Pas orarit zyrtar të mësimit shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e Tiranës do të hapin dyert e tyre edhe për komunitetin. Kjo është një nismë e Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Shkolla e parë ku po zbatohet kjo nismë është gjimnazi “Aleks Buda” në Njësinë Administrative 11, e cila ofron kushtet optimale për t’u vënë në dispozicion të komunitetit dhe banorëve të zonës pas orarit të mësimit. Kjo shkollë është vizituar sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka marrë pjesë në 3 kurset që zhvillohen paralelisht në këtë shkollë: “Multilanguage Caffe”, “Pikturë” dhe një workshop mbi Vullnetarizmin.
Veliaj theksoi se kjo është një mundësi që shkollat të shfrytëzohen për të mirën e komunitetit edhe pas orarit mësimor.
“Sot fillojmë për herë të parë zbatimin e një projekti, i cili ka qenë një rekomandim i Ministrisë së Arsimit. Më vjen mirë që jemi bashkia e parë që e merr seriozisht kthimin e shkollave në qendër komunitare. Me pak fjalë, kjo nënkupton që mbas orëve të mësimit, ata që duan të marrin njohuri shtesë, qoftë në gjuhë të huaja, qoftë në art, në rastin konkret në pikturë, apo në kurse të veçanta, ka një mundësi fantastike për ta bërë”. Tani nuk duhet të ankohen se në Tiranë mungojnë hapësirat.
Veliaj shtoi se qëllimi është që, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore, të gjitha shkollat e Tiranës të hapen për komunitetin. “Është një kontribut fantastik për të gjithë komunitetin që ka dëshirë të përdorë aksesin e shkollës për kurse, për aftësime, që i përgatisin për tregun e punës”, theksoi ai.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh se kjo nismë do të krijojë edhe mundësi punësimi apo të ardhurash shtesë për ata që do të angazhohen në mësimdhënie apo në trajnime të ndryshme. “Do të jetë një mundësi fantastike për të punësuar mësues dhe mësuese që kanë dalë në pension ose mësues apo mësuese të rinj, të cilët mund të fillojnë paraprakisht me kurse të tilla”, u shpreh Veliaj.





