Gjatë regjimit të kaluar ishin të pakta vendet e Lindjes që eksportonin verë në Perëndim. Këta të fundit kishin vendosur kritere shumë të forta. Shqipëria ishte njëra prej tyre dhe këtë e kishte fituar me standartin e krijuar. Ndërsa sot eksportohet shumë më pak verë sesa në ato vite

Profesor Lutfi Isufi, specialist në karrierë për mbrojtjen e bimëve dhe punonjës shkencor, ndërsa kujton se në vitet e regjimit komunist verërat shqiptare ishin mjaft të preferuara në Perëndim, megjithëse shtetet europiane kishin vendosur kritere të forta, tani fermerët që merren me vreshtari janë të paçertifikuar dhe kjo nuk u mundëson lidhjen e kontratave për eksportimin e verërave që prodhojnë. Sipas tij, në këtë kohë kur shumë emigrantë shqiptarë që kanë punuar në vreshtaritë greke po kthehen në atdhe duhet shfrytëzuar rasti për t’i dhënë një impuls të ri zhvillimit të këtij sektori me rëndësi. “Shteti duhet të qartësohet për perspektivën e bujqësisë dhe rentabilitetin e saj”,- thotë Isufi. 

Ju jeni punonjës shkencor në Institutin e Mbrojtjes së bimëve. Cili ka qenë kujdesi i treguar për vreshtarinë në fermën e Sukthit?

Ferma e Sukthit kishte një sektor më vete për vreshtarinë. Në Perlat e Kullë shtriheshin në një sipërfaqe prej 130 ha tokë vreshtat me varietete cilësore rrushi për tavolinë dhe për verëra cilësore. Vreshtaria ishte një nga drejtimet kryesore në këtë fermë. Ajo për nga rëndësia vinte pas prodhimit të drithrave dhe prodhimit të qumështit. Në bashkëpunim me Institutin e mbrojtjes së bimëve iu përkushtuam studimit për biologjinë e tenjës së rrushit, që ishte  dëmtuesi kryesor në këtë kulturë dhe sëmundjes së vrugut dhe hirit. Ne, në cilësinë e specialistëve përcaktonim biologjinë, kohën dhe preparatet. Me shtrirjen e sipërfaqes me varitete të reja rrushi u ndërtua edhe kantina e verës. Kjo kantinë 90 përqind të lëndës së parë, rrushin, e merrte nga Perlati, Kulla, Jub Sukthi, Maminasi dhe Manza. Vera eksportohej prandaj edhe iu kushtua shumë rëndësi cilësisë së prodhimit. Kantina ishte e çertifikuar që në atë kohë nga Bashkimi Europian ndaj verërat e saj pëlqeheshin gjithandej. Republika Federale Gjermane ishte porositësja më e madhe, por edhe vendet e tjera e lakmonin verën e Sukthit. Ne jemi vend mesdhetar dhe rrushi këtu arrin përqindjen më të lartë të sheqerit. Vendet e rajonit e kishin 14 % sheqerin, kurse rrushi në Perlat e Kullë jepte 24 %. Treguesit shumë të mirë degustiv e bënin të lakmueshëm mallin tonë. Në atë kohë nuk kishte dhe as që bëhej fjalë të dilte parti malli nga kantina e pa çertifikuar, ndryshe nga çfarë ndodh sot. Prodhimi kërkohej në standart pasi eksportohej dhe në këtë drejtim nuk bëhej shaka. Sheshi i Bardhë, Sheshi i Zi e Perla mbanin rekord. Ne krenoheshim me këtë prodhim përballë tregut të huaj.

Cili është mendimi juaj për ecurinë e vreshtarisë në këtë periudhë të pas viteve 1990?

Sot mungojnë të dhënat statistikore të plota. Në Shqipëri mund të ketë rreth 10 mijë fermerë që kultivojnë rrushin. Jemi vend mesdhetar dhe rrushi është kthyer në dollibashin e shqiptarëve. Vendi ynë ka traditë të vjetër e të re në këtë kulturë me leverdi të madhe ekonomike. Katër bimë kemi ne prioritet, në sajë edhe të favoreve nga klima: hardhia, mani, ulliri dhe shega. Këtu duhet të përqendrohet orientimi i fermerit. Në bazë të informacioneve ka fermerë që kanë mbjellë 4 ha, 5 ha me vresht. Gjashtë muaj më parë në Tiranë është zhvilluar panairi për prodhimet e verërave dhe prodhimet tona fituan ndaj atyre italiane pasi kanë cilësi degustive shumë të mirë. Gjatë regjimit të kaluar ishin të pakta vendet e Lindjes që eksportonin verë në Perëndim. Këta të fundit kishin vendosur kritere shumë të forta. Ishte çështje standari dhe jo politike. Shqipëria ishte njëra prej tyre dhe këtë e kishte fituar me standartin e krijuar. Në Gjermani nuk hynte prodhimi çek, hungarez, rumun, bullgar apo i vendeve të bllokut sovjetik vetëm për shkak të mosbesueshmërisë në cilësi.

Pra kemi traditë, madje edhe më të hershme sesa mesi i shekullit të kaluar. Por ne kemi një të metë të madhe sot. 80 kantina të liçensuara prodhojnë lloje të ndryshme vere, por eksportojnë sasi shumë të vogla, më pak se para viteve 1990. Sot nuk ka kontroll të rreptë për çertifikim, neglizhenca ka lënë pa çertifikuar prodhime të shumta. Kantinat tona janë të standarteve cilësore, por janë të lidhura shumë pak kontrata për eksport. Edhe punishtet e vogla që prodhojnë verë për tregun vendës nuk janë të çertifikuara dhe kjo gjë duhet të marrë fund sa më parë. Produkti është i mirë, por nuk mjafton. Është çudi por duhet pranuar se sot nuk çertifikohen as fidanët e farërat. Vihet re mungesë interesimi për të vënë në zbatim politika bujqësore efektive. Duhet sa më parë të përfitojmë nga avantazhet që na ka dhënë natyra. Kemi edhe një arsye më shumë për të shtuar sipërfaqen me hardhi e ullishte. Janë qindra emigrantë që po kthehen në shtëpitë e tyre. Ata për vite e vite kanë marrë përvojën e kultivimit e të përpunimit në Greqi, Itali, Francë, Gjermani. Vërehet një interesim nga këta fermerë për të orientuar tokën drejt vreshtarisë. Ky rast nuk duhet të humbur. Shteti dhe institucionet e tjera lipset të qartësohen vetë për perspektivën e bujqësisë dhe rentabilitetin e saj. 


 


Historiku i ish-fermës së Sukthit

Në shkurt të vitit 1926 në Sukth u krijua shoqëria bujqësore e Entit Italian të Bujqësisë Shqiptare (EIAA). Shoqëria e kishte selinë në Romë, ndërsa drejtimi i punimeve bëhej në Shijak. Toka iu mor pronarëve toptanas në Sukth me qera për shfrytëzim 99-vjeçar. Zotërimi i shoqërisë u zgjerua në Rrushkull e Hamallaj duke arritur në 5000 ha tokë në vitet 1940. Në vitin 1931 në Sukth erdhën 4 familje italiane dhe 9 vite më vonë ky numër shkoi në 13 familje. Gjatë fazës së parë, krahas kullimit të tokës nisi edhe shpyllëzimi. Në sektorin bujqësor në këtë fermë kishte 250 punëtorë gjatë gjithë vitit, kurse në sezonin veror numri 2-fishohej. Gjatë kësaj periudhe nisën të hapeshin edhe lokalet e shërbimit, të ndërtoheshin banesa dhe të fillonte përqendrimi i popullsisë. Brenda 4 vitesh, në periudhën 1933-1937 fitimet e shoqërisë u rritën 17 herë në sajë të politikave të zhvillimit dhe të mekanizimit. Ende pa u çliruar vendi, me 19 nëntor 1944 zotërimet e EIAA kalojnë në pronësi të shtetit shqiptar. Ndërmarrja, tashmë shtetërore, nisi të zgjerojë sipërfaqen e tokës duke hapur tokë të re me punë vullnetare që në vitin 1945. Toka kënetore u bë objekt i tharjes. Prodhimi i drithërave nga viti 1950 në vitin 1960 u rrit 3.3 herë. Popullsia deri në vitin 1989 u rrit me 5.3 herë duke e transformuar këtë fermë në një nga më të mëdhatë në vendin tonë.  Pikërisht në këtë kohë ferma numëronte 1100 të punësuar në bujqësi dhe një numër të konsideruar në sektorin e mekanikës, transport dhe ndërtim. Ndërmarrja pati 31 autokombajna, 40 automjete të ndryshme, 2100 agregatë bujqësor dhe një sërë linjash prodhimi në punishte e kantinë.