Përgjatë sezonit është planifikuar personel shtesë me qëllim rritjen e prezencës policore, ndërhyrjen profesionale në kohë dhe në çdo rast shkeljeje, marrjen në kohë të informacionit mbi situatën e rendit dhe atë të sigurisë në zonat turistike etj. Dy grupe të FNSH-së janë planizuar në ndihmë të menaxhimit të sezonit turistik 2012…….

Fluksi i madh i pushuesve që ka nisur të popullojë plazhin e Durrësit i ngarkon Drejtorisë së Policisë së Qarkut një sërë detyrash që duhen përmbushur për të garantuar rendin dhe qetësinë publike dhe njëkohësisht sigurinë e plazhistëve. Si çdo vit tjetër strukturat policore kanë hartuar një plan masash për të siguruar mbarëvajtjen e këtij sezoni. Kreu i policisë së Qarkut të Durrësit, Aleks Hajdari, deklaron se përgjatë të gjithë sezonit turistik strukturat e policisë së rendit, të qarkullimit rrugor dhe policisë kufitare do të përforcohen edhe me efektiva shtesë nga rrethet të tjera të vendit. E veçanta e këtij viti është se dy grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë janë planizuar në gadishmëri në zonat e frekuentuara nga pushuesit si plazhe, hotele, restorante, si dhe pika të këmbimit valutor, filiale banke, tregje industriale e bujqësore, qendra tregtare, lokale lojërash fati etj. Në të njëjtën kohë shumë policë civilë do të mbajnë nën mbikqyrje të rreptë resortet turistike dhe hotelet që mund të bien pre e fenomenit të grabitjes.  

Zoti Hajdari gjatë sezonit turistik Durrësi mbipopullohet nga qindra mijëra pushues dhe emigrantë që kthehen në atdhe. Cilat janë masat që keni marrë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike gjatë këtyre muajve?

Duke pasur parasysh specifikën në territor dhe shumëllojshmërinë e shërbimeve që kryejnë 3 strukturat policore në Durrës e konkretisht; Policia Kufitare, ajo e Qarkut dhe Policia Rrugore është bërë një analizim i problematikës së evidentuar vitin e kaluar gjatë sezonit veror si dhe i tendencave aktuale të kriminalitetit, duke i dhënë prioritet pikërisht këtyre drejtimeve dhe planizimit sa më efikas të shërbimeve në territor. Krahas kësaj, përgjatë sezonit është planifikuar edhe personel shtesë me qëllim rritjen e prezencës policore, ndërhyrjen profesionale në kohë dhe në çdo rast shkeljeje, marrjen në kohë të informacionit mbi situatën e rendit dhe atë të sigurisë në zonat turistike dhe përçimin e këtij informacioni sallave operative. Dy grupe të FNSH-së janë planizuar në ndihmë të menaxhimit të sezonit turistik 2012, nga të cilët njëri në mbështetje të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Durrës dhe tjetri të Komisariatit të Policisë Shijak.

Një nga fenomenet më të ndeshura vitet e kaluara kanë qenë bandat e hajdutëve që vijnë nga qytete të tjera të vendit. Çfarë masash janë marrë për ruajtjen e hoteleve dhe ambienteve të tjera të akomodimit për të mos rënë pre e grabitësve?

Mbajtja nën kontroll e personave me precedentë penalë apo kriminalë kryesisht në tendencat e vjedhjes së lokaleve, banesave, automjeteve, vjedhjes me armë apo dhunë, shitjes së narkotikëve, krimeve kundër personit, mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit apo të ftohta, etj. ka kërkuar angazhimin e një numri të madh civilësh, të cilët tashmë janë në terren dhe do të garantojnë sigurinë dhe mbrojtjen e pushuesve. Këtë vit punonjësit civilë do të jenë me rroba banjo apo edhe frekuentues të atyre hoteleve dhe resorteve të dyshuara për të rënë pre e personave të tillë. Por këtu vlen të theksoj edhe bashkëpunimin  me rrethet e tjera në funksion të shkëmbimit të informacionit mbi grabitësit shëtitës që spostohen sa në një qytet në tjetrin. Së bashku me specialistët më të mirë të policisë është bërë azhornimi i listës së zonave të frekuentuara nga pushuesit si plazhe, zona turistike, hotele, restorante, si dhe banka, qendra tregtare, lokale lojërash fati, etj. me qëllim orientimin e shërbimeve gjatë kontrollit të territorit, duke synuar parandalimin e goditjen e veprimtarisë kriminale në këto vende potenciale.

Si e vlerësoni bashkëpunimin e drejtorisë suaj me institucionet e tjera?

Pa bashkëpunim nuk mund të arrihet asgjë. Në këtë drejtim është parashikuar bashkëpunim edhe me organe të tjera të zbatimit të ligjit si: Policia Tatimore, Bashkiake, Elektrike, Pyjore, Inspektoriati i Mjedisit etj. Ky ndërveprim do të përqendrohet në drejtim të goditjes së veprimtarisë së mundshme kriminale, të favorizuar nga fluksi i lëvizjeve si: trafiku i drogës, krimi ekonomik e financiar, krimi kompjuterik, korrupsioni, trafiku i automjeteve, kontrabanda, evazioni fiskal, etj. Por duhet të theksoj se masat janë marrë edhe në drejtim të ndihmës për rastet e humbjes së fëmijëve në plazhe. Eksperienca e viteve të mëparshme e veçanërisht vitit të kaluar ka dëshmuar për një numër të rëndësishëm shërbimesh të angazhuara për ndihmë në rastet e largimit të fëmijëve nga prindërit e tyre nëpër plazhet e vijës bregdetare të Durrësit.

 

Sezoni veror

Policia rrugore 100 efektiva shtesë

Njësia Rajonale e Policisë Rrugoreka si detyrë menaxhimin e fluksit të madh të mjeteve në qarkullim, veçanërisht në akset që lidhin qytetet Durrës, Tiranë e Krujë me zonat bregdetare. Në mënyrë të veçantë, shtimi i pranisë policore do të kryhet përgjatë fundjavave ku numri i automjeteve që qarkullojnë kryesisht në akset rrugore që të shpien drejt zonave turistike rritet ndjeshëm. Në zonat bregdetare, shtimi i patrullave të Policisë Rrugore do të lidhet edhe me orientimin dhe sigurinë e këmbësorëve. Krahas menaxhimit të trafikut, Policia Rrugore do të jetë e fokusuar edhe në drejtim të aplikimit të masave që lidhen me mbajtjen nën kontroll të sigurisë rrugore, pra parandalimit të aksidenteve, duke u fokusuar kryesisht në drejtim të gjobitjes së drejtuesve të automjeteve apo vendosjen e sanksioneve ndaj tyre në rastet kur konstatohen shkelje që bëhen më shpesh burim aksidentesh. Edhe këtë vit është bashkëpunuar me organet e qeverisjes vendore të zonave bregdetare dhe Drejtorinë Rajonale të Rrugëve për marrjen e masave dhe koordinimin e punës në drejtim të përmirësimit të sinjalistikës rrugore, të vendosjes së tabelave që japin informacion për numrat telefonike të Policisë dhe shërbimeve të tjera të emergjencës si: urgjenca e spitalit, shërbimi zjarrfikës, etj. Në të gjitha rastet kur qarkullojnë grupe të mëdha turistike me autobuzë, shërbimet e Policisë Rrugore do të vihen në dispozicion të shoqërimit të tyre në territorin që mbulojnë. Për menaxhimin efektiv të trafikut, veçanërisht gjatë fundjavës, në ndihmë të strukturave të Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore Durrës janë planizuar shërbime shtesë të Policisë Rrugore nga Drejtoria e Përgjithshme Tiranë, Njësia e Policisë Rrugore Tiranë dhe Njësia për Kontrollin e Autostradave dhe Menaxhimin e Trafikut Interurban.



 

Policia kufitare

Siguri në kufi dhe lehtësim proçedurash

Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitarepërballet gjatë sezonit turistik veror me një shtim të fluksit të shtetasve në hyrje e dalje të pikave të kalimit kufitar, dendësim të trafikut në Pikën e Kalimit Kufitar të portit të Durrësit, mbipopullim të zonave bregdetare; situatë e cila shoqërohet me një probabilitetit më të lartë të krimit në kufi. Me qëllim menaxhimin e situatës, kjo strukturë ka marrë një sërë masash që lidhen me rritjen e standarteve, lehtësimin e proçedurave të kontrollit të kufirit dhe rritjen e sigurisë në kufi. Krahas shtimit të sporteleve të kontrollit të dokumenteve për hyrje-daljet nga porti, strukturat e kësaj policie do t’i kushtojnë një vëmendje të posaçme garantimit të normave të sigurisë dhe parandalimit të rasteve kur persona me precedentë penalë do të tentojnë të kalojnë kufirin. Gjithashtu kjo polici do të bashkëpunojë ngushtë me Rojen Bregdetare, shërbimin e urgjencave spitalore, shërbimin zjarrfikës, në funksion të dhënies së ndihmës së shpejtë në rast rreziku për mbytje në plazhe, ujëra të brendshëm, raste zjarri etj. Në të njëjtën kohë kjo polici do të bashkërendojë punën së bashku me njësitë e pushtetit vendor në funksion të disiplinimit e përdorimit të mjeteve ujore, siçjanë motorët e ujit.



 

 

Vendimi

Masa për lëvizjen e motorëve të ujit

Vitet e kaluara motorët e ujit në jo pak raste janë bërë shkaktarë aksidentesh tragjike. Për parandalimin e fatkeqësive të tjera dhe për të ruajtur jetën e pushuesve është parashikuar që motorët të lëvizin në rreth 200 metra largësi nga bregu, e për këtë, në det duhet të vendosen bova sinjalizuese të cilët i tregojnë drejtuesve të këtyre mjeteve distancën që duhet të mbajnë nga plazhi. Gjithashtu duhet të ketë rrugë të përcaktuara më parë për daljen e tyre nga vendbazimet kolektive apo familjare deri në bregdet. Motorat e ujit arrijnë shpejtësi deri në 90 milje në orë dhe sipas vendimit të fundit të qeverisë shqiptare, lëvizja e tyre në zonat turistike duhet të jetë e monitoruar dhe e kontrolluar. Masat e marra për lëvizjen e motorëve të ujit janë:

  • Përcaktimi i vendbazimeve, të cilat duhet të jenë të shënuara në mënyrë të dukshme, korridoreve të hyrjes e daljes nga deti dhe distanca e ushtrimit të lundrimit.
  • Përcaktimi i orareve të përdorimit të tyre
  • Përcaktimi i distancës për plazhet sipas thellësisë së ujit, e cila do të jetë jo më e vogël se 100-300 metra dhe jo më larg se 1 milje nga bregu dhe vendosja e shenjave kufizuese e dalluese
  • Përcaktimi i kritereve të përdorimit të këtyre mjeteve, dokumentacionit të tyre, respektimit të distancave nga mjetet e tjera lundruese