Sot mijëra studentë në mbarë vendin, në universitete publike apo private, startojnë vitin e ri akademik. Qeveria Berisha në këto shtatë vite qeverisje ka bërë përpjekje të mëdha për të shtuar kuotat e pranimit në universitete, për t’u dhënë mundësi sa më shumë të rinjve të ndjekin studimet e larta.
Shtimi i kuotave të pranimit në shkollat e larta publike dhe licensimi i dhjetëra universiteteve private u mundëson të rinjve të ndjekin studimet në degën që ata preferojnë dhe të shohin të realizuar ëndrrën e tyre. Ky është një fakt që duhet përgëzuar, sepse po të kthehemi pas në vitet e regjimit komunist shumë të rinjve i është mohuar pa të drejtë shkolla, sepse vinin nga klasa e të persekutuarve apo sepse e kishin plotësuar kuotën e nevojshme të të shkolluarve për çdo familje. Megjithëse mjaft të talentuar duhet të mjaftoheshin vetëm me vitet e gjimnazit e të mos pretendonin më shumë.
Kështu, pa diskutim, frekuentimi në masë të madhe të universiteteve nga shumë të rinj nuk ka sesi të mos shihet si faktor pozitiv edhe për vendin, sepse sa më të shkolluar të jenë ata, aq më premtuese duket dhe e ardhmja e Shqipërisë. Vetëm se problemi çalon diku. Shpesh është folur për diploma fiktive, për studentë që më shumë sesa shkojnë në universitet për të ndjekur leksionet dhe seminaret, shkojnë atje për të mbushur kafenetë dhe baret përreth, pronarët e të cilëve presin me entuziazëm nisjen e vitit akademik për të rritur xhiron ditore të tyre.
Është folur shpesh edhe për provime të marra me lekë, për pedagogë që vendosin një “taksë” të veçantë për të dhënë një notë kaluese. Rasti më i fundit i bërë publik në media ishte ndalimi nga forcat e rendit të Elbasanit të profesorit Isidor Koti, i cili jepte lëndën e gazetarisë në universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Dhe këtu bëhej fjalë për një universitet publik. Po ç’mund të thuash për universitetet private? Gjithnjë nga përgjithësimi ka edhe përjashtime, po në opinionin publik mbizotëron mendimi se pjesa më e madhe e shkollave të larta funksionojnë si magazina që shpërndajnë diploma, shpesh të pa merituara.
Në fillim të këtij viti mediat italiane denoncuan një skandal që shihte të përfshirë djalin e politikanit italian Umberto Bossi, i cili megjithëse nuk dinte asnjë fjalë shqip dhe nuk kishte frekuentuar asnjëherë universitetin ishte pajisur me diplomë nga universiteti Kristal. Ky rast ishte flagrant dhe bëri jehonë sepse bëhej fjalë për një shtetas të huaj, por ajo që të shqetëson më shumë është numri i të rinjve shqiptarë, që ashtu i djali i Bossi-t mund të jenë pajisur me diploma fiktive. Dhe rastet, edhe nëse do duam t’i mohojmë, nuk mungojnë.
Më vjen ndërmend këtu një barcoletë: Ishin dy shokë të ngushtë që rrinin gjithnjë bashkë që nga fëmijëria. Njëri ishte gjithnjë mjaft i talentuar dhe përfundoi studimet me rezultatet maksimale, tjetri i kaloi klasat me zor. Tani ai që ishte shumë i zoti punon në një kompani mjaft të fuqishme, ndërkohë shoku tjetër që mezi mori diplomën është pronar i kompanisë.
Askush nuk çuditet kur e dëgjon këtë gjë, pasi realiteti shqiptar është i mbushur me raste të tilla. Madje është përfolur që dhe ministra apo zv/ministra kanë marrë më parë diplomën e shkollës së lartë sesa atë të shkollës së mesme. Kjo nuk është aspak për të qeshur.
Ndërsa pak vite më parë ishte në modë të merrje diplomën tashmë një pjesë e studentëve dhe atyre që i kanë mbaruar studimet i kanë drejtuar sytë nga masteri. Të gjitha shkollat e larta private, megjithëse vetëm me disa vite jetë kanë futur në kurrikulat e tyre ndjekjen e programeve Master Profesional apo Shkencor, një fakt ky që kundërshtohet me forcë nga specialistët e arsimit, por vetëm në biseda në rrethe të ngushta e jo në takime apo semirare për arsimin e lartë. Rreth 42 universitete publike dhe private funksionojnë në Shqipëri, ndoshta shumë për një vend të vogël si ky i joni. Dhe të mendosh se pjesa më e madhe e tyre kanë lulëzuar vitet e fundit.
Nga përgjithësimi ka edhe përjashtime, po në opinionin publik mbizotëron mendimi se pjesa më e madhe e shkollave të larta funksionojnë si magazina që shpërndajnë diploma, shpesh të pa merituara. Sistemi shkollor shqiptar çalon dhe nuk çalon vetëm në universitet, por kulmon aty
Kjo është dëshmi e degradimit të sistemit tonë shkollor në këto vite. Liberalizimi i shkollave të larta private nuk solli vetëm pajisjen me diplomë të një numri më të madh studentësh, por rriti gjithashtu morinë e atyre që kërkojnë të marrin një diplomë vetëm për ta pasur në sirtar, për të zbukuruar CV-në e tyre. Mangësitë në formimin e tyre arsimor dalin në pah kur punësohen.
Si mund të presësh në këtë rast që këta të rinj të jenë efiçentë në punë, kur nuk e kanë ulur kokën ndër libra, kur nuk janë përpjekur të marrin me forcat e veta një provim, por kanë tentuar gjithnjë t’i japin rryshfet pedagogut? Sistemi shkollor shqiptar çalon dhe nuk çalon vetëm në universitet, por kulmon aty.
Problemet hasen që në sistemin parauniversitar, me klasat e tejmbushura me nxënës, me pamundësinë e mësuesve për t’i kontrolluar dijet të gjithëve, me zhvillimin e mësimit në turnin e dytë, pasi mungojnë ambientet shkollore, apo me notat fiktive që shpesh mësuesit e shkollave jo publike detyrohen t’i vënë një nxënësi nën presionin e prindit, drejtorit apo pronarit të shkollës. E kjo i dëmton jo pak nxënësit, u krijon mangësi në formim që mund të zgjerohen me kalimin e viteve nëse vazhdohet të operohet në këtë mënyrë.
Më e keqja është se këto mangësi do të shfaqen në të ardhmen, kur ata do të jenë në kërkim të një vendi pune apo më keq kur të punësohen diku. Nepotizmi, aq shumë i përhapur në administratën publike, deri tani u ka krijuar mundësinë shumë personave që të zënë një “karrike të ngrohtë” e të vegjetojnë në vendin e punës. Por nuk mund të vazhdojë kështu përgjithmonë. Në të kundërt këtë vend “do ta marrë lumi”, nëse ende nuk e ka marrë.
Është e drejtë e gjithsecilit të kërkojë të arsimohet sa më shumë, të shtojë bagazhin e dijeve dhe të aspirojë për t’u bërë një profesionist i mirë në të ardhmen, por e gjithë kjo duhet të bëhet duke u bazuar në sistemin e meritës dhe profesionalizmit. Diploma e marrë nuk duhet të jetë një copë karton që mund ta tundësh me krenari për të treguar aftësitë e tua, por duhet të shërbejë për të rritur ambicien e gjithësekujt për të dhënë më të mirën e mundshme dhe për të përfituar nga investimi personal dhe ai i prindërve gjatë viteve të shkollës.
Duke u uruar një vit të mbarë të gjithë studentëve që do të ndjekin studimet në sistemin universitar publik apo privat shpresoj që në të ardhmen do të dinë të dëshmojnë se diploma që do të marrin do të jetë fryt i merituar për impenjimin afatgjatë në lëmin e studimeve.