Në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” u ngjitën përgjatë javës së kaluar jo aktorët e trupës së Durrësit, por balerinët dhe koreografët shqiptarë dhe të huaj, të pranishëm në qytetin bregdetar me rastin e aktivitetit të përvitshëm “Albania dance meeting”. Edicioni i shtatë i këtij aktiviteti ndërkombëtar erdhi në një format të reduktuar, pasi financimi mbetet thembra e Akilit për çdo veprimtari kulturore.

Këtë fakt e theksoi gjatë fjalës së tij edhe koreografi Gjergj Prevazi i cili u shpreh se vështirësia më e madhe e këtyre dy viteve të fundit mbetet fondi i akorduar për aktivitetin. Ndërsa prej dy vitesh Ministria e Kulturës ka hequr dorë nga mbështetja e Dance Meeting, vitin e kaluar organizatorët nuk siguruan mbështetje as nga pushteti lokal, pasi Këshilli Kulturor nuk ishte ngritur ende. Pavarësisht vështirësive financiare Prevazi shprehet se “në gjithë këto vite stafi organizues është përpjekur të sjellë në Shqipëri atë art që i ka munguar këtij vendi, atë kontakt të nevojshëm me zhvillimet europiane”.

Danci kontemporan është një gjini pak e njohur në vendin tonë dhe me gjithë tentativat e bëra në këto vite mbetet ende larg nga nivelet europiane. Prevazi e quan këtë sipërmarrje një sfidë të vështirë, por serioze. Megjithë vakuumin që kanë trupat shqiptare në këtë drejtim koreografi i njohur thotë se “duhet të kapim tempin e kohës. Është shumë e rëndësishme të punojmë me nivelin e projekteve europiane. Kjo është e pamundur tani, për arsye financimi. Megjithëse e kemi marrë këtë rrugë, kemi ende shumë punë përpara”.

Në natën e parë të këtij aktiviteti ndërkombëtar u ngjit në skenë trupa shqiptare e kompanisë “Albanian dance theatre company” me pjesën “Dasma”. Promovimit të koreografëve të rinj iu rezervua nata e dytë, gjatë të cilës u ngjitën në skenë artisti kosovar Labinot Rexhepi, ai shqiptar Ardit Logu si dhe kërcimtari maqedonas Kire Miladinovski.

Të zhvillosh dy evenimente ndërkombëtare si Festivali i Filmit dhe Albania dance meeting dhe të mos arrish në rradhë të parë të ngjallësh kuriozitetin e qytetarëve të tu, me taksat e të cilëve sponsorizohen këto veprimtari, do të thotë të hedhësh kot para “të tepërta”, që mund të përdoreshin për projekte më mirë të studiuara

Ndërkohë trupa italiane nga Verona “Ersilia danza”, solli për artdashësit veprën “Kësulëkuqja”. Të mësuar me steriotipin klasik të përrallës së vajzës së vogël që do të kullufitet nga ujku, versioni modern i prezantuar nga dy balerinët italianë shfaqte para publikut një ujk që dhuronte lule e me të cilin vajza me pelerinën e kuqe ra në dashuri. Ndërthurja e bukur mes muzikës, kërcimit dhe narratorit krijoi një shfaqje origjinale dhe moderne në të njëjtën kohë.  

Aktivitete ndërkombëtare me sallë bosh

Stacionet e edicionit të sivjetshëm të “Albania dance meeting” ishin edhe qytetet e Tiranës dhe Korçës. Megjithëse Prevazi e pranon se aktivitete të këtij lloji nuk ndiqen nga një publik i gjerë ai sërish tenton ta sjellë këtë zhanër sa më pranë artdashësve, duke mos ia lënë eksluzivitetin vetëm një qyteti. “Qëllimi ynë është prezantimi i punëve në qytete të ndryshme, pasi dashamirës të artit ka në çdo qytet të Shqipërisë. Për këtë arsye arti bashkëkohor duhet të shkojë atje ku janë qytetarët”,- thotë Prevazi.

Por ndërsa sheh se aktivitete të këtij lloji nuk “ngjisin” në Durrës, pasi salla është e mbushur vetëm me nxënës shkollash, natyrshëm të lind pyetja se përse vazhdojnë të zhvillohen aktivitete të tilla. Në qytetin tonë nuk ka shkollë baleti, nxënësit e së cilës mund të ishin të interesuarit kryesorë për të ndjekur një aktivitet të tillë. Atëherë përse financohen aktivitete të tilla që nuk gjejnë në rradhë të parë mbështetje tek artdashësit?

Vërtet fondet e kulturës janë të pakta dhe mund të përbëjë eveniment ardhja e trupave të huaja, por në të njëjtën kohë duhet studiuar më parë se çfarë përfiton qyteti dhe qytetarët e tij në këtë rast. Të zhvillosh dy evenimente ndërkombëtare si Festivali i Filmit dhe Albania dance meeting dhe të mos arrish në rradhë të parë të ngjallësh kuriozitetin e qytetarëve të tu, me taksat e të cilëve sponsorizohen këto veprimtari, do të thotë të hedhësh kot para “të tepërta”, që mund të përdoreshin fare mirë për projekte më mirë të studiuara.