Tranguj të importuar nga Shqipëria, që përmbajnë dyfish më shumë pesticide nga ç’është e lejuar, janë shitur nëpër tregjet e Maqedonisë, tha sot Lupço Nikollovski, zv/ministër teknik në dorëheqje i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, transmeton Express.

“Javën e kaluar, me kërkesë të konsumatorëve dhe kopshtarëve të vendit Laboratorit Fito-Sanitar të Shtetit (LFSH) i dërguam kampion të trangujve të importuar nga rajoni i Lushnjës, Shqipëri, të blera në tregun me shumicë të Shkupit (“Kvantashki”), për t’u kontrolluar prania e pesticideve. Rezultatet na erdhën dhe ato janë brengosëse dhe alarmante. Kontrollet dhe analizat e fituara nga LFSH treguan se trangujt e importuar nga Shqipëria përmbajnë dyfish më shumë pesticide nga ç’është e lejuar me ligj, respektivisht koncentrim të substancës aktive Metalaxyl e cila është helmuese”, tha Nikollovski në konferencë shtypi në Shkup.

Ai tha se të dhënat për importuesin, eksportuesin dhe informacione tjera relevante zyrtarisht do t’u dorëzohen institucioneve kompetente për procedura të mëtejshme që dalin nga dispozitat ligjore me të cilat sanksionohet siguria e njerëzve dhe shëndetit nga kontaminimi me ushqim.