Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, pas rikthimit nga Athina deklaroi për mediat se në takimin me homologun e tij Dimitris Avramopulos diskutoi mbi disa çështje të rëndësishme. Panariti nënvizoi para gazetarëve se takimi u konsiderua produktiv edhe nga pala greke. “Kjo ishte një vizitë e suksesshme. Edhe pala greke e cilësoi kështu, produktive dhe që projekton marrëdhëniet e së ardhmes mes dy vendeve tona. Pikërisht në këtë frymë adresova problemet që ka dosja shqiptaro-greke, që nga çështja çame dhe pronat e tyre”,- tha ai. 

Kreu i diplomacisë shqiptare siguroi që edhe Greqia e ka ngrirë marrëveshjen e parë të ujërave me Shqipërinë, ndërsa shtoi se edhe homologu i tij kërkonte një marrëveshje të re, të respektuar nga të dy vendet.

“Për marrëveshjen e ujërave, e sigurova homologun tim se ne respektojmë frymën e Kushtetutës dhe ligjeve ndërkombëtare. I thashë atij që sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ka më marrëveshje dhe se duhet të punojmë për marrëveshje të re, që të mos kontestohet nga asnjëri prej vendeve. Pa dyshim homologu im grek dëgjoi pozicionin tim dhe besoj se e respektoi qëndrimin tim në këtë drejtim. Vura re me kënaqësi që edhe shteti grek nuk ka avancuar me ratifikimin e marrëveshjes së vjetër, ajo është e ngrirë dhe nga shteti grek, gjë që më bën të shpresoj që tashmë edhe shteti grek do të afrohet ose do të jetë në përputhje me qëndrimin shqiptar, për adresimin e kësaj cështjeje shumë të rëndësishme”,- shtoi ai.

Panariti shtoi më tej se e ka cilësuar absurd mbajtjen e ligjit të luftës mes dy vendeve dhe këtë qëndrim të tij ia kishte shprehur edhe homologut grek. “Kërkova aborgimin e ligjit të luftës, pasi ky ligj është tërësisht jashtë kohe dhe absurd për dy vende që janë anëtare të NATO-s. Shpresoj që pala greke të ketë vullnet dhe të gjejë mënyrat për ta aborguar”, tha kreu i diplomacisë shqiptare.  

Përveç pjesçs politike dy vendet kanë për të zgjidhur edhe disa çështje të tjera teknike, që prekin direkt qytetarët shqiptarë. Të tilla ministri i Jashtem renditi problemin e njohjes së çertifikatave dhe vulës apostile, që shqiptarët të mos mundohen për legalizimin e dokumentave, problemin e transportit urban mes dy vendeve dhe njohjen e patentave, si dhe marrjen fund të penalizimit të qytetarëve shqiptarë për kohëqëndrimin e tyre në Greqi sipas marrëveshjes “Shengen”. Çështje keto që sipas ministrit Panariti pritet të marrin zgjidhje së shpejti.

Vizita e ministrit tonë të jashtëm, Edmon Panariti në Greqi u shoqërua me një incident të vogël, të shkaktuar gjatë konferencës së përbashkët për shtyp mes tij dhe homologut grek. Flamuri shqiptar që ndodhej pas shpinës së ministrit tonë ishte vendosur gabim. Por pas këtij incidenti shteti grek kërkoi menjëherë ndjesë.  Në një telefonarë zhvilluar mes diplomatëve, Avramopulos i kërkoi ndjesë homologut të tij për incidentin protokollar, duke shprehur keqardhjen për ngjarjen, që ai e cilësoi të pakëndshme. "Kjo ngjarje nuk mund të errësojë dhe ndikojë sapo pak rezultatet e suksesshme të vizitës suaj në Greqi", mësohet të jetë shprehur Avramopulos.

Ndërkohë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke Grigoris Delavekuras deklaroi se gjatë bisedimeve ministri i jashtëm i Shqipërisë, i është referuar me hollësi çështjes së çamëve dhe pasurisë së shqiptarëve në Greqi dhe ka marrë menjëherë përgjigje nga z. Avramopoulos se pozicionimi i patundur i palës greke është se Greqia është shtet i së drejtes dhe se kushdo që konsideron se ka çështje pronësie të pazgjidhura mund t'i drejtohet organeve greke të drejtësisë.