Vijon procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore në KZAZ nr.21, e cila mbulon 5 njësitë administrative të bashkisë Durrës, Ishmin, Manzën, Katundin e Ri, Rrashbullin dhe Sukthin.
Sipas kryetarit të KZAZ-së, Rustem Bici, procesi po vijon normalisht.
Ndërkohë. “DurrësLajm” mëson nga burimet se problem në disa prej qendrave të votimit të zonave më të largëta të bashkisë Durrës është mungesa e operatorëve që do të mbajnë në gjendje pune kamerat dhe pajisjet e identifikimit biometrik të votuesve.
Në këto zgjedhje janë futur për herë të parë në qendrat e votimit pajisjet elektronike si kamera dhe ato për identifikimin biometrik, por për zonat e thella duket se deri më tani nuk ka operatorë të mjaftueshëm për t’i mbajtur ato në gjendje pune gjatë gjithë ecurisë së procesit të votimit.
“DurrësLajm” mëson se sipas udhëzimeve të KQZ-së, në momentin kur nuk janë në gjendje pune kamerat apo pajisjet e identifikimit biometrik procesi i votimit mund të ndërpritet deri në 3 orë dhe nëse nuk zgjidhet, KQZ mund të urdhërojë votimin në formën e vjetër, pra pa bërë identifikimin biometrik të votuesve dhe pa mbikqyrur ecurinë e procesit me anë të kamerave.
Në këto zgjedhje është e nevojshme që energjia elektrike të jetë e pandërprerë në çdo qendër votimi për të garantuar mbarëvajtjen e procesit.
KZAZ-ja nr.21 ka numrin më të madh të QV-ve në bashkinë Durrës, plot 108 të tilla.





