Në këto ditë kur temperaturat janë rritur ndjeshëm, tek grupmoshat e thyera shfaqen probleme të ndryshme shëndetsore, të cilat pa kujdesin e nevojshëm mjekësor mund të përkeqësohen duke rrezikuar edhe jetën. Një nga sëmundjet më të zakonshme tek mosha e thyer është Hipertensioni, apo tensioni arterial. Hipertensioni është sëmundja më e përhapur në popullatë. Rreth 18-20% e popullsisë vuan prej tij dhe si shkaqet kryesore të kësaj sëmundjeje kronike renditen trashëgimia, stresi, duhani, sëmundjet e veshkave etj.
Çfarë është hipertensioni?
Tensioni i lartë ose sistolik, është presioni që krijohet në arterie nga forca e pompës së zemrës; ndërsa tensioni i vogël ose diastolik (që gabimisht nga njerëzit emërtohet si tension i zemrës), është rezistenca e arteries gjatë furnizimit të zemrës me gjak. Presioni i gjakut ndryshon çdo minutë; ndryshon nga pozicioni i trupit, nga aktiviteti fizik, gjatë kohës që flemë ose kur jemi zgjuar.
Hipertension quajmë vlerat e tensionit që krijohen kur presioni i gjakut në arterie (enë me gjak të pastër) është mbi normën e lejuar.
Zyrtarisht, në rang botëror, njihen 10 milionë të sëmurë me HTA, në fakt numri i tyre arrin në rreth 20 milionë. Nga këta 10 milionë mjekohen vetëm 5 milionë, dhe 5 milionë të tjerë jo. Nga 5 milionë persona që mjekohen, vetëm 2.5 milionë mjekohen saktë, kurse 2.5 milionë në mënyrë të pasaktë.
Pra rreth 50% e të sëmurëve nuk kanë asnjë ankesë dhe e kuptojnë sëmundjen kur ndodh fatkeqësia (infarkti i zemrës, insulti cerebral etj). Në grupmoshat 60 vjeçare, në çdo 3 persona, 2 prej tyre janë me hipertension. Vetëm 31% e meshkujve dhe 41% e femrave kurohen prej hipertensionit. Personat e prekur nga tensioni i lartë duhet të bëjnë një jetë sa më të rregullt, të dobësohen dhe të përdorin mjekimet rregullisht!
Në ditët e sotme, pacienti quhet Hipertensiv nëse vlera e tensionit të lartë (sistolik) është mbi 140mmHg, dhe e atij të vogël (diastolik) mbi 90mmHg.
Në tabelën ilustruese jepen vlerat e tensionit normal dhe atij të lartë si dhe stadet e tij, për personat mbi 18 vjeç.
Klasifikimi i presionit të gjakut për personat mbi 18 vjeç.
Grada e presionit të gjakut
Sistolik (i lartë)
Diastolik (i ulët)
Normal
<130mmHg
dhe
<89mmHg
Hipertension
Stadi I: Tension pak i lartë.
140-159mmHg
ose
90-99mmHg
Stadi II: Tension mesatarisht i lartë
160-179mmHg
ose
100-109mmHg
Stadi III: Tension i lartë.
>180mmHg
ose
>110mmHg
Arsyet e hipertensionit
Në 95% të rasteve nuk dihen shkaqet e hipertensionit, pasi vetëm për rreziqet e tij mund te flitet. Në këtë rast, hipertensioni quhet primar ose esencial. Të sëmurët, në përgjithësi janë të grupmoshës së mesme, me trashëgimi për HTA. Ata vuajnë nga mbipesha, diabeti, kanë stres fizik ose psikik të përditshëm, janë përdorues të duhanit, konsumues të tepërt të kripës dhe alkoolit, bëjnë një jetë sedentare (pa ushtrime fizike) etj.
Shpeshherë shtrohet pyetja nëse rritja e tensionit ndodh gradualisht me rritjen e moshës. Studime të shumta kanë arritur në përfundimin se nuk është mosha që rrit tensionin e gjakut, por është hipertensioni që takohet më shpesh sa më i moshuar të jetë njeriu. Në rast se mosha do të rriste tensionin, atëherë nuk do të ekzistonte asnjë njeri i moshuar pa hipertension.
Shkaqe të tjera të hipertensionit mund të jenë faktori gjenetik, stresi, menopauza ose shumë faktorë të mbledhur së bashku.
Vetëm tek 5% e personave që vuajnë nga hipertensioni gjendet një arsye që e ka shkaktuar këtë gjendje. Personat që futen në këtë grup kanë si shkak të hipertensionit sëmundjet e veshkave, të gjendrave mbiveshkore, ngushtime të lindura të enëve të gjakut, sëmundje hormonale, përdorimin e kontraceptivëve (ilaçet për kontrollin e shtatzënisë) etj. Pirja e duhanit, përveç se është shkaku kryesor i kancerit të mushkërive, shkakton drejtpërdrejt rritjen e tensionit arterial dhe përshpejton ngushtimin e enëve të gjakut.
Cilat janë shenjat e hipertensionit?
Hipertensioni, në shumicën e rasteve, nuk ka shenja shqetësuese për vite me radhë ose ato janë mjaft të pakta dhe të paqarta. Kjo sepse rritja e tensionit bëhet gradualisht dhe i lë kohë trupit të njeriut të adaptohet me këtë gjendje. Pra hipertensioni vret në mënyrë të heshtur! Disa nga shqetësimet kryesore që ai shkakton në shëndetin e personit të prekur nga tensioni i lartë mund të jenë:
• Dhimbje koke, dhimbje qafe
• Ndjenjë djegieje, skuqjeje dhe temperaturë në fytyrë
• Shtypje apo dhimbje gjoksi
• Nevojë dhe pamundësi për t’u mbushur më frymë
• Rrahje të shpeshta të zemrës
• Zhurmë në veshë
• Mungesë përqendrimi, hije para syve
Pasojat e hipertensionit
Hipertensioni bëhet shkak i ngurtësimit dhe ngushtimit të të gjithë enëve të gjakut (arterioskleroza). Nëse personi vuan edhe nga diabeti ose ka yndyrë të lartë në gjak, ky proçes ndodh edhe më herët. Hipertensioni esencial nuk mund të zhduket plotësisht, ai vetëm mund të mbahet nën kontroll. Për këtë arsye, personat që vuajnë nga hipertensioni duhet të bëjnë një jetë të rregullt, ata mbi peshë të dobësohen, të bëjnë një jetë aktive, të pijnë rregullisht dhe pa ndërprerje medikamentet dhe të kontrollojnë periodikisht vlerat e tensionit. Hipertensioni dëmton më tepër zemrën, veshkat, trurin dhe sytë. Mjekimi i tensionit të lartë duhet të vazhdojë pa ndërprerje që në momentin kur mjeku konstaton se një pacient i caktuar vuan nga hipertensioni. Medikamentet mund të ndryshojnë apo zëvendësohen, por ky ndryshim ose zëvendësim mund të bëhet vetëm nga mjeku specialist. Për shkak të natyrës së tyre emotive, disa pacientë kur shkojnë tek mjeku emocionohen dhe tensioni u rritet pa qenë hipertension i vërtetë. Ky hipertension emotiv emërtohet hipertensioni i “zyrës” dhe nuk ka nevojë për mjekim.
Si duhet matur tensioni arterial?
• Përpara matjes pacienti duhet të qëndrojë rreth 5 minuta i qetë, në pozicion ulur.
• Pacienti nuk duhet të ketë pirë duhan dhe kafe 2 orët e fundit.
• Matja duhet bërë mundësisht në të dy krahët, që detyrimisht duhet të jenë të zhveshur plotësisht.
• Si rregull, tensioni në krahun e djathtë është më i lartë se në krahun e majtë.
• Merret në konsideratë shifra më e lartë.
Masat ndihmëse të mjekimit
• Rënia në peshë, sidomos te personat obezë, ndihmon në uljen e tensionit. Nëse jeni 20% më shumë se sa pesha juaj ideale, atëherë rreziku i hipertensionit rritet 8 herë.
• Edhe personave me peshë normale u këshillohet të pakësojnë përdorimin e yndyrave shtazore, pra, në vend të mishit të kuq dhe ushqimeve me proteinë të përdoren fruta dhe perime të freskëta, peshk, mish pule etj.
• Duhet pakësuar konsumi i alkoolit; ata që preferojnë verën nuk duhet të pinë më shumë se 1-2 gota në ditë.
• Pakësoni kripën në dietën tuaj, duhet të qëndroni larg ushqimeve që kanë përmbajtje të lartë kripe, si turshitë, soda, supat e gatshme, patatinat, mishrat e tymosur, etj . Sasia ditore e kripës duhet të jetë deri në 2 gr.
• Pas normalizimit të tensionit në shifrat normale, duhet vazhduar jeta aktive dhe duhet bërë rregullisht ecje.
• Ecja e rregullt ndihmon në rënien në peshë, në stërvitjen e zemrës dhe në hapjen e enëve të gjakut rezervë që ushqejnë zemrën.
• Duhet të largoni nga shtëpia dhe ambienti i punës faktorët që shkaktojnë stres. Duhet të përdorni metoda të ndryshme që ndihmojnë në zhdukjen e stresit si joga, meditim etj.
• Duhani duhet patjetër të eliminohet totalisht.