Mirush Kabashi, aktori i mirënjohur durrsak duket se e ka të pamundur të ndahet nga personazhi i filozofit të Greqisë së lashtë. Monologu “Apologjia e vërtetë e Sokratit” është vënë në skenën e Pallatit të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë para qindra të ftuarve. Aktori Kabashi ishte ftuar nga misioni shqiptar pranë OKB-së, në kuadër të një aktiviteti kulturor të organizuar me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.
Interpretimi i shkëlqyer i Kabashit u ndoq me interes të madh nga publiku zviceran dhe ambasadorë të vendeve të ndryshme dhe diplomatë ndërkombëtarë. Në shfaqje ishin të pranishëm edhe tre ambasadorë shqiptarë në Zvicër: Sejdi Qerimaj (OKB), Mehmet Elezi (Bernë) dhe ai i Republikës së Kosovës Naim Malaj në Bernë.
Aktiviteti kulturor i mbajtur në Gjenevë pason shumë veprimtari të ngjashme të organizuara nga trupi diplomatik i Shqipërisë në vende të ndryshme të Europës dhe Botës. Ceremoninë e zhvilluar me këtë rast e përshëndeti Jomart Tokajev, drejtor i OKB-së, i cili foli për vlerat e kulturës në Ballkan si vlera të përbashkëta, virtyte këto të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, respektit të të drejtave të njeriut, të së kaluarës dhe perspektivës së këtyre vendeve.
Ndërkohë dy ambasadorët e misionit shqiptar dhe atij grek pranë OKB-së gjatë fjalës së tyre nënvizuan bashkëpunim e mirë kulturor mes dy vendeve, gjë që ilustrohet më së miri nga ky monolog i famshëm, i shkruar nga një autor grek dhe i interpretuar në mënyrë të shkëlqyer nga një aktor shqiptar. Ndërkohë Aktori Mirush Kabashi falenderoi misionin shqiptar në OKB për ftesën dhe mundësinë që i krijuan për të performuar para një publiku kaq të ngritur, para ambasadorëve dhe diplomatëve nga shumë vende të Europës dhe botës.