Afati i fundit i vlefshmërisë së pasaportave biometrike të lëshuara në periudhën Prill 2009 – Korrik 2010,për shtetasit nën moshën 16 vjeç kanë afat deri në datën 31 korrik 2016 .
“Ministria e Punëve të Brendshme sqaron edhe njëherë lidhur me çështjen e afatit të vlefshmërisë të pasaportave biometrike të lëshuara në periudhën Prill 2009 deri në Korrik 2010 për shtetasit e moshës nën moshën 16 vjeç në momentin e aplikimit për pasaportë biometrike, se (në bazë të ligjit nr. 8668, datë 23.11.2000 “Për pajisjen e shtetasve me pasaportë për jashtë shtetit” i ndryshuar), afati i vlefshmërisë së pasaportave për këtë kategori shtetasish është 5 vjet, në përputhje me standardet ndërkombëtare të dokumenteve të udhëtimit”- njofton ministria.
Sipas saj, gjatë periudhës Prill 2009 – Korrik 2010, për shtetasit shqiptarë nën moshën 16 vjeç në momentin e aplikimit, janë lëshuar rreth 156 mijë pasaporta me afat vlefshmërie jo të saktë (10 vjet), ndërkohë që duhet të ishin 5 vjet.
“Ministria e Punëve të Brendshme nënvizon se afati 5-vjeçar i vlefshmërisë së pasaportave biometrike për fëmijët 0-16 vjeç është një standard i njohur ndërkombëtar, për shkak të ndryshimit në kohë të karakteristikave fizike të shtetasve të kësaj moshe”- theksohet ne njoftim.
Me ardhjen e qeverisë së re në vjeshtën e 2013, duke konstatuar problematikën, Ministria e Punëve të Brendshme mori masa për menaxhimin dhe zgjidhjen e saj. MPB propozoi shtyrjen e afatit të këtyre pasaportave me një vit shtesë, duke i bërë këto pasaporta të vlefshme për 6 vjet, në mënyrë që t’u lihet kohë shtetasve të marrin masat për pajisjen me pasaportë të re biometrike.
Propozimi i MPB-së është miratuar në Kuvend në Prill 2014, ku përcaktohet se “Afati i vlefshmërisë së pasaportave biometrike, të lëshuara gjatë periudhës 1 prill 2009 – 31 korrik 2010, me afat vlefshmërie 10 vjet, për të gjithë shtetasit shqiptarë me moshë deri në 16 vjeç në kohën e aplikimit, zgjatet me 1 vit nga dita e plotësimit të afatit ligjor prej 5 vitesh”.





