusha solli në këtë ekspozitë 50 bocete, të realizuara gjatë 20 viteve të fundit. Ambienti që Kërtusha kishte zgjedhur për ekspozitën e tij të krijonte një ndjesi intime sapo futeshe brenda.
Kati i nëndheshëm i pallatit ishte arreduar këndshëm dhe ajo që binte së pari në sy, përveç boceteve të pikturave, ishin qirinjtë e shpërndarë ngado dhe që më dritën e tyre të vagëlluar krijonin një atmosferë gati-gati romantike. Çdo skulpturë brenda kësaj galerie ishte vendosur me një shije të hollë. Të dukej sikur ishe brenda një kështjelle mesjetare me mure të dekoruara me pllaka guri. Në fund të kësaj salle kishte shumë ndriçim, monumente të larta. Kudo skulptura të rrethuara me qirinj të ndezur.
Këtë kat të nëndheshëm, skulpturat e të madhit Qazim e kishin kthyer në një sallë mondane. Ky ambient i këndshëm i ishte lënë në dispozicion skulptorit nga një mik i artistëve Gaz Resuli. Mjeshtërinë e skulpturës Qazim Kërtusha e mësoi së pari nga mësuesi i tij, skulptori i mirënjohur durrsak Sabri Tuçi. Kur sheh veprat e realizuara nga Kërtusha bindesh se mjeshtëria ka kaluar nga mësuesi tek nxënësi dhe ka ardhur duke u perfeksionuar. Veprat e tij janë realizuar në dru, gur, qeramikë, mermer etj.
Tematika e dhjetëra punimeve të dala nga duart e tij varion nga motivet intime tek kompozimet, nga portretet e realizuara plot finesë tek nudot femërore. Por veprat më të njohura të Kërtushës mbeten skulpturat e parkut.
Qazim Kërtusha është njeri me fat, sepse profesioni i skulptorit e bën atë të jetë njëkohësisht në disa vende. Qazimin e gjejmë në monumentin që u ka kushtuar artistëve durrsakë në krah të teatrit “Aleksandër Moisiu”. Në të njëjtën kohë ai mund të jetë në lulishten pranë bashkisë ku ndodhet busti në bronx i Hafiz Ali Podgoricës, kryebashkiaku i parë i Durrësit. Skulptori mund të jetë dhe në lulishten pranë portit në monumentin e derdhur në bronx të Don Nikollë Kacorrit, zv/kryeministit të parë të Shqipërisë moderne.
I mirënjohur në rrethin e artistëve si dhe të qytetarëve durrsakë, pasi firmën e tij mbajnë shumë skulptura parku të vendosura në sheshe të ndryshme në Durrës dhe jo vetëm, skulptori solli në këtë ekspozitë 50 bocete, të realizuara gjatë 20 viteve të fundit. Qazim Kërtusha është njeri me fat, sepse profesioni i tij e bën të jetë njëkohësisht në disa vende
Skulptorin mund ta gjejmë edhe në sheshin kryesor të Fushë Krujës ku së bashku me skulptorin Ibrahim Reçi kanë përjetësuar vizitën historike të presidentit amerikan Xhorxh W. BUSH, në Shqipëri. 200 km më tej ne e gjejmë Qazimin dhe në Pejë, ku qëndron një nga themeluesit e Lidhjes se Prizrenit Haxhi Zeka, monumentin e të cilit Qazimi e ka punuar së bashku me kolegun e tij Idriz Balani. Aleksandër Moisiu në bronx i skulptorit Qazim Kërtusha ndodhet në Vjenë, si një provë e lidhjes së qytetit me aktorin me famë evropiane.
Ky skulptor i njohur solli John Lennon në Durrës. Puna për realizimin e këtij monumenti prej bronxi zgjati rreth tre muaj. Pas vendosjes së skulpturës në lulishten përballë portit të Durrësit, pranë Torrës Veneciane, monumenti prej bronxi i këngëtarit dhe kompozitorit legjendar të viteve 1960,jo vetëm që u fotografua më shumë se çdo gjë tjetër në qytet, por e detyroi autorin që të shëtiste me 3-4 palë syze metalike rezervë në xhep, pasi fansat ndonjëherë e tepronin dhe kërkonin më shumë sesa një foto.
Qazim Kërtusha është qytetari durrsak, i cili shqetësohet për të sotmen dhe për të nesërmen e Durrësit. Ai është artisti që mendon dhe punon më tepër për t’i dhënë një pamje të kulturuar qytetit të tij, të prindërve të tij dhe të vajzës së tij. Qazim Kërtusha edhe pse vazhdon të japë kontributin e tij në një mënyrë tepër të kulturuar për qytetin ku ai u lind, rrit dhe jeton, sot fatkeqësisht ai figuron i papunë në zyrat e punës. Sidoqoftë Kërtusha e ka shpallur modelin e tij të bashkëqytetarit, Vangjel Toçin, të cilit i ka kushtuar bocetin në hyrje të ekspozitës.
Që nga viti 1975, kur mbari studimet e larta në Akademinë e Arteve, kërtusha nisi aktivitetin e tij si restaurator pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Që nga viti 1975 ai ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat lokale dhe kombëtare. Bocetet e prezantuara në ekspozitën e tij më të fundit pritet të kthehen në vepra të ardhshme që do të zbukurojnë sheshet e qytetit të tij dhe jo vetëm.