Kreu i KQZ, Ilir Celibashi jep udhëzimet e fundit për ditën e diel, kur që nga ora 07.00 pritet të nisë procesi i votimit në të gjithë vendin.

Celibashi u shpreh se votuesit shqiptarë do të kenë mundësi të bëjnë dy zgjedhje. Ata do të votojnë partinë politike por gjithashtu kanë mundësi të zgjedhin edhe kandidatin e preferuar nga lista e saj.

Zgjedhësit kanë mundësi të zgjedhin vetëm një kandidat nga partia që ata votojnë. Nëse nuk e zgjedhin, vota i shkon partisë për renditjen që ajo i ka bërë kandidatëve. Që fleta e votimit të jetë e vlefshme mjafton që të votohet një parti, koalicion ose kandidat i pavarur.

Votat preferenciale që marrin kandidatët kanë vlerë pasi mund të ndryshojnë renditjen e listës.

Qytetarët duhet të bëjnë kujdes pasi nuk mund të zgjedhin dy kandidatë, apo të zgjedhin një parti ose koalicion dhe të zgjedhin kandidatin e një partie apo koalicioni tjetër. Ndërkaq fleta e votimit quhet e pavlefshme nëse zgjedhin dy parti apo koalicione.

Celibashi: Për zgjedhësit do të doja të sjellja dhe njëherë në vëmendje informacionin, të cilat kanë të bëjnë me mënyrat e plotësimit të fletës së votimit, ndoshta mund të jetë një përsëritje e panevojshme por gjithsesi në këtë ditë të heshtjes zgjedhore do të ketë vend për të përcjellë mesazhe të karakterit teknik, informues të dobishëm për votuesit. Sikurse kemi thënë në çdo qendër votimi do të votohet vetëm me një fletë votimi, në fletën e votimit janë të pasqyruara  emrat e partive politike dhe koalicioneve, si dhe numrat të cilat iu korrespondojnë kandidatëve të secilës parti dhe të secilit koalicion. Në disa qarqe konkurrojnë edhe kandidatë të pavarur. Me qëllim që vota e çdo qytetari të jetë e vlefshme, ai duhet të votojë në një nga tre mënyrat të cilat ne i kemi bërë publike në forma dhe mënyra të ndryshme.

Pra një votues mund të zgjedhë vetëm partinë politike dhe koalicionin duke vendosur e x-it ose të plusit përbri logos në kuadratin e bardhë i cili është ngjitur me numrit të partisë dhe koalicionit që ai preferon, ose kur është rasti i kadidatit të pavarur. ndërkohë mundet të zgjedhi vetëm njërin prej kandidatëve të asaj partie apo të atij koalicioni  që ai ka zgjedhur duke vendosur shenjë x-së ose shenjën plus përbri logos së partisë dhe numrit të partisë dhe ndërkohë mundet që të zgjedhi dhe njërin prej kandidatëve të asaj partie apo të atij koalicioni që ai ka zgjedhur duke vendosur shenjën x ose plus tek kuadrati që ai korrespondon numri të kandidatit të cilën votuesi parapëlqen.

Dhe mënyra e tretë e votimit, votuesi mund të qoftë edhe vetëm për një kandidat, pra të bëjë shënimin në një prej numrave të pasqyruara në fletën e votimit që do ti korrespondojë kandidatit të cilin ai parapëlqen duke vendosur shenjën x ose plus në kuadratin e numrit të kandidatit që ai pëlqen pa qenë nevoja që këto shenja tek kuadrati i partisë apo koalicionit të cilit ky kandidat i përket. Por theksoj se edhe në këtë rast vota për kandidatin shkon si votë edhe për partinë politike edhe për koalicionin, çdo mënyrë tjetër e votimit ka probabilitet të larët që të konsiderohet e pavlefshme, prandaj është e këshillueshme fortë nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të gjithë votuesit të votojnë në njërën prej varianteve të cilat ne si KQZ i kemi prezantuar edhe sot”.

Si do të informohen qytetarët që kanë dilema lidhur me numrin e kandidatit në listën e partisë apo koalicionit ?

Celibashi: Votuesit do të gjejnë informacion të plotë në hyrje të qendrës së votimit në lidhje me kandidatët dhe numrat respektivë secilit prej kandidatëve në këtë mënyrë ata të cilët do të kenë dilema për shkak të memories në lidhje me se cilin numër duhet të zgjedhin në fletën e votimit mund ta marrin këtë informacion mbi atë se kujt kandidati i përket x numër në hyrje të qendrës së votimit por ndërkohë edhe brenda qendrës së votimit pranë dhomë së fshehtësisë do të vendosen postera të mëdhenj të cilat janë të pasqyruara emrat e kandidatëve dhe numrat respektivë të gjithë secilit prej tyre.

Nga ana tjetër çdo votues mundet të konsultojë këtë informacion, por edhe çdo lloj informacioni tjetër në lidhje me procesin zgjedhorë në faqen e internetit të KQZ, në rrjetet sociale të KQZ, si dhe në aplikacionin e KQZ-së. Lidhur me këtë të fundit, tashmë është shndërruar edhe në një platformë komunikuese ndërmjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Komisionit Zonal Administrimit Zgjedhor (KZAZ) KQV-së dhe Operatorëve.

Sa e garanton fshehtësinë e  votës projekti pilot dhe a është më i sigurt se votimi me fletë votimi?

Celibashi: Në lidhje me projektin pilot që do të zhvillohet në zonë zgjedhore administrative numër 40, pra në Njësinë administrative numër 10 e rikonfirmoj pa asnjë lloj hezitimi dhe me siguri të plotë që ky proces, procesi i votimit i cili do të zhvillohet në zonën 40 është 100 për qind i garantuar, fshehtësia e votës është 100 për qind e garantuar, integriteti i porcesit zgjedhor është 100 për qind i garantuar. Nuk ka asnjë lloj mënyre qoftë kjo teknike, apo tjetër sipas të cilës të mund të verifikohet se kush ka votuar për kë. Pajisja dhe sistemi është ndërtuar në mënyrë të tillë që nuk shënjon radhën e votimit dhe kohën e votimit, prandaj iu bëj me dije të gjithë votuesve të kësaj zone, sepse kam marrë disa shqetësime kohët e fundit, në lidhje me sigurinë e këtij procesi, që ky proces është ndoshta edhe shumë herë më i sigurt sesa procesi i votimit, me fletën e votimit. Prandaj të gjithë ata duan që të shprehin votën e tyre, të votojnë në këtë zonë të shkojë pa asnjë lloj hezitimi dhe me siguri të plotë që integriteti dhe fshehtësia e votës është e siguruar.

 Gjithashtu Celibashi tha që nga 5199 qendra votimi vetëm në 100 prej tyre nuk janë mbuluar me operatorë.

Celibashi: Në lidhje me pajisjet e identifikimit elektronik, tashmë është  shpërndarë kjo pajisje në të gjithë komisionet zonale të administrimit zgjedhor në 5199 qendra votimi. Thuajse 100 për qind e këtyre qendrave të votimit në fakt mungojnë vetëm në 100 qendra votimi nga 5199,  akoma nuk janë të mbuluara me operatorë  por stafi i KQZ-së është duke punuar edhe në këto qendra votimi që në fakt janë qendra votimi mjaftë të thella, zona rurale kryesisht në pjesën veriore të Shqipërisë, po ka disa qendra edhe në pjesën tjetër të territorit, ku përbëjnë rreth 100 qendra votimi, KQZ ende nuk ka caktuar operatorë për të përdorur pajisjen elektronike të identifikimit.