Policia e Durrësit ka arrestuar shoferin e një furgoni që transportonte nxënës shkolle jashtë kapaciteteve dhe pa leje drejtimi, madje një pjesë e tyre mbaheshin dhe në bagazhin mjetit.
Në pranga ra Klodian Llaftiu, 38 vjeç, banues në Durrës, i cili teksa po kryente ritualin e tij të përditshëm të punës, efektivët e policisë i kanë kërkuar që të ndalonte automjetin, por ai nuk është bindur.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në lagjen Nr. 1, Durrës, ku sipas policisë, Llaftiu ka tentuar të largohet në momentin që është ndaluar nga uniformat blu, por është kapur menjëherë.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të dokumentacionit të mjetit tip Benz furgon me targa AA 685 MM, ka rezultuar se ai nuk dispononte leje drejtimi.





