Pak ditë nga vrasja e Kim Jong-nam, vëllait të diktatorit koreano-verior Kim Jong-un, arrestohet personi i katërt, i dyshuar se ka lidhje me ekzekutimin e tij. Policia malajziane njoftoi se ka arrestuar një 46-vjeçar nga Koreja e Veriut, personi i parë i ndaluar nga vendi komunist, për vrasjen e vëllait të diktatorit.
Mbetet ende i paqartë motivi i vrasjes, por inteligjenca koreano-jugore drejton gishtin te vetë lideri verior. Sipas agjencisë sekrete të Seulit, dikatori Kim Jong-un urdhëroi vrasjen pasi ishte mbërthyer nga paranojat se vëllai i tij kërkonte t’i rrëmbente pushtetin.
Kim Jong-nam, vëllai nga babai i diktatorit në fuqi, përflitej si drejtuesi i ardhshëm i vendit, por më pas u largua nga Koreja e Veriut pasi familja e tij gjykonte se ai ishte tepër “perëndimor”.
Në një foto të publikuar nga mediat aziatike, shfaqet Kim Jong-nam i shtrirë në një karrige të aeroportit, menjëherë pasi u sulmua me sprain helmues. Ai i tha policisë se ishte spërkatur në fytyrë. Autorja e vrasjes së vëllait të diktatorit dyshohet se është një grua nga Indonezia.